Historia tronditëse e kamarierit shqiptar/ Serbët i hodhën benzinë në kokë dhe e vranë
Nga Enver Robelli
Ndër viktimat e para të agresionit serb në Bosnjën lindore kanë qenë shqiptarët. Njerëz punëtorë që kishin furra buke, byrektore, dyqane, lokale të vogla akulloresh. Banda e paramilitarëve serbë të Arkanit në pranverën e vitit 1992 shkoi nga Beogradi në Bijelinë në Bosnjën lindore. Vrau civilë. Së pari shqiptarët. Ndër ta Hajrush Ziberi nga rrethina e Shkupit.
Fotografi Ron Haviv ka arritur ta fotografojë Hajrushin pak para se të vritej nga paramiltarët serbë. Viktima çon duart lart dhe lutet për mëshirë. Në një fotografi tjetër dy paramilitarë serbë i hedhin benzinë Hajrushit mbi kokë. Ai ishte vetëm 24-vjeçar kur u vra. Punonte kamerier në Bijelinë. Fotografinë e dytë e ka bërë Sërgjan Iliq. – Hajrushi nuk është viktima e vetme.
Janë vrarë shumë civilë shqiptarë në luftën e Bosnjës. Ata janë viktima. Si shoqëri shqiptare në Ballkan nuk dimë pothuaj asgjë për këta njerëz. Sepse institucionet nuk kanë bërë asgjë për të dokumentuar këto krime. Kemi institute të historisë në Prishtinë e Tiranë, Akademi Shkencash në Tiranë e Prishtinë, në Maqedoni shqiptarët kanë ndikim në jo pak institucione, kemi ministri kulture në tri shtete që mund të bëjnë diçka, kemi ministri të jashtme, kemi edhe institucione arsimore – askush, askush, askush nuk ka bërë gjë për këta njerëz, as shumica e mediave që kryesisht “investojnë” në ndotjen e ambientit publik për interesat e tyre kriminale.
Një libër nuk është shkruar për viktimat shqiptare në Bosnjë. E nuk është punë e vështirë të shkruhet një libër. Shtetet që i mbajnë shqiptarët në rajon duhet të ndajnë pak mjete për projekte që dokumentojnë krimet. Sot nuk dimë asgjë për Hajrushin dhe shumë shqiptarë të tjerë që thika gjakatare e kriminelëve serbë ua preu jetën. Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë shtete të pasura, por aq para kanë sa për të financuar një projekt për dokumentim të krimeve. Në çdo përvjetor të Srebrenicës politikanët shqiptarë bëhen sikur po pikëllohen për gjenocidin.
Por për bashkëkombësit e tyre të vrarë në Bosnjë nuk dinë gjë. Sepse ua ka verbuar sytë padituria, poshtërsia, mizoria dhe etja për të kontrolluar, vjedhur e plaçkitur çdo gjë.