Homazh për një humanist të madh…

Thoma Deliana, ministri që u internua të punonte në bujqësi 

Në historinë shumëshekullore të Shqipërisë Elbasani zë një vend nderi. Kontributi i tij i gjithanshëm enë të gjitha aspektet e jetës, ka bërë që të dalin në pah vlera të jashtëzakonshme, të cilat janë krenari jo vetëm e kësaj treve, por e të gjithë vendit. Figura madhore si Aqif pasha, Konstandin Kristoforidhi,martiri i gjuhës shqipe, Dhaskal Todhri, Lef Nosi, Ahmet Dakli, Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi etj., me veprën e tyre kanë fituar pavdekësinë në zemrën e popullit. Në jetë të jetëve Elbasani do të përmendet me plot të drejtë edhe si “kryeqytet i mësuesisë shqiptare”. Në vazhdën e kësaj plejade fisnikësh të paharruar bën pjesë edhe burri i shquar i Elbasanit dhe i gjithë Shqipërisë, njeriu i vërtetë me plot kuptimin e fjalës, ish- ministri i suksesshëm i arsimit, që u denigrua padrejtësisht nga diktatura, Thoma Deliana. Kush ishte Thoma Deliana? Cilat ishin “mëkatet” e këtij personaliteti të shquar të vendit që kishte dhënë gjithçka për popullin dhe atdheun? Fisi Deliana i ndarë në dy degëzime ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të kaluarën e qytetit të Elbasanit. Prifti Veniamin Deliana, i degëzimit të parë, ka predikuar në kishën e Kalasë. Me ndjenjë e lartë të atdhetarisë ai filloi të meshonte në gjuhën shqipe, duke mos iu trembur ndëshkimeve të dhespotit të Durrësit. I biri i tij, Dhimitraqi (Taqi) mbështeti fuqimisht patriotin e shquar Lef Nosi në përhapjen e gjuhës dhe të shkollave shqipe, duke dhënë kontribut të paçmuar. Djali tjetër i at Veniaminit, Kovi, mbrojti doktoraturën për ekonomi politike në Vjenë dhe u bë sekretar i Mehdi Frashërit. Pas çlirimit ai u burgos për shumë vjet. Rudolfi, djali i Taqit ka dhënë në kontribut të dukshëm në zhvillimin e arsimit në Elbasansi dhe në ruajtjen e dokumenteve me vlerë të madhe historike.

Degëzimi tjetër i përket familjes së Ndrek Delianës, që gjithashtu kishte ngritur strehën e vet në Kala. Ndreka kishte gjashtë fëmijë e midis tyre do të evidentohej Thomai, njëri nga argjendarët më në zë të qytetit. Ky kishte djalë Mihalin, i cili rriti dhe edukoi me virtyte të larta Nosin, që më vonë u bë drejtor i Institutit të Kualifikimit të Mësuesve, Afërditën, pedagoge ne fakultet dhe veprimtarin e rrallë e me të kaluar të ndritur, ish ministrin e arsimit, të dënuar nga diktatura, Thoma Deliana.  Thomai u lind në Elbasan, më 20 shkurt 1924, në një familje të thjeshtë, por me emër në qytet. I ati kishte një dyqan bojërash, ndërsa xhaxhai aty pranëadministronte një dyqan argjendarie. Që në moshë fare të re te Thomai do të spikatnin dy tipare që do të përbënin më vonë edhe domethënien e karakterit të tij: etja e madhe për dije dhe shpirti altruist.

Ishin kohëra shumë të vështira për atdheun, që lëngonte nën pushtimin fashist, kur ai filloi studimet në normalen e Elbasanit. Fare i ri ra në kontakt me të rinj antifashistë si vëllezërit Xhuvani, Petro Kitën, Zihni Muçon, Kostaq Lazrin, Persefoni Todrin (Dervishi), me të cilët u bënë shokë ideali dhe zhvilluan aktivitet të pandërprerë antifashist. Normalja e Elbasanit, kjo çerdhe e kulturës kombëtare shqiptare, do të kthehej në vatër të luftës antifashiste për të gjithë vendin. Në vitin 1943, Thomain e gjejmë sekretar politik të rinisë dhe anëtar të qarkorit të partisë. Në këtë kohë drejtuese organizative e rinisë së qytetit do të bëhej Virgjini Bishka, që kishte ndjekur shkollën femërore “Nana Mbretneshë”. Të dy morën në Kongresin e Rinisë, në Helmës të Skraparit dhe u zgjodhën anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë. Shokë ideali gjatë luftës, ndërsa pas çlirimit ata do të shndërroheshin edhe në shokë jete. Më pas Thomai bëhet njëri nga drejtuesit kryesorë të qarkorit. Në këtë kohë, gjatë një aksioni ai plagoset, por nuk e ndërpret aktivitetin politik. Në ditët e para të Çlirimit të vendit kalon me detyrë shef i seksionit politik të Divizionit të Tetë në Peshkopi. Një vit më mbrapa, kur ishte vetëm, 21 vjeç, Thoma Deliana caktohet drejtues i partisë për qarkun e Elbasanit. Pa kaluar shumë Nako Spiro e tërheq në Komisionin e Planit të shtetit. Situata e brendshme politike dhe ekonomike ishte shumë e vështirë. Pikërisht ajo e shpuri drejtuesin e këtij dikasteri në vetëvrasje.

Pas vitit 1948, Thomai caktohet me detyrë në Komitetin Qendror, në drejtorinë e organizimit. Por detyrat e kohës ai i lidhte ngushtë edhe me përgatitjen e vet teorike. Kështu nga viti 1954 e deri në vitin 1958 e ndeshim student të filozofisë në Moskë, ku shkëlqeu për rezultate shumë të larta. Pas kthimit në atdhe përsëri caktohet drejtuesi partisë në Elbasan, ndërsa në vitin 1961 emërohet zëvendësministër i parë të arsimit. Qe nga viti 1963 e deri në vitin 1976 ai do të kryente detyrën e ministrit të arsimit, të kulturës dhe të sporteve si askush më parë.

 Rrebeshet e kohës do të përplaseshin fort mbi të gjitha kuadrot e vendit dhe do të linin gjurmë të pashlyeshme. Prishja e marrëdhënieve më BS dhe vendet e demokracive popullore në vitin 1961, do ta çonte vendin në një izolim të paimagjinuar, duke e përkeqësuar gjendjen politike dhe ekonomike të tij si asnjëherë më parë. Por sidomos paranoja e diktatorit Enver Hoxha, e cila në çdo skutë të vendit shihte “armiq të partisë e të popullit”, do te arrinte apogjeun e vet në vitet 70 të shekullit të kaluar. Goditjet ne ushtri, ekonomi dhe kulturë do të sillnin pasoja te shumta negative në të gjitha aspektet e jetës së vendit. Në këtë vorbull, sidomos nga Plenumi i 4-t, i vitit 1973 e deri në vitin 1976, do të merrte goditje pas goditjesh drejtuesi i dikasterit të arsimit dhe kulturës Thoma Deliana. Ishte pikërisht 30 prilli i vitit 1976 kur do t’i jepej mandata e shkarkimit nga detyra dhe e largimit për në Tepelenë, si drejtor shkolle. Ky hap do të pasohej me përjashtimin nga Komiteti Qendror. Kjo qe arsyeja e rëndimit të shëndetit të së shoqes, Virgjinisë, e cila kaloi në depresion.

Fillimisht Thomait iu tha se do të drejtonte shkollën e mesme të Tepelenës, por në fakt u caktua si drejtor i shkollës tetëvjeçare të fshatit Dhemblan të këtij rrethi. Por kulmi i denigrimit do të arrinte pas një viti, më 1977, kur përjashtohet edhe nga partia si “armik i popullit”. Kalvari i vuajtjeve të rënda fizike do të vazhdonte për vite me radhë në këtë fshat të thellë, kur e detyruan të punonte me kazmë dhe për shumë kohë në punët më të vështira të blegtorisë, vazhdimisht survejuar nga organet e sigurimit të shtetit. Siç veprohej në atë kohë, pasoja do të kishin të gjithëpjesëtarët e familjes: e shoqja dhe të dy djemtë. Djalin e madh, Maksin, e largojnë në Lezhë, ndërsa djali i dytë, Artani, me ndihmën e miqve e me shumë sakrifica kryen studimet e larta.

 Pas vdekjes së diktatorit, me insistimin e vetë Thomait, në vitin 1986, arrin të kthehet në Elbasan dhe vendoset tek shtëpia e vet e vjetër. Pikërisht në këtë kohë turmat e njerëzve nuk reshtnin së vizituari këtë njeri të rrallë, saqë u bë problem shumë shqetësues për drejtuesit e kohës në qytet. Ata kaluan edhe në masa drastike, duke përjashtuar nga partia individë të veçantë për këtë arsye si dhe duke i thirrur ne organet e Punëve të Brendshme.

 Vitet e përmbysjes së madhe do ta gjenin në vendlindje, tashmë të rënduar edhe nga mosha edhe shëndeti. Goditje shumë e rëndë për të qe ndarja në vitin 1999 nga shoqja e luftës dhe e jetës, veterania e palodhur, Virgjini Deliana. Prej vitesh me banim në Tiranë, Thoma Deliana, ky fisnik i rrallë, do ta ndiente thellë dashurinë dhe respektin e dhjetëra e dhjetëra njerëzve nga të gjitha shtresat, të cilët e ndalonin dhe e përqafonin me dashuri e respekt të thellë. Tjetër goditje e rëndë për të do të ishte vdekja e parakohshme e të birit, kardiologut të mirënjohur Artan Deliana. I rënduar nga vitet, por gjithnjë optimist, para dy vjetësh, më 14 shtator 2014, u largua përfundimisht nga jeta e nga populli që e deshi aq shumë, ky burrë i madh, jo vetëm i Elbasanit, por i gjithë Shqipërisë.

Duke e vështruar në retrospektivë jetën dhe veprën e këtij njeriu të shquar patjetër do të ndalesh tek ato momente domethënëse, që shfaqën si asnjëherë tjetër karakterin burrëror dhe human të tij.

 Ideologjia në fuqi e kishte shpërdoruar në ekstrem sloganin tashmë të shndërruar në demagogji “Njeriu kapitali më i çmuar”. Por Thomai deri në fund i qëndroi besnik atij, prandaj meriton të quhet humanist me plot kuptimin e fjalës. I gjallë nga natyra, zemërbardhë, i kudondodhur, krahas punës së madhe për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të sporteve në vend, ai i shfrytëzoi të gjitha postet që mbajti për mjaft kohë vetëm në shërbim të njerëzve. Sidomos si drejtues i arsimit dhe kulturës kishte shumë mundësi të bënte mirë; ndonëse situata ishte tepër e vështirë, por ai rrezikoi, prandaj dhe njerëzit e deshën, e respektuan dhe sot ruajnë kujtimet më të mira për këtë “njeri të madh”.

Por pikëpamjet e mençura dhe largpamëse të Thomait do të konsideroheshin “kundër vijës”. Goditjen e parë do t’ia japë shtypi i kohës. Lidhur me këtë fakt vetë z.Thoma do të shprehej: “Në fillim ka dalë një shkrim në “Zërin e popullit”  me titull, “Një pyetje nga salla” dhe pak mbrapa tij një shkrim i dytë me titull “Fryn erë Elbasani”. Këto shkrime ishin për të goditur direkt personin tim. Kjo nuk ishte e thjeshtë, po të mendoje se shkrime të tilla inicioheshin nga strukturat më të larta të nomenklaturës së Partisë, organ i të cilave ishte edhe gazeta. Në shkrimin e parë konkretisht bëhej fjalë për një kontroll punëtor, që ishte organizuar në aparatin e dikasterit tonë, për të zhvilluar reformën në administratën e saj. Pra, për të bërë shkurtimet. E çuditshme, por kjo gjë që të shkurtonin specialistë, madje, me disa tituj shkencorë të dikasterit të arsimit, u ishte ngarkuar pikërisht disa kaldajistëve të mbledhur aty këtu”.

 Goditjet që pasuan qenë gati të papërballueshme. Arsyet me logjikën e kohës do të përmblidheshin në tre aspekte kryesore:  -mospranimi nga ana e ministrit për të goditur shokët e idealit, tashmë të etiketuar “armiq të partisë” në ushtri, ekonomi e kulturë (duke mos qenë aspak i bindur në masat drastike, ai rrinte i heshtur);

-përgjimi i bisedës me Abdyl Këllezin nga sigurimi i shtetit, lidhur me letrën e dërguar nga kreu i partisë udhëheqjes kineze pa pasur dijeni Komiteti Qendror.

  – dosja e përgatitur nga sigurimi, që e kishte Sekretariati i Komitetit Qendror, ku theksohej se gjoja ishte kundër kontrollit punëtor. Krisja në marrëdhëniet shqiptaro-kineze do të sillte pas pak prishjen e tyre dhe rrezikonte përgjysmimin e prodhimit në vend. Në këtë situatë Thomai largpamës kishte mendimin e zgjerimit të marrëdhënieve me vendet Perëndimore. Gatishmërinë e tyre ai e kishte vëne re gjatë disa vizitave që kishte bërë në Itali dhe Gjermani. Por slogani i marrëzisë komuniste se: “Më parë hamë bar dhe nuk i zgjasim dorën imperializmit” tashmë do të vihej plotësisht në zbatim, duke e shpënë popullin shqiptar në një varfëri të tejskajshme. Njeriun e formuar, me kulturë të gjerë e largpamës, krerët e vendit do ta bënin “të padëshiruar për partinë”.

Të shumtë janë ata që flasin me superlativa për të paharruarin Thoma Deliana. Në kujtimet e veta ish-zëvendësi i tij, intelektuali i mirënjohur Musa Kraja, i cili do të shkarkohej nga detyra për “pikëpamje borgjezo-revizioniste”, shkruan: “Nga njohja ime e drejtpërdrejtë, po nënvizoj disa fusha, në të cilat ka spikatur Thoma Deliana: së pari, ai luajti rolin e një drejtuesi shumë të suksesshëm në masivizimin e arsimit 7-8 vjeçar, duke i njohur drejtpërdrejtë shumë prej veprimtarëve të rretheve. Së dyti, nxiti e punoi në zbatimin e politikës arsimore të kohës për përgatitjen e kuadrit të fushës së arsimit në rrugë normale, përmes shkollave pedagogjike, të kulturës, sporteve, të Universitetit të Tiranës, Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, filialeve të tyre etj.. Njëkohësisht nxiti format e shpejtuara të kuadrit, si pedagogjiket 2-vjeçare për mësuesit e fillores, kryesisht për zonat rurale, për përgatitjen e mësuesve përmes shkollave të larta me program të ngjeshur etj., etj.  … Sigurisht, si çdo ministër shteti atëherë dhe sot, ishte së pari njeri politik. Por, Thomai nuk ishte vetëm i tillë. Ai u shqua për modestinë karakteristike, për aftësinë e shkëlqyer komunikuese, aftësitë organizative, përkushtimin në punë, zemërgjerësinë dhe njërzillëkun shembullor”.  “Mjeshtri i madh i Punës”, dirigjenti i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, Ermir Dizdari, shprehet kështu për eprorin e vet:  “E konsideroj privilegj që të them disa fjalë zemre për njeriun e shquar Thoma Deliana. Për të mund të flasësh shumë, por unë do të përmend një ngjarje madhore, e cila la gjurmë jo vetëm në Durrës, por në tërë vendin. Në përkujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, më 1968 u mor një iniciativë sa e bukur aq edhe e vështirë: vënia në skenë, në Durrës, e operës “Bijtë e Skënderbeut”, e kompozitorit Abdulla Grimci, vetëm me amatorë. Vështirësitë ishin të shumta, përvoja na mungonte, por jo entuziazmi. Angazhimi i drejtuesve në rreth qe maksimal. Po ai i ministrit të arsimit dhe kulturës, z. Th. Deliana, qe tepër i veçantë. Më kujtohet fare mirë interesimi i tij i madh për këtë aksion të rëndësishëm kulturor. Thjesht për ngritjen e orkestrës filarmonike të qytetit, prej 60 instrumentistësh, mungonte gjithçka. Me iniciativën e tij nga rezervat e shtetit u siguruan vegla cilësore, të cilat ishin blerë për teatrin e operës. Ai u kujdes që për të ndihmuar në realizimin me sukses të kësaj iniciative të vinin nga Tirana artistët më të shquar të operës. Vetëm në Tiranë opera “Bijtë e Skënderbeut” u shfaq pesë net me radhë”.  “Piktori i Merituar”, tashmë me reputacion brenda e jashtë vendit, Agim Faja, për mjaft kohë drejtues i degës së Lidhjes së shkrimtarëve e artistëve për rrethin e Durrësit, thekson:

“Poeti ynë i madh Lasgush Poradeci thotë: “Prej çdo gëzimi e hidhërimi/ Mbetet prapa veç kujtimi!/ Ah dhe i shkreti, mallëngjimi!” Kujtoj njohjen tonë të parë me të paharruarin Thoma Deliana në vitin 1967, pas suksesit të punës sime dekorative “Verë 1965” (“Lufta kundër thatësirës”), që më la mbresa të veçanta. Ai jo vetëm që i donte dhe i respektonte shkrimtarët dhe artistët, por bënte çmos, duke ndërhyrë edhe në instancat më të larta për t’u siguruar tyre gjërat e nevojshme në ecjen përpara të krijimtarisë. Tek ai nuk gjenin strehë egoizmat e xhelozitë. Atë e kënaqnin sukseset e shokëve e të miqve. I tillë qe shokut Thoma. Njeri me kuptimin e vërtetë të fjalës që edhe hallet e të tjerëve i përjetonte si halle të veta. Më kujtohet kur pata kërkuar fonde për ngritjen e disa studiove për piktorë e skulptorë në Durrës, Kavajë e Shijak. Shoku Thoma m’i premtoi e m’i dha, por shokët e Durrësit e të Kavajës i shpërdoruan. Kur e mësoi u zemërua shumë. “Këto janë veprime dredharake, Agim, – m’u drejtua. – Ju vazhdoni punën tuaj dhe ju jap fjalën se, kur t’i përuroni, do të vijë edhe vetë”. Dhe më pas për krijuesit e Shijakut bëmë katër studio. Ai si gjithnjë e mbajti fjalën. Shoku Thoma ishte dhe mbeti njeri i thjeshtë, human, me shumë humor, por edhe dituri. Ai ishte i lexueshëm dhe mbi të gjitha gjërat t’i thoshte troç. Në një bisedë me të ai më foli me shumë ngrohtësi për normalistët elbasanas si Abedin Çaushi, Shefqet e Drita Demiri, Gjeovefa Stambolla, Myrteza Vërçani, Sigfrid Deliana, Hasan e Xhyhere Belshaku, Mali e Razije Llanaj që kishin kontribuar kaq shumë për zhvillimin e arsimit në krahinën e Shijakut. Me respekt fliste edhe për veprimtaret e palodhura të arsimit, shijakaset Mereme Shkodra, që kishte kryer shkollën “Nana Mbretneshë”, Xheje Arbanën etj.

E kujtofshim gjithmonë me respektin më të madh njeriun e mrekullueshëm, Thoma Deliana!” Me shumë modesti dhe tepër i prekur, i biri i të paharruarit Thoma Deliana, profesori i  mirënjohur i kimisë Maksim Deliana, do të shprehej: “Si shumë të tjerë fati i keq na përfshiu edhe ne. Pasojat do të ishin të shumanshme dhe negative. Ndonëse kanë kaluar dekada, me respektin më të madh u drejtohem miqve, shokëve dhe njerëzve të thjeshtë që na ndenjën pranë dhe nuk na braktisën, sepse e kuptuan qartë veprimin djallëzor të krerëve të diktaturës. Kudo ku u gjendën prindërit tanë dhe ne, djemtë, diku hapur e diku fshehur e ndjemë thellë dashurinë, respektin dhe gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar. Mirënjohja e thellë e familjes Deliana le t’i ndjekë në çdo hap të jetës”. Duke shkruar këto radhë mendja të shkon tek ato kuadro të shquara të asaj kohe, të cilët, ndonëse në kushte shumë të vështira, mbetën të paepur në humanizmin e tyre, duke dhënë gjithçka për popullin dhe atdheun. Bashkëkohës dhe miq të të paharruarit Thoma Deliana, të tillë si Iljaz Reka (njëri nga kuadrot më të kulturuar në vend) që u nda shpejt nga jeta, veprimtari i shquar I kulturës dhe artit, Llazar Ziu e shumë të tjerë do të përmenden gjithmonë me respektin më të madh. Na takon të gjithëve t’i kujtojmë vazhdimisht këta njerëz të rrallë dhe të mos lejojmë në asnjë mënyrë që mbi ta të bjerë pluhuri i harresës. Diktatura i nëpërkëmbi njerëzit, por të tillë si këta nuk i mposhti dot.

Rexhep Hida dhe Nikolla Sudar

SHKARKO APP