Humbje oreksi dhe të dridhura, Covid shfaqet me simptoma të reja
Një studim i botuar nga Imperial College London ka gjetur disa simptoma të reja, duke përfshirë dridhura, humbje të oreksit, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore, të lidhura me koronavirusin e ri.
Bazuar në një sondazh të më shumë se 1 milion njerëzve nga qershori i vitit 2020 deri në janar të 2021, nga studimi u vërejt se përveç simptomave “klasike”, si ethe, kollë e vazhdueshme, humbje e nuhatjes dhe shijes, u shtuan edhe simptomat e mësipërme.
Gjithsesi simptomat ndryshonin në varësi të moshës, por dridhjet lidheshin me Covid-19 në të gjitha grupmoshat, sipas studimit të bërë nga ekipi REACT në Imperial College London.
Studimi vuri në dukje se rreth 60% e njerëzve që rezultuan pozitivë, nuk treguan ndonjë simptomë, dhe sa më shumë simptoma të kishte një person, aq më shumë kishte shanse që të ishte infektuar me Covid. Dhimbjet e kokës u panë më shumë në grupmoshën 5-17 vjeç. Humbja e oreksit ishte më e zakonshme tek 18-54-vjeçarët dhe ata mbi 55 vjeç, edhe dhimbjet e muskujve tek grupmosha 18-54 vjeç. Nga studimi i ri i Imperial, u pa se ata që ishin infektuar me variantin e parë të zbuluar në Kent mund të kishin më pak gjasa të humbnin nuhatjen ose shijen. Megjithatë rastet me kollë të vazdueshme u rritën.
Ndërkohë numri i përgjithshëm i të infektuarve në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 3,996,833 ditën e sotme, ndërsa numri i viktimave është 115,068.