I madhi Mevlan Shanaj*
Nga Valeria Dedaj.
Për të dokumentari është gjinia më e ndershme dhe e sinqertë, prandaj ai e konsideron si një realizim në të cilin krijuesi mund të shpalosë vetvetet. Bëhet fjalë për regjisorin Mevlan Shanaj, i cili rikthehet pas 18 vjetësh me dokumentarin “Rrugët 2”. Gjatë një bisede me të, ai na tregon se ky film dokumentar vjen sipas perceptimit të tij nostalgjik edhe kronikal për atë që ka ndodhur në të shkuarën. Në dokumentar personazhi qendror është vetë autori me zërin e tij të brendshëm. Ai është dëshmitar aktiv i së tashmes edhe së shkuarës, që vjen edhe me krijimet e tij në ato mjedise ku ka shkelur. Regjisori e nis këtë rrëfim qysh nga adoleshenca në Patos, Mallakastër dhe më pas në Tiranë. Takimin me bashkudhëtaren e jetës, skenaristen Natasha Lako, e konsideron si një nga gjërat më të bukura që i ka ndodhur, sepse ata e kanë ndihmuar shumë njëri-tjetrin, jo vetëm në jetë, por edhe në profesion. Filmi dokumentar “Rrugët 2” me skenar dhe regji të Mevlan Shanajt prezantohet në datë 20 janar në Kinema Milenium.
Zoti Shanaj, përse vendosët që të riktheheni me dokumentarin “Rrugët 2” pas 18 vjetësh?
Dokumentari “Rrugët” është perceptuar në dy pjesë. Pjesa e parë është realizuar në vitin 1997, pjesa e dytë në 2015-n. Ky kthim, nuk ka qenë i programuar, por ndodhi në mënyrë spontane, sikurse ndodh në krijimtari. Duket sikur është një monolog i gjatë, një perceptim, që është parë nga autori, i cili jo vetëm është prezent, por është edhe organizuesi i këtij materiali. Por unë mendoj se nuk do të kishte vlerë dhe se nuk do të ishte aq interesant, nëse unë nuk do të kisha perceptuar një dokumentar, sipas ndjesive të mia.
Mendoj se dokumentari flet më shumë sesa një perceptim personal. Nga mënyra e vështrimit jo vetëm tregoj, por bëj edhe një apel. Kthej të shkuarën, duke përcaktuar një rrugë të gjatë nga viti 1959 deri tani, si një dëshmitar okular nëpërmjet në monologu, që zgjat rreth 1 orë.
Në dokumentarin e realizuar në vitin 1997, ngjarjet ndodhin 100 metra pranë shtëpisë suaj…
Në pjesën e parë janë 100 metra të limitit që ka njeriu në jetë, të rrugës së shtëpisë së tij. Është një gjë e ndërmjetme për 100 metrat më minimale të punës, është si të thuash lidhja e botës nëpërmjet dy elementeve, punë dhe shtëpi. Është një hyrje që sa herë kam pasur mundësinë që ta prezantojë në vende të tjera, kudo kam pasur diskutime të bukura, jo aq shumë për rrugët, se kjo mund të ishte një gjë minimale, sesa për vendin tim, për Shqipërinë.
Pas 18 vjetësh 100 metrat u bënë kilometra?
Pjesa e dytë nuk është më në 100 metrat e mia të limituara, është në kilometrat e mia. Kanë kaluar 18 vjet, unë kam ndryshuar banesën dhe rrugë. Një rrugë që më ktheu edhe në adoleshencën time. Adoleshenca ime ka qenë Mallakastër, Patos. Unë kam ardhur 14 vjeç në Tiranë. Pikërisht në dokumentarin “Rrugët 2” këto impresione sot, vetëm pak ditë para ditëlindjes sime janë për vitet e jetës si: student, krijues, aktor, profesor dhe producent. Jetë komplekse për një punë krijuese, që gjithmonë të jep kënaqësi, por që sigurisht të jep dhe shqetësimin e pambaruar.
Cilat janë kujtimet më të forta të adoleshencës, atyre që ju u jeni rikthyer gjatë këtij dokumentari?
Nëse do hysh brenda jetës së një njeriu, mund të gjesh një material të mirë për të shkuar një roman të bukur apo për të bërë një film interesant. Çdonjëri ka jetën e tij të mbushur me kujtime dhe emocione, me të bukurën dhe me shqetësimet. Mendoj se krijuesi në përgjithësi është i mbërthyer nga shqetësimi, të cilin e ka bashkudhëtar. Nuk besoj se ka krijues të lumtur, unë mendoj se ka krijues të shqetësuar. Nëse do të ishte i lumtur krijuesi do të lodhej, nuk do të shkruante. Njeriu i lumtur lodhet shpejt. Në këtë udhëtim në art, gjatë gjithë jetës kam kërkuar që të shprehem në mënyrë të veçantë, duke parë te njeriu atë që nuk duket në shikim të parë, atë që nuk e sheh fotografia, por që e shikon krijuesi në shpirtin e individëve, aq më tepër të shoqërisë sonë, shumë herë të lodhur.
Pas adoleshencës erdhët në Tiranë…
Unë vij nga Patosi. Në vitin 1959 largohem nga ky qytet interesant me diversitete kulturore, ku jetonin të rinj që vinin nga shkollat e Lindjes. Shkëputem nga ky mentalitet dhe vij në kryeqytet. Mos kujtoni se ishte ndonjë bum i madh Tirana, sepse kishte vetëm 15 vjet që kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Hyra në një mjedis jo provincial, në një qytet me të rinj, në jetën konviktore, e cila shpeshherë më kujton filmin “Lulëkuqe mbi mur”. Në atë moshë mbaronte adoleshenca dhe fillonte ndërgjegjësimi. Unë isha nga një qytet i vogël, por hyra në një qytet të madh me informacione të ndryshme. Më vonë ndryshova drejtim nga mjekësia tek artet. Ishte viti 1965 kur kam hyrë tek artet, tek “Aleksandër Moisiu”. Ai artist ishte një befasi për mua, emri i tij i madh më ndërroi drejtimin e jetës. Kujtova se do të bëhesha si ai (qesh). Nga viti 1965 deri tani kam udhëtuar gjatë në profesionin e artistit. Mbarova studimet për aktrim, por nuk punova asnjë orë si aktor. Fillimisht nisa si regjisor në televizion. Kam qenë me fat, sepse për një kohë të gjatë kam punuar në Televizionin Publik Shqiptar bashkë me një grup krijuesish. Ishim të rinj dhe ndërtuam modelin e komunikimit. Aty pata fatin që të eksperimentoj gjithçka që mund të ketë mundësi një krijues. Unë jam i rrallë në mundësitë e mia krijuese, nuk besoj se mund ta kenë dhe shumë të tjerë fatin që të eksperimentojnë çfarë dëshirojnë nga; aktrimi te regjisor i të gjitha zhanreve televizive, por mbi të gjitha i vendosur në pozicionin e artistit. Ne krijuam një kinostudio të dytë, prodhuam filma të mirë. Duke qenë se mungonte kultura e prodhimit filmat që kam realizuar në televizion janë filma kinemaje, pavarësisht se janë prodhuar në televizion. Ajo ishte shkolla me të cilën ne ecnim. Me kinemanë kam qenë i lidhur që nga viti 1969 deri më sot.
Cilat kanë qenë pikat më të forta gjatë karrierës suaj?
Në përgjithësi unë kam qenë njeri me fat në krijimtari, por edhe në jetë. Nuk kam pika rënieje, por kam një ecje normale në kërkime, për rritje. Pikën më të lartë nuk e di se cilën kam pasur, sepse jam në ngjitje. Hitchcock thotë:“Në film jam unë Zot, në dokumentar është Zoti regjisor”. Por me humor unë u them studentëve se jam ateist. Në këtë aspekt unë bëj shumë dokumentarë edhe kam ecur në këtë zhanër. Por këtë vit jam me fat që do të mbyllë ciklin e individëve. Projekti i fundit është një film për Xhanfize Kekon. Kam bërë për Tefta Tashkon, Lasgush Poradecin, Ndrek Lucën etj., por harta mbyllet me Kekon. Jam në rrugët e saj, prandaj ky film do të jetë për një njeri shumë të veçantë, për një grua që në moshën 45-vjeçare u bë regjisore filmi. Sot filmat e saj mund të shfaqen në çdo vend të botës me dinjitet.
Cila ka qenë influenca e bashkëshortes suaj, skenaristes Natasha Lako gjatë këtij udhëtimi?
Natasha ka qenë një fat i mirë për mua. Ne u takuam së bashku kur ishim të rinj. Një mik i shquar në atë kohë tha:“Sa keq që po bashkoheni ju të dy”. I thashë: “Ç’është kjo që po më thua?”. Më tha:“Ju jeni të dy krijues të talentuar dhe do ta keni të vështirë në jetë”. Por nuk doli profecia e tij, ne e kemi ndihmuar shumë njëri-tjetrin. Kemi qenë në një bashkëpunim pa shkëputje. Shumë filma i kemi punuar bashkë me Natashën si skenariste. Kur im bir shkoi për të konkurruar për regjisor e pyesin:“Përse do të bëhesh regjisor filmi?”. Ai u tha:“Sepse kam dy prindër që merren me filmin. Kam vënë re se ata bëjnë shumë sherr mes njëri-tjetrit”. Mesa duket kjo e kishte ngacmuar tim bir, prandaj ai vendosi që të bëhet kineast.
Te djali, Joni ju si prindër a keni influencuar në zgjedhjen e tij?
Jo. Unë nuk kam dashur që ai të bëhet regjisor, bëj përjashtim se nuk hyj te prindërit që fëmijët të ecin në gjurmët e tyre, por ishte përzgjedhja e tij. Nuk mendoj aspak se mund të kem ndikuar, nuk jam aq i zoti që të ndikoj te fëmijët. Unë mendoj se jo vetëm te fëmijët, por edhe te studentët, krijuesi është i mençur dhe i mirë kur e rebelon mësuesin. Ndërsa fëmija është i zoti në profesion kur rebelon prindërit. Unë nuk dua vijueshmëri, sepse unë vetë me krijimtarinë time kam pasur modele njerëzit e shquar ose më mirë ata që mund të quhen gjeni të kinemasë. Ata i kam pasur modele në frymëzim, sepse asnjë fotografi nuk kam denjuar në jetën time që ta imitoj. Nuk ka gjë më të shëmtuar sesa imitimi në art.
Sipas jush, përgjatë 18 vjetëve si është zhvilluar shoqëria jonë?
Shoqëria jonë në këtë rrugë të gjatë mendoj se nuk ka kaluar një tranzicion normal, por rraskapitës dhe shumë të stërzgjatur, që nuk ka sjellë atë ëndërr për ëndërronin ata që ishin nismëtarë të atij procesi. Edhe unë isha pjesë e atij grupi, por përgjithësisht ka ndodhur një zhgënjim. Zhgënjim që duhet që ta kërkojmë te vetë shoqëria. Unë mendoj se shoqëria shqiptare nuk di që të analizojë, të qëndrojë edhe të gjykojë. Kjo është një shoqëri e pasioneve, shoqëri militante dhe konservatore. Pikërisht ky qëndrimi i yni ka ndierë këtë lloj politike, që nuk po plotëson dëshirat tona, në radhë të parë, në ekonomi dhe në emancipim. Ne kemi një shoqëri që vuan nga tradicionalizmi, jo i bukur, por konservator. Konservatorizmi asnjëherë nuk mund të sjellë progres. Kështu që vazhdojmë që të mbetemi njerëz në kërkim të një rruge më të bukur. Por pavarësisht se individi shqiptar është me shumë perspektiv dhe vitalitet, administrata e prodhuar nga ne, vetëm sa e turbullon. Unë bëj pjesë tek ata njerëz që mendoj se shqiptarët kanë shumë energji, por duhet ditur sesi të merresh vesh me ta.
Këto ngjarje që kanë ndodhur gjatë tranzicionit a ndihen në kinematografi?
Kinemaja nuk është medie, por nëpërmjet saj kthehet historia e një kombi. Në film gjërat vijnë me vonesë, sepse filmi ka një dimension tjetër, përtypja në kinema nuk është ripërtypja. Sigurisht që këto flenë, por asnjëherë nuk harrohen.(shekulli)
*Titulli i redaksise
KOHA JONË SONDAZH

