Ikja e një akademiku

Më 6 mars 2015 ndërroi jetë në Nju Jork, SHBA, akademik Mentor Përmeti. Ai  lindi më 20 dhjetor të vitit 1920 në Tiranë në një familje me prejardhje atdhetare. Arsimin fillor dhe atë të mesëm i kreu në Tiranë. Pas pushtimit të vendit, u rreshtua në radhët e antifashistëve duke dhënë kontributin e tij për çlirimin e Atdheut. Pas Çlirimit, kreu studimet e larta në Sofje të Bullgarisë, ku u diplomua me rezultate te shkëlqyera.

Me kthimin në vend, në vitin 1951 emërohet specialist pranë Stacionit të Kërkimeve Bujqësore në Tiranë; më pas emërohet në Ministrinë e Bujqësisë, fillimisht si specialist, e më pas drejtor.

Në vitin 1956, profesor Përmeti emërohet drejtor i Institutit të Lartë Bujqësor (sot Universiteti Bujqësor i Tiranës), ku dha një kontribut të madh në ngritjen e strukturave dhe të një stafi akademik të përgatitur, si dhe mundësoi që Instituti të përqasej si një laborator i hapur me mbështetje nga institucionet shtetërore.

Në vitin 1958, emërohet drejtor i Institutit të Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë. Ai e riorganizoi këtë institut dhe arriti rezultate të larta në zbatimin e shkencës në prodhim. Pas tri vitesh punë në Lushnjë, rikthehet sërish në Institutin e Lartë Bujqësor, në detyrën e zëvendësrektorit, ku spikati kontributi i tij si pedagog e kërkues. Ai është themelues dhe kryeredaktori i parë i Buletinit të Shkencave Bujqësore. Gjatë periudhës 1962–1967, kreu detyrën e zëvendësministrit të Bujqësisë. Në këtë detyrë ai mbështeti vazhdimisht rrugët shkencore për zhvillimin e bujqësisë. Në shtatorin e vitit 1967, emërohet rektor i Institutit të Lartë të Bujqësisë. Gjatë 9 viteve në të cilat udhëhoqi Institutin, u përgatitën specialistë të kualifikuar të bujqësisë si dhe punonjës kërkimorë- shkencorë të talentuar.

Në vitin 1976 emërohet kryeagronom në Ndërmarrjen Bujqësore të Lushnjës, më e madhja në vend, ku punoi me përkushtim për realizimin e detyrave të prodhimit. Gjatë viteve 1982–1984, emërohet zëvendëskryetar i Komitetit Shtetëror të Teknikës e të Shkencës dhe në periudhën 1984-1990, ka punuar në Institutin e Kërkimeve Biologjike në Tiranë.

Në vitin 1971 mori titullin “Profesor”. Në vitin 1972 merr pjesë ne themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i së cilës ishte deri në fund të jetës së tij. Për kontribut të talentuar në fushën e bujqësisë ai u nderua në vitin 1979 me “Çmimin e Republikës” për prodhimin e kultivarit të grurit “Dajti”. Në vitin 2002, Presidenti i Republikës i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”. Ai është shpallur gjithashtu “Qytetar Nderi” i Përmetit.

Prof. Mentori është angazhuar pa ndërprerje dhe si rrallëkush për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, duke dhënë një  kontribut  të çmuar e të vlerësuar kudo. Mbi 60 vjet të jetës se tij ia kushtoi veprimtarisë kërkimore-shkencore. Falë vullnetit të tij si shkencëtar, u bë e mundur që të siguroheshin farëra të cilësive të larta. Atij i takon merita për krijimin kultivarëve të grurit me rendiment të lartë, të cilët në strukturën e mbjelljeve në shkallë vendi, për një kohë të gjatë zinin rreth 60 për qind të sipërfaqes.

Akademik Mentor Përmeti ka lënë një pasuri të vyer në fushën e shkencës shqiptare. Në Bibliotekën Kombëtare dhe në bibliotekat e institucioneve të ndryshme shkencore gjenden mbi 40 tituj librash shkencorë. Pas dëmtimit të bibliotekës së Universitetit Bujqësor në vitin 1997, ai dhuroi fondin e bibliotekës së tij personale. Në vitin 2001 i dhuroi Bankës Gjenetike koleksionin e linjave të grurit të krijuara prej tij.

Në veprimtarinë e tij të gjatë e të suksesshme, ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të bashkëshortes e familjes së tij, si dhe të miqve e bashkëpunëtorëve të shumtë. Trashëgimia e tij si intelektual dhe shkencëtar do të jetë  model frymëzimi për brezat e ardhshëm të shkencëtarëve dhe specialistëve.

 

 

 

SHKARKO APP