Ikja e parakohshme e një talenti të rrallë

 Me një domethënie të padiskutueshme poeti i mirënjohur Përparim Hysi i ka kushtuar poezinë e “Kush e vrau poetin lirik, Viktor Qurku?!”, lirikut të paharruar.

Nga Nikolla Sudar

Mbase na është bërë shprehi për të thënë “ndonjë fjalë të mirë”, diku me sinqeritet, diku jo… sidomos për ata që largohen nga jeta. Por kjo nuk ka të bëjë me shokun tim të paharruar të rinisë, Viktor Qurku, që la gjurmë me krijimtarinë e tij poetike si dhe mbresa të paharruara në rrethin e vet shoqëror e më gjerë. Dhimbja për të mbeti deri në fund, edhe për faktin se ky largim qe tepër i parakohshëm,

Ne që patëm “fatin” për t’i shtyrë më gjatë ditët në zymtësinë e dikurshme të diktaturës, rrallëherë edhe me pak diell në to, na takon detyrimi moral të shkundim pluhurin e harresës të rënë prej dekadash mbi jetën dhe veprën e miqve tanë, ku bën pjesë edhe Viktor Qurku, më i thjeshti dhe më zemërbardhi midis shokëve,

 Me një sinqeritet të skajshëm, por me një talent të veçantë në poezi, ai jetoi dhe shkroi në atë periudhë kur censura komuniste herë-herë e kamufluar (por gjithnjë aktive) do t’ua rrallonte oksigjenin krijuesve, derisa mjaft prej tyre do t’i linte pa të.

 Ishte shtatori i vitit 1960 ku u njohëm me Viktorin si bashkëstudent në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës. Ishte kohë e çuditshme. Re të zeza kërcënonin vendin tonë për shkak të besnikërisë fanatike të udhëheqjes sonë ndaj markisëm-lenininzmit, ose më saktë për shkak të marrëzisë së saj në mbrojtje të diktatorit Stalin.

 Që në fillim më tërhoqi veçantia e këtij njeriu: fytyra e tij e qeshur që shprehte një naivitet fëminor, ai vështrim dashamirës e gjithmonë i menduar. Që në leksionet e para shkëlqeu Viktori midis grupit tonë prej katërmbëdhjetë studentësh të degës gjuhë ruse. Nuk i pëlqente të përgjigjej në mësim, por kur ishte e nevojshme, e folura e tij e rrjedhshme dhe e përsosur linte gojëhapur pedagoget sovjetike. Befasi për ‘to do të ishte edhe lirshmëria e tij për të shkruar poezi tepër të goditura edhe në gjuhën ruse.

 Shpesh herë, gjë që iu bë shprehi, ai nuk i ndiqte leksionet, por gjithmonë në tavolinën e fundit, me një bllok të vogël, zhytej në botën e vet krijuese, duke shkruar pa ndërprerje. Pasi u njohëm më nga afër, filloi të m’i lexonte mua poezitë e tij, të cilat pa përtuar edhe i deklamonte. Ndonëse në atë kohë isha i ri dhe pa përvojën e duhur në letërsi, poezitë e tij më befasonin me atë sinqeritetin dhe pathosin e tyre lirik. Fletët e shkruara gjatë ditës i sistemonte me shumë kënaqësi në mbrëmje. Shpesh herë orët e vona të natës e shihja shtratin e tij bosh dhe e gjeja ose duke lëvizur i vetmuar në korridor, apo i zhytur në krijimtari në dhomën e studimit, të shkëputur plotësisht nga gjithçka e rrethonte.

 Poezitë e tij tepër të ndjera, filluan të botoheshin si tek gazetat “Zëri i Rinisë, “Drita” dhe në organe të tjera. Ato ishin ditët më të lumtura për të. Sapo merrte honorarin, na blinte bileta për kinema apo teatër dhe na qeraste pa u kursyer.

 Poezia ishte shpirti i tij. Krahas poezisë shqipe së kaluar dhe asaj bashkëkohëse ai pëlqente shumë Esenin, poezitë e të cilit “më detyronte” t’ia dëgjoja kur i deklamonte me një seriozitet të çuditshëm. Gjithashtu vlerësonte lart Pushkinin, Lermontovin si edhe Nekrasovin, Shekspirin, Uitmanin, poetin rus të dashurisë, Shçipaçovin etj.. Me orë të tëra ai jepej pas leximit të letërsisë dhe, kur frymëzimi i tij materializohej në ato vargje kaq të sinqerta e të goditura, fytyra i shkëlqente nga lumturia dhe për një kohë të gjatë e shoqëronte buzëqeshja e tij karakteristike.

 Në atë kohë pedagoget tona sovjetike ishin të paharruarat Evgjenia, Figlina dhe, modeli i njeriut të vërtetë e me erudicion të gjerë, profesoresha e mrekullueshme, Ludmila Zoraqi. Dy të parat u larguan në vitin 1961, me shpresën e rreme se kontradiktat partiako-shtetërore do të zgjidheshin shpejt e ata do të ktheheshin përsëri. Por… ato zgjatën pafundësisht, për të keqen e të gjithëve, plot 30 vjet. Më kujtohet largimi i profesoreshë Evgjenisë, grua dashamirëse dhe shumë e përgatitur. Atë ditë që në mëngjes bashkë me Viktorin u ndodhëm në agjencinë “Aeroflot”, ngjitur me ish- Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Midis turmës së drejtuar tek autobusi që do t’i shpinte në aeroport ndodhej edhe ajo, e cila na përshëndeti nga larg.

 Ndonëse i mbyllur në atë botën e tij krijuese, ngjarjet e kohës e tronditën dhe sidomos ndërprerja e të gjitha marrëdhënieve me B.S dhe vendet e tjera socialiste, duke e izoluar plotësisht Shqipërinë. Ky qëndrim do të ngjallte trishtim të madh midis shumë intelektualëve. Shpesh Viktori më thoshte: “Kisha shumë dëshirë ta vizitoja Bashkimin Sovjetik, atë vend të pamasë, por ëndrra ime tashmë u varros përgjithnjë”. Ngushëllimin ai e gjente tek ai talent i rrallë dhe i pashtershëm. Midis krijuesve të rinj ai do të lidhej fort me një talent tjetër të shquar të kohës, me poetin e ri Musa Vyshka. Shpesh ata rrinin bashkë dhe diskutonin për letërsinë e për krijimet e tyre.

Viktori kishte dhunti edhe përkthimin. Ai kishte plane të veçanta edhe në këtë fushë. Mjafton të përmendim përkthimet e tij të përkryera të dy veprave nga rusishtja, kur akoma ishte student, si “E veja e Otarit” dhe “Laraska vjedhacake” për t’u bindur për aftësinë e tij edhe në këtë fushë.

Ishte korriku i vitit 1962, kur u ndamë me Viktorin; unë u emërova mësues në Shijak, kurse Viktori ndoqi edhe dy vite të tjera, duke e përfunduar fakultetin e gjuhës ruse. Më pas ai do të punonte si pedagog i kësaj gjuhe në këtë fakultet. Shpesh vija në Tiranë dhe e takoja Viktorin me të cilin shkëmbenim mbresat tona, pasioni i jashtëzakonshëm për letërsinë, krijimtaria e vet, por mbi të gjitha realiteti jashtëzakonisht mbytës i kohës e sfilitën dhe bënë Viktorin të kalonte në depresion… Në këtë gjendje të vështirë atij i ndenjën pranë shokët, sidomos Musai etj., por pikërisht të gjitha këto do të sillnin fundin e parakohshëm të këtij talenti të rrallë.

 Një fat të tillë të pikëllueshëm do të kishte edhe krijuesi tjetër i mrekullueshëm letrar, intelektuali i shquar që premtonte shumë, njeriu me kurajë të rrallë qytetare, i paharruari Faik Ballanca.

 U bë një kohë e gjatë që ata s’janë më midis nesh, por kujtimi i tyre na ndjek në gëzimet dhe hidhërimet tona. Në ato momente na duket sikur me atë sinqeritetin e tyre karakteristik na thonë: “Ju faleminderit që na kujtoni, sepse edhe ne ju kemi dashur shumë!”

 Me një domethënie të padiskutueshme poeti i mirënjohur Përparim Hysi i ka kushtuar poezinë e “Kush e vrau poetin lirik, Viktor Qurku?!”, lirikut të paharruar.

Kush e vrau Poetin lirik, Viktor Qurku?!

 (më tepër se një akuzë)

Kush e vrau Viktor Qurkun, shokun tim në Elbasan?

Kush e vrau poetin e bukur, kush e bëri, vallë, kurban?!

Kujt ai i bëri “hije”?Kujt ai i bëri dëm?

Kush për të u bë”hafije” që e hëngri me dhëmb?!

Qe lirik i pashok dhe përkthenjës qe i rrallë

Për partinë qe “qipllok”, qe “qipllok” a katallan

Tek përkthente, shqipëronte, si aksh të shkruante shqip

Një përkthim që ligjëronte dhe lexuesin veç e pikë.

Redaktor qe shumë serioz dhe, kur duhej, qe i rreptë

Ndaj dikush u bë “xheloz”, helmin lëshoi si akrep.

Hodhi gurin, fshehu dorën (se kush qe, shumëkush e di)

Nga inati, sa s’ha dorën, sepse hapur s’flet njeri.

Po vijnë anës e anës, emër. . . bëjnë sikur “harrojnë”

Nënën e Zeqos majë thanës, këta “hiçër” më kujtojnë.

Pse s’guxojnë që të flasin, t’i hiqen petët lakrorit

Këto mendime vijnë më ngasin dhe më dhëmb ikja e Viktorit.

Tërë mjedisin mbushin mjegull (bëjnë veç ca aluzione)

Sikur vdiq e ka një shekull (ca me iks, me ypsilone)

Ende s’u ka dalë frika edhe buzën t’ua kanë qepur

Më mirë le t’u bjerë pika, kot janë gjallë dhe kanë vdekur.

E vërteta: vranë Viktorin, ndaj u hodh mbi greminë

Ju që njihni fajtorin, pse s’tregoni faqezinë.

Le t’i çirret atij maska (le të jetë kush të jetë)

Se do t’i dhëmb më pak plaga, atje, tek prehet për jetë.

Nuk është vonë që “të qërosh qepën”, siç e bëri Gunter Grassi **

Miq, zbërthejeni “legjendën” që ndërgjegjja mos ju vrasi.

Hiqni “gurin” përmbi supe, që kaq kohë ju ka zënë frymën

Ndryshe, e pagofshi me turpe veç se doni të ruani”sqimën”.

Përparim Hysi:

 

SHKARKO APP