“Imago Mundi”, për herë të parë në Shqipëri

Për të parën herë, Shqipëria përfaqësohet në botë me një koleksion të plotë të artit pamor. Janë 163 artistë shqiptarë, të cilët i kanë dhënë jetë projektit “Nyje – Artistë bashkëkohorë shqiptarë”. Emra të shquar për kontributin e tyre, gjithashtu edhe një numër artistësh të rinj që e përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në ekspozita kombëtare apo ndërkombëtare, kanë zgjedhur të japin së bashku një portret kreativ të vendit dhe shoqërisë tonë.

Finalizimin e këtij projekti do ta paraqesë për publikun vetë zoti Luciano Benetton, në një konferencë për shtyp, në datë 21 prill, ora 11:30, salla kryesore e Hotel Sheraton. Të pranishëm do të jenë ambasadori italian në vendin tonë, zoti Alberto Cutillo, si dhe personalitete të artit e kulturës. Gazetarët do të njihen edhe me katalogun e printuar të veprave shqiptare, i cili është pasaporta e prekshme e artit të sotëm shqiptar.

Gjatë ditës së nesërme, Universiteti i Arteve do të nderojë Z.  Luciano Benetton me diplomën “Honoris Causa”, për “kontributin e shquar në promovimin, konsolidimin dhe integrimin e artit bashkëkohor shqiptar në hapësirën kulturore ndërkombëtare”. Ceremonia do të zhvillohet në datë 21 prill, ora 17:00, në sallën e koncerteve të këtij institucioni, me pjesëmarrjen e Z.  Benetton, titullarëve të Universitetit, figurave të njohura akademike dhe vetë artistëve pjesëmarrës në projekt.

Koleksioni “Nyje”, ashtu si çdo koleksion “Imago Mundi”, do të fillojë menjëherë rrugëtimin nëpër ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare, si Bienalja e Venecias, Bienalja e Marakeshit, dhe njëkohësisht punimet do të ekspozohen në galeritë më prestigjioze botërore, si NOMA në New Orleans. Pasi të ketë shërbyer si mjeti më i mirë promovues për secilin artist dhe artin tonë në përgjithësi, ai do të rikthehet në Shqipëri.

“Imago Mundi” është një projekt kulturor i ideuar dhe mbështetur nga “Fondazione Benetton Studi Ricerche”. Qëllimi i projektit është të krijojë një hartë sa më të gjerë të zhvillimeve të sotme artistike në botë, falë përfshirjes vullnetare të artistëve të mirënjohur dhe të rinj nga vende të ndryshme. Sot numërohen mbi 18.000 artistë, nga thuajse 100 shtete, që kanë paraqitur kulturën njerëzore të cilës i përkasin dhe kështu janë bërë pjesë e trashëgimisë botërore të “Imago Mundi”.

Të gjitha imazhet e veprave janë në dispozicion të shtypit. Për kërkesë dhe për informacione të mëtejshme kontaktoni:

Në Itali:

Martina Fornasaro

Marrëdheniet me publikun në Imago Mundi – Luciano Benetton Collection

+ 39 338 6233915

martina.fornasaro@imagomundiart.com

Në Shqipëri:

Erion Ndreçka

PR Imago Mundi in Albania & EJAlbum

+ 355 68 2052536

endrecka@gmail.com

SHKARKO APP