Imunoplazma, terapi shpresëdhënëse kundër Covid 19
Deri në zbulimit e vaksinës kundër koronavirusit, spitalet në disa vende të botës, mes tyre Gjermania, po shfrytëzojnë terapinë me plazmë gjaku për trajtimin e sëmundjes infektive. Ajo u merret pacientëve të diagnostikuar më herët me Covid-19.
Plazma e gjakut e pacientëve të shëruar nga koronavirusi po shihet si kurë alternative për të sëmurët e tjerë pasi përmban antitrupat e duhur.
Metoda e testuar fillimisht në Kinë, po praktikohet në shumë spitale në mbarë botën, dhe raportohet se ka shëruar disa nga rastet serioze me Covid-19.
Ky trajtim është përdorur edhe për sëmundjet e tjera të transmetueshme, si Sars 1, Mers apo Ebola.
Disa klinika gjermane dhe zvicerane tani po kërkojnë ish-pacientë që kanë fituar imunitetit nga koronavirusi që të dhurojnë plazmën e tyre.
“Antitrupat lidhen direkt te virusi dhe duke qenë specifikë për këtë sëmundje, janë edhe terapia e vetme që kemi në dispozicion për momentin. Nga raportet shkencore shohim se ky trajtim shkurton periudhën e sëmundjes dhe zbut simptomat,” tregon Holger Hakshtajn, shefi i repartit të transfuzionit në spitalin universitar gjerman të Erlangenit.
Pas apelit të javës së kaluar, spitali i tij brenda pak ditëve mori më shumë se 200 aplikime për dhurim plazme nga personat e prekur më parë.
Dozat me sasi plazme nga 200 në 600 mililitër testohen kundër sëmundjeve ngjitëse, dhe më pas u injektohen pacientëve nëpërmjet enëve të gjakut.
“Ka shumë studime që tregojnë se plazma ndihmon në të tilla raste. Megjithatë ajo duhet të ketë cilësi të larta dhe ka edhe disa efekte anësore, por unë besoj se kjo qasje e re është shpresëdhënëse,” deklarohet nga instituti gjerman për kontrollin e sëmundjeve.
Në Gjermani, trajtimi me imunoplazmë parashikohet të rritet tani që janë me mijëra personat që e kanë kaluar përvojën me sëmundjen e rrezikshme.
Pandemia e Covid-19 në vend ka prekur mbi 113 mijë persona dhe ka vrarë mbi 2,300 të tjerë, një nga bilancet ende më të ulëta të vdekshmërisë krahasuar me shtetet, si Italia, Spanja apo Franca, që e kanë kaluar secila shifrën e 10 mijë viktimave.