In Memoriam, Profesorit Aleksandër Stipçeviç

Shqiptarët, më të interesuarit për Ilirët

Me anën e kësaj pjese interviste ekskluzive që është botuar tek JAVANews kujtojmë ilirologun më të njohur të kohës sonë, arbanasin Aleksandër Stipçeviç, që ndërroi jetë në fillimjavë.

Nga Ben Andoni

Profesori kroat me origjinë shqiptare Aleksandër Stipçeviç gëzonte shëndet të mirë atë kohë. Jemi të zhvendosur 10 vjet të shkuara, kohë kur i ndjeri gëzonte ende shëndet të mirë dhe ishte vital në punën e tij. Shkas për takimin ishte botimi për herë të parë në Shqipëri i librit “Ilirët” nga ‘TOENA”, që pati përcjellje të mirë në vend, por që tregoi nga ana tjetër për publikun e gjerë dhe sinteza tepër interesante për ilirologjinë, të bëra nga një prej studiuesve më të njohur të saj. Profesori ishte pinjoll i njërës prej atyre dhjetëra familjeve të Mbi-Shkodrës, që u zhvendosën para treqind vjetësh në bregdetin Dalmat. Z.Stipçeviç kishte një ide të tijën sepse shqiptarët zgjodhën periferinë e qytetit antik të Zarës, që në mos gabojmë e lidhte me disa veçori të përbashkëta të vendit nga ku ishin shpërngulur. Në këtë vazhdë shpjegonte se arbanasit, si i njohën vendasit, nuk qëndruan nostalgjikë, por punuan të integroheshin realisht dhe jo më kot Raguza  u njohu bajagi të drejta. Pas një fare kohe i futi krejt nën juridiksionin e vet me të drejta të plota.

Atëkohë, për shkak të kohës së kufizuar, u munduam të mbahemi tek libri dhe na bënte përshtypje një frazë e tij: Ilirët përbënin një qytetërim shumë interesant, por kjo nuk u shndërrua asnjëherë në civilizim të mirëfilli. Duke u përpjekur të zgjidhnim këtë drejtuam një bisedë të gjatë me të. Ku shpesh do mbeteshe i pagojë përballë njohurive dhe sintezave të mrekullueshme të profesorit. Kuptohet se do i shmangej kohës së luftës, por edhe tezave ballkanike të vazhdimësisë.

 Në shqip, falë “TOENA”-s ne e kemi sot me “Ilirët” dhe “Historinë e librit”, ku në këtë të fundit, ai u përshfaq edhe si sociolog i librit. Anipse, gjërat që na lidhën në këtë intervistë veç studimeve ilire mbetej gjuha dhe kultura e arbanasve  dhe një moment na tregonte se megjithëse e kish humbur gjuhën dinin të komunikonin në gjuhën e tyre të vjetër. Tek profesori, si në shumë prej studiuesve të vjetër i këndshëm s’ishte vetëm kapaciteti por edhe dimensioni human, që shkonte me modestinë natyrale. Profesor Stipçeviç e kishte të gjallë respektin, por edhe vazhdonte të bënte përpjekje që studimet ilire t’i ngjiste në shkallët më të mundshme. Jam i interesuar, na tha “…për nevojën e organizimit të një konference ndërkombëtare mbi Ilirët, ne kemi folur pikërisht këto ditë në Zagreb (viti 2005). Në fakt të gjithë janë koshientë për këtë nevojë, pasi shumë probleme janë pjekur për t’u diskutuar në një konferencë të organizuar mirë ilirologjike. Mbi të gjitha duhet thënë se rezultatet arkeologjike kanë bërë hapa të mëdhenj në dekadat e fundit. Ndërkohë që janë impostuar probleme të tjera për etnogjenezën e ilirëve, të ekspansionit të tyre gjeografik, por në një mënyrë të veçantë, gjithmonë të nxehtë, të mbetjeve të ilirëve në civilizimin e ditëve tona të Ballkanit”.

Stipçeviç do mbahet mënd si studiues i teorisë së arkeologjisë, bibliografisë, eseistikës, albanologjisë. Nëse do jetonte më 10 tetor (lindur 1930) do të ishte 85-vjeçar. Kishte mbaruar shkollimin e mesëm në Zarë, kurse studimet në lidhje me arkeologjinë i përfundoi më vitin 1954 në Zagreb. Doktoraturën e mbrojti shkëlqyer më 1977 në temën “Simbolizmi religjioz te ilirët “ dhe ligjëroi në Universitetin e Zagrebit nga viti 1971 derisa mbushi periudhën e pensionit më vitin 1997. Intervista u zhvillua në gjuhën italisht, njërën prej gjuhëve që ai e njihte mirë dhe me të cilën kishte shkruar disa nga librat e veta. Biseda mbeti për një intervistë të gjatë, por që s’u bë dot më asnjëherë. Po botojmë një pjesë të saj, në shenjë nderimi, për këtë figurë të madhe, që sot i ka lënë një humbje të madhe studimeve ilire…Për fat, Stipçeviç është dekoruar së fundmi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Bujar Nishani, president i Republikës së Shqipërisë.

“Ilirët”, libri juaj botuar nga TOENA, ka qenë për shumë kohë i pritur nga mjedisi akademik i Shqipërisë. Çfarë do të thotë për vetë Dr Stipçeviç, nderimi që i bëjnë shqiptarët veprës së tij dhe problemit ilir në veçanti?

“Si autor nuk do të isha vetëm shumë i kënaqur por edhe krenar të ndjej se libri im “Ilirët” është ribotuar në shqip dhe se në botën shkencore janë shumë të interesuar për ta lexuar. Dua të theksoj se ky edicion nuk është i pari në gjuhën shqipe. Përkthimi i parë është bërë nga profesor Zef Mirdita është publikuar në Prishtinë në vitin 1967, domethënë vetëm një vit më pas shfaqjes nga origjinali, që është shkruar direkt në italisht për botuesin “Saggiatore” të A. Mondadorit të Milanos. Kur në vitin 1974 libri ka dalë në kroatisht në Zagreb versioni më i zgjeruar i librit edhe ky edicion është përkthyer në shqip nga kolegu Nazmi Rahmani dhe është publikuar në Prishtinë nga e njëjta shtëpi botuese“Rilindja”. Me sa duket libri është pëlqyer jo vetëm nga specialistët, por edhe nga një publik i gjerë, sepse në vitin 1990, ka dalë nga e njëjta shtëpi botuese në Prishtinë “Rilindja” botimi i tretë i librit. Ndërkohë libri ka pasur edhe dy botime të zgjeruara në kroatisht (1989-1991) dhe një përkthim në anglisht në vitin 1977, që është shtypur nga “Noyes Press” në Park Ridge në SHBA. Edicioni, që është botuar tani nga TOENA, është me sa duket edicioni i katërt në gjuhën shqipe, ndërsa tamam është botimi i nëntë i librit. Duhet të them se është përgatitur edhe edicioni katërt në gjuhën kroate, që do të përbëjë kështu botimi i dhjetë i librit në katër gjuhë. Në fakt, deri tani, numri më i madh i botimeve ka qenë në gjuhën shqipe dhe kjo demonstron që shqiptarët janë më të interesuarit për ta lexuar. Meqenëse është shtypur me botime elegante është evidente se nuk ka qenë vetëm për specialistët, por tek të gjithë që janë të interesuar për Ilirët si një popull antik nga të cilët kanë origjinën e tyre shqiptarët e ditëve tona”.

 

“Arti ilir”, me sa dimë, është botuar në serbisht, italisht dhe anglisht, vite të shkuara. A ia vlen sipas jush, që me zhvillimet e fundit, dhe me lehtësimin e komunikimit të studiuesve mes vendeve ballkanikë, ku ka qenë e shtrirë Iliria, të ribotohet duke pasqyruar edhe këto zhvillime edhe në shqip?

“Libri im ‘Arte degli Iliri’ ka qenë libri im i parë që ka trajtuar civilizimin ilir dhe kjo është arsyeja pse është shumë i dashur, por ky libër është shkruar në italisht dhe pastaj është përkthyer në anglisht e botuar nga Shtëpia Botuese “Il Milione” në vitin 1963, por duhet të ribëhet. Shumë gjëra ndërkohë kanë ndryshuar në këto katër dekada dhe të gjithë gjetjet e reja duhet të merren në konsideratë për një botim të ri të ribotuar”.

SHKARKO APP