Inagurohet Qëndra Kulturore Shqiptare në Athinë (FOTO)

Deri dje ëndërr- sot realitet.  Ditën e shtunë, më dt. 24 Janar- 2015, në orën 12:00 u inagurua Qëndra Kulturore Shqiptare në Greqi që ndodhet në adresën Kapodhistriu 38 & 3 Septemvriu, pranë sheshit Omonia, në Athinë.

Merrnin pjesë Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Athinë, Dashnor Dervishi, përfaqësues nga Bashkia e Athinës, përfaqësuesi i Partisë “KINIMA”Mihalis Kahimakis, nga Periferia e Atikës Ilias Xronopulos, Drejtoresha e UNESCO-s për Pireun dhe ishujt Gjeorgjia Parasko, Presidenti i veteranëve të Olimpiakosit Nikos Sidhiropulos, përfaqësues nga fondacioni “Nermin Vlora Falaski”, . perfaqësues i minoritetit grek, Jorgo Triha, ndermjetësi kulturor pranë Periferies së Atikës Fatos Malaj, ish-kryetarët e Federatës Novruz Abilekaj, Jovan Mëhilli e Ilia Thaka si dhe drejtues e anëtarë të shoqatave anëtare në Federatë . Gjithashtu nxënës te klasave të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, asaj angleze e greke, grupi “Zëri i Vendlindjes” , grupi i valleve “Shqiponjat”, futbollistët e Kombëtares së Komunitetit e dashamirës të Federatës që patën dëshirën dhe mundësinë të shohin nga afër këtë arritje të sajë.

Veprimtaria u ndoq nga gazetarët e shtypit te shkruar dhe viziv shqiptar, Robert Goro, Kujtim Vani, Ilia Poci , Ilia Thaka, Abdurrahim Ashiku.

Në një atmosferë vërtet festive Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Greqi z. Dashnor Dervishi i shoqëruar nga Krye tari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi z. Etmond Guri, preu shiritin e inagurimit të Qëndrës Kulturore Shqiptarë në Greqi të servirur nga dy fëmijë të veshur me kostume tradicionale shqiptare.

Ky moment u shoqërua me brohoritje, duartrokitje, urime ,fotografi takime e përqafime. Ky moment bëri realitet ëndrrën shumëvjeçare të gjithë shqiptarëve për të patur një vatër të kulturës shqiptare në Athinë. Ky moment la pas epokën e përpjekjeve për realizimin e kësaj ëndrre dhe i hapi rrugë të reja zhvillimit dhe prezantimit të kulturës shqiptare në Greqi.

Në vazhdim një prezantim i ambienteve të Qendrës Kulturore për të pranishmit nga Kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi z.Etmond Guri, duke filluar me klasën e gjuhës shqipe. Fëmijët e kësaj klase përshëndetën më vjersha ndërsa mësuesja e tyre Amarda Ekmekçiu i prezantoi ata me kënaqësinë dhe krenarinë që mund ta ketë një mësuese kur dëgjon dhe shijon punën e saj për gjuhën e ëmbël shqipe.

Në sallën e veprimtarive, Elona Gjergo bëri një prezantim të aktiviteteve të shumëllojshme që zhvillohen në Qëndrën Kulturore Shqiptare.

Kryetari i Federatës , Etmond Guri pershëndeti uroi, falenderoi të gjithë kryesinë që ai drejton për punën e bërë në realizimin e qëllimit dhe u shpreh: “ Jam me fat që jam unë Kryetar në këtë moment historik kur ne, së bashku, inagurojmë Qëndrën Kulturore Shqiptare në Greqi”.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Athinë Dashnor Dervishi pas urimeve dhe kënaqësisë së prezencës, përgëzoi Federatën dhe gjithë stafin drejtues të saj që arritën më në fund të bëjnë ëndrrën realitet dhe sidomos më këtë mënyrë, pra duke e realizuar vetë. Kështu ka shumë më shumë vlerë. Kjo tregon që ju punoni shumë e mundeni shumë . Me këto fjalë z. Dervishi, mbylli fjalën e tij përshëndetëse.

Përfaqësuesi i partisë “KINIMA”, z.Mihalis Kahimakis pasi uroi dhe falenderoi për ftesën, shprehu kënaqësinë e pranisë së tij në inagurim, falenderoi për kontibutin e dhënë në ekonominë dhe shoqërinë greke të komunitetit shqiptar në Greqi dhe u shpreh se në të ardhmen kjo Qëndër Kulturore që sot inagurohet, do të ndihmojë në prezantimin më të mirë të kulturës shqiptare tek ne. Në vazhdim ai lexoi përshëndetjen e Kryetarit të partisë “KINIMA” z. Jorgo Papandreut ku ndër të tjera thuhej:

“Me rastin e çeljes së “Qendrës Kulturore Shqiptare”, dëshiroj t’ju dërgoj një përshëndetje të ngrohtë. Është e mrekullueshme që shoqatat tuaja të kenë një shtëpi të përbashkët, një vatër për kulturën dhe artin. Kultura dhe arti i mbajnë gjallë rrënjët tona si dhe krijojnë mundësi për t’u takuar dhe shkëmbyer mendime.

Greqia dhe Shqipëria kanë lidhje të ngushta historike dhe miqësi të ngushtë tradicionalisht. Ju, qytetarët që erdhët nga Shqipëria në vendin tonë, jeni një forcë e veçantë, e fuqishme dhe shumë produktive e shoqërisë tonë. Shumë herë ju u patë me mëdyshje dhe paragjykime. Por, duke punuar fortë, me meritë ia dolët të fitoni një vend në atë që ju e quani Mëmëdheu i Dytë. Sot, në këtë kohë krize është shumë i rëndësishëm kontributi juaj ekonomik në jetën e vendit”.

Drejtoresha e UNESCO-s, Gjeorgjia Parasko, uroi dhe shprehu besimim se tashmë jepet mundësia që të njihet dhe më mirë kultura shqiptare për të cilën, për fat të keq dhe për fajin tonë, nuk njihet aq sa duhet. “Kam vënë re në veprimtaritë tuaja që keni këge e valle shumë të bukura, kostume të shkëlqyera, muzikë e gjuhë shumë të bukur e interesante, kemi dhe shumë të përbashkëta por dhe të veçanta ndërmjet dy kulturave, të cilat duhen zbiriluar e nxjerrë në pah…”, u shpreh ajo.

Më pas, përshëndeti dhe përfaqësuesi i drejtorisë së periferisë së Atikës, Z. Ilias Xronopulos. Në fjalën e tij përveç përgëzimeve e urimeve, theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Federatës dhe drejtorisë të cilën ai drejton dhe shprehu gatishmërinë e tij për të qënë gjithmonë pranë komunitetit shqiptar në Greqi.

Z. Novruz Abilekaj, kryetari i parë i Federatës, përshëndeti duke thënë moton e këtij inagurimi: “ Ishte ëndërr, u bë realitet”!

Pas fjalëve përshëndetëse rradhën e morën tingujt e çiftelisë dhe zërat e mrekullueshëm të grupit “Zëri i Vendlindjes”, të cilët shoqëruan deri në fund atmosferën festive të inagurimit.

Në këto ambjente mësohet gjuha shqipe, gjuha angleze dhe ajo greke nga rreth 200 nxënës, pa asnje kosto. Aty do bëhen promovime librash e mbremje poetike, ekspozita pikture e prova teatrale, ku tingëllon melodia e çiftelisë si në bjeshkë dhe zërat melodiozë të këngës labe, ku të rinjtë shqiptarë mësojnë e shfaqin vallet e bukura shqiptare, ku është një bibliotekë me mbi 1000 libra kryesisht të autorëve shqiptarë në Greqi dhe ku gjejnë strehë gjithë shoqatat anëtare të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi.

SHKARKO APP