Industria turistike dhe ekspertët kërkojnë hapjen e turizmit rajonal
Shalsi në Përballë: “Po punojmë me disa skenarë për hapjen e aktivitetit turistik”
Turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia Covid-19 dhe për përfaqësuesit e kësaj industrie 2020-ta është vit mbijetese. Zak Topuzi nga shoqata shqiptare e turizmit, i ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, tha se industria turistike ka dy javë që pret një datë për hapjen e sezonit.
“Rasti më i mirë do jetë turizmi rajonal. Jemi në fazën e përgatitjes. Protokolli i vënë ka pengesa, ka kosto shtesë por më e rëndësishme hotelet dhe baret do të punojnë me stafe të reduktuara dhe staf të kualifikuar. E gjitha kjo do të sjell të papunë dhe ketë kosto të shtuar. Por nuk mendoj se do ketë rritje të cmimeve. Pasi turizmi bazë do jetë ai rajonal apo ai i brendshëm. Dhe në jemi të përgatitur për vit mbijetese, në këto kushte pretendojmë të ketë lëvizje, turizëm. Kemi dy javë që kemi kërkuar dhe vazhdojnë bisedimet për të hapur sektorin e turizmit rajonal. Por problemi është që duhet të marrim masa për të filluar. Ne duam një datë hapje, duam angazhimin e pushtetit vendor dhe policisë që biznesi të organizojë plazhet. Duhet starti urgjent, pastaj data të jetë edhe e diskutueshme, por duhet starti që ne të bëhemi gati. Të na lejojë policia, të lejohet lëvizja.” – theksoi Topuzi në Përballë.
Në përgjigjë të kësaj kërkese ministri i shtetit për sipërmarrjen Eduard Shalsi tha se qeveria ka disa skenarë për hapjen e aktivitetit turistik por pa përmendur një afat konkret për hapjen e sezonit.
“ Po mendojmë se si do të fillojë aktiviteti turistikë dhe po punojmë me disa skenare. Po ndjekim me shumë vëmëndje edhe hapjen e kufijëve si dhe mënyrën se si do të lëvizin njerëzit, po përgatemi për skenarin e turizmit vendas, po shohim ndërkohë se cfarë do të ndodh me linjat ajrore, lëvizshmërinë.” – theksoi Shalsi në Përballë.
Ndërkohë ekspertët e ekonomisë gjykojnë se koha është elementi më i rëndësishëm për sektorin.
“Unë gjykoj se elementi më i rëndësishëm është koha. Vende që i kemi konkurrentë në këtë fushë shumë shpejt janë gati të projektojnë edhe hapjen. Po ashtu për ne është e nevojshme një hapje rajonale, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Problemi më i madh që shoh unë për sektorin është parashikimi, sepse asnje nuk pushon në caste të fundit. Është një shpenzim i rëndësishëm për familjet dhe programohet.” – tha eksperti i ekonomisë Gent Beqiri në emisionin Përballë.