Infantilizimi i politikës

Nga Arbër Zaimi –

Qeveritarët shqiptarë, në Shqipëri e në Kosovë, e shohin popullin e tyre si foshnjë a fëmijë, dhe veten si qeveritarë fëmijësh, veç pak më të mençur se fëmijët e tjerë.

Në përputhje me vizionin e tyre pervers, këta fëmijë-pushtetarë kanë synuar vazhdimisht vetëm dy gjëra:

  1. a) të gjejnë prindër a kujdestarë adultë të cilëve t’ua transferojnë shumicën e vendimmarrjeve dhe agjencive vetjake që nuk mund t’i ushtrojë një i mitur;
  2. b) të plotësojnë sa më shpejt e sa më shumë gjithë dëshirat e tyre fëminore për konsum, pa u menduar fort se ç’çmim kanë, si paguhen e a paguhen.

Me të arritur këto dy synime: a) gjetjen e babit amerikan dhe nënës bashkimevropianase; dhe b) plotësimin e dëshirave të veta prej fëmije të përkëdhelur duke shitur pasuritë e trashëguara publike dhe përgjithësisht duke vjedhur prej vendit e popullit të vet – pushtetarët fëminorë mendojnë se kanë arritur parajsën.

Puna është se dy faktorë të tjerë e shqetësojnë së fundi parajsën e pushtetarëve mendjefoshnjë: a) fakti se vendet dhe popujt e tyre nuk janë më vende të mitura e popuj të parritur dhe pas dekadash demokraci, pluralizëm dhe ekonomi tregu, nuk mund të flitet më për tranzicion por për maturim të një forme shoqërore e shtetërore të ngjashme me vendet e dështuara të jugut global dhe b) fakti se babi e mami po përballen me krizë ekonomike tash e dhjetë vite, gjë që ka prodhuar probleme të mëdha në jetën e tyre intime e bashkëshortore, kështu që tashmë nuk kanë kohë, para dhe nerva të merren me përkujdesjen për bijtë e tyre që edhe pse janë adultë kanë qejf ta mendojnë veten si minorenë.

Prindërit po i nxjerrin shqiptarët të përballen me realitetin politik, mes vendeve sovrane që kanë me njëra tjetrën marrëdhënie të ndikuara nga raporti mes ekonomive, ushtrive, zhvillimit kulturor e shkencor, burimeve natyrore etj.

Si do të shkojë ky eksperiment? Sigurisht që keq, për sa kohë që shqiptarët nuk tregojnë se janë popull i rritur. Si tregohet kjo? Duke i larguar pushtetarët vetëfëmijërues, dhe duke zgjedhur politikanë të pjekur, të përgjegjshëm, që dinë e duan të zhvillojnë ekonominë, të ndërtojnë ushtrinë, të avancojnë kulturën e edukimin, të ruajnë burimet natyrore, e mbi të gjitha të mos jenë skllevër të dëshirave të pafiltruara e banale, siç janë përgjithësisht fëmijët.

 

SHKARKO APP