Inovacioni, të fundit në Europë – Na “parakalon” Maqedonia e Veriut, jemi të 83-tët në botë ndër 129 ekonomi

Shqipëria vijon të mbetet në vendin e 83-të në botë, si dhe e fundit në rajon e Europë sa i përket inovacionit. Raporti i sapo publikuar nga Universiteti Cornell, “Insead” si dhe “Organizata Botërore për pronësinë intelektuale (WIPO)” tregon se, Shqipëria renditet në vendin e 83-të në botë ndër 129 shtete, sa i përket Indeksit Global të Inovacionit. Paçka se, ka fituar disi në pikëzimin e përgjithshëm, në raportin e këtij viti, vendi ynë ka zbritur në pozicionin e fundit në Europë, duke i zënë vendin Maqedonisë së Veriut, që ka bërë një kapërcim të ndjeshëm në renditje.

Indeksi global i Inovacionit, që këtë vit ka si temë kryesore inovacionin në shëndetësi, tenton të masë nivelin e inovacionit në ekonomitë e ndryshme të botës. Kështu, Shqipëria është shumë prapa në renditje, jo vetëm krahasuar me rajonin dhe kontinentin e vjetër por edhe me vende të cilat në perceptimin tonë janë shumë më pak të zhvilluara, kryesisht vende afrikane apo të Amerikës qendrore a Azisë jug-lindore.

Indeksi përllogaritet mbi bazën e 7 nën-indikatorëve të tjerë, dhe ai që i referohet sofistikimit të tregut dhe ai i institucioneve regjistrojnë performancën më të mire. Indikatorët e sofistikimit të biznesit dhe të dijes e teknologjisë regjistrojnë performancën më të dobët.  Në nivel global, në vend të parë, si ekonomia më inovative në botë qëndron Singapori, ndjekur nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ SCAN

SHKARKO APP