INSTAT: Të huajt në Shqipëri për trajtim mjekësor

Mbi 6.4 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në vendin tonë në vitin 2019, duke pësuar një rritje të ndjeshme me 8.1% krahasuar me vitin 2018 kur ky numër ishte 5.9 milionë të huaj. Nga ana tjetër vitin që shkoi është rritur edhe numri i personave që kanë dalë nga vendi me 7.1% ose konkretisht shifra arriti në 5.6 milionë shtetas shqiptarë. Në këto të dhëna përfshihen të gjitha hyrje-daljet e një individi, pra nëse një shtetas hyn dhe del nga vendi 5 apo më shumë herë ai numërohet si 5 individë.

Hyrjet e shtetasve të huaj më së shumti kanë pasur qëllim turizmin por një rritje me 138% kanë pësuar hyrjet e huaja me qëllim trajtimin shëndetësor. Sipas INSTAT situata e krijuar pas tërmetit nuk ka ndikuar tek shtetasit e huaj dhe që kryesisht janë turistë, pasi vetëm në muajin dhjetor 2019 në vend kanë hyrë 288.708 shtetas të huaj duke pësuar një rritje me 2,9 % krahasuar me 2018, por vihet re një fakt tjetër se në këtë muaj më shumë shtetas të huaj kanë dalë nga vendi sesa kanë hyrë.

Ashtu siç edhe parashikohej në muajin dhjetor numri i qytetarëve shqiptarë që kanë dalë jashtë vendit arrin në 485 mijë, ndikuar edhe nga tërmeti dhe paniku që u shkaktua tek qytetarët pas lëkundjeve të nëntorit. Kosova, Greqia dhe Maqedonia e Veriut janë shtetet me numrin më të lartë të qytetarëve të hyrë në vend në muajin dhjetor, ndërsa për periudhën vjetore Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 18,2 % ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 13,9 %.

SHKARKO APP