Instituti gjerman: Infeksionet në spitale, vdekjeprurëse
Një studim i ri i Institutit Robert Koch në Berlin ofron shifra shokuese: Nga infeksionet që merren në spitale, humbasin jetën në Gjermani më shumë pacientë, se sa është menduar deri tani.
Nga Deutsche Welle
Frika që ekziston për infeksionet që mund të merren, kur shtrohesh në spital nuk është më kot. Mendohet, se në Gjermani çdo vit humbasin jetën 20.000 vetë për shkak të ashtuquajturave infeksione nosokomiale, ka bërë të ditur Instituti Shkencor Robert Koch, RKI në Berlin.
Në bazë të një studimi të mëparshëm, kjo shifër llogaritej me 10.000 deri në 15.000 raste vdekjeje në vit. Për studimin e publikuar në revistën “Eurosurveillance”, janë marrë në shqyrtim pesë infeksionet kryesore që përbëjnë afër 80% të rasteve të infektimit në spitale: bronkopneumoni, infeksione plagësh, infeksione urinare, infeksione nga përhapja e mikrobeve në qarkullimin e gjakut, (septicemia) dhe infeksionet me bakterin „Clostridium difficile”.
Rastet e vdekjes nga këto infeksione janë shumë të vështira për t’u provuar, sepse shumë pacientë kanë pasur edhe sëmundje të tjera bazike, që edhe pa infeksionet në spitale mund të çonin në vdekjen e tyre, thekson RKI.
Qindra mijëra të infektuar
Autorët e studimit, gjykojnë, se në Gjermani çdo vit vuajnë nga infeksionet e marra në spital 400.000 deri në 600.000 pacientë. Megjithatë numri i pacientëve që gjatë kohës së shtrimit në spital në Gjermani marrin një infeksion është afër 3,6%, nën mesataren europiane, (5,5%), thekson Instituti Robert Koch.
Nëse merret në konsideratë numri i infeksioneve të tilla për 100.000 banorë, atëherë Gjermania qëndron më keq se mesatarja europiane, thekson RKI. Krahas një kontrolli më efektiv të infeksioneve dhe masave parandaluese, instituti ka edhe këtë këshillë: në rast, se nuk është e nevojshme patjetër, mos u shtroni në spital.