Inva Mula sjell “Pagliacci”-n në versionin tiranas

 

“Historia e Nedda-s mund të jetë edhe ajo e çdo vajze shqiptare ku fatkeqësisht jeta nuk ka vlerën që meriton dhe ajo mund të merret nga burri, i dashuri, ish-bashkëshorti.

Publiku mbas kësaj shfaqjeje do dalë duke reflektuar. Ne sjellim një mesazh kundër dhunës ndaj gruas, çmojeni atë, nënën, motrën, gruan dhe vajzën shqiptare, vetëm kështu do rrisim breza që do të kontribuojnë në emancipimin e shoqërisë sonë.

Një skenografi me Tiranën kaotike dhe një mesazh i aktualizuar për t’i thënë ndal dhunës ndaj gruas. Kjo është atmosfera që sopranoja e famshme, Inva Mula ka krijuar si regjisore e operas “Pagliacci”, e cila vjen premierë më 31 maj në skenën e TKOB. Sopranoja shqiptare me famë botërore ka vendosur që të interpretojë falas për publikun, duke ia dhuruar buxhetit të TKOB të gjitha të ardhurat nga shfaqja në të cilën është edhe regjisore.

 

Debutimin e saj si regjisore ka vendosur ta bëjë me një vepër, me të cilën lidhjet i ka shumë shpirtërore. Prindërit e saj, Avni dhe Nina Mula u njohën pikërisht ndërsa interpretonin në operan “Pagliacci” .

“Unë vetë jam një produkt i operas ‘Pagliacci’. Dikur në Konservatorin ‘Tchaikovsky’ të Moskës studentët e kantos vendosnin në skenë këtë opera dhe dy të rinj u dashuruan gjatë duetit të Nedda-s dhe Silvios, por me ndryshimin që ngjarja nuk rrodhi si në opera, por në një dashuri të madhe nga ato më të bukurat dhe pasionantet ku dy të rinjtë, studentë vazhduan ta përjetonin jo vetëm në opera, por në 55 vitet që jetuan së bashku.

Nuk e di nëse unë zgjodha për të vendosur në skenë këtë opera, apo ajo më zgjodhi mua, për të mos qenë vetëm interpretuese, por për ta konceptuar atë si një ngjarje në rrugët e qytetit tim të lindjes”, – kështu shprehet sopranoja me famë botërore, Inva Mula, e cila kthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit jo vetëm si interpretuese, por edhe si regjisore.

Një domosdoshmëri artistike e ka quajtur Inva Mula vendimin e saj për të qenë regjisorja e operas “Pagliacci”.

Gjatë provave, të cilat nisën ditën e djeshme në ambientet e TKOB-it, vihej re edhe prania e Avni Mulës, i cili shoqëron të bijën në këtë herë të parë si regjisore.

“Historia e Nedda-s mund të jetë edhe ajo e çdo vajze shqiptare ku fatkeqësisht jeta nuk ka vlerën që meriton dhe ajo mund të merret nga burri, i dashuri, ish-bashkëshorti.

Publiku mbas kësaj shfaqjeje do dalë duke reflektuar. Ne sjellim një mesazh kundër dhunës ndaj gruas, çmojeni atë, nënën, motrën, gruan dhe vajzën shqiptare, vetëm kështu do rrisim breza që do të kontribuojnë në emancipimin e shoqërisë tonë”, – përçon mesazhin sopranoja, e cila ka vendosur të bëjë një përshtatje me aktualitetin shqiptar, duke sjellë një skenografi të Tiranës kaotike e me ngjyra. Gjithçka është e ideuar për të sjellë në skenë pjesë nga jeta e grave shqiptare. Skenografia është konceptuar me detaje, të cilat do të shërbejnë për të plotësuar skenat masive dhe për të transmetuar mesazhin që vepra përcjell.

Edhe pse historia origjinale është e vendosur në një fshat në jug të Italisë, ngjarjet në këtë produksion transferohen në një lagje të Tiranës për të thënë se mesazhi i veprës është i tillë që nuk njeh kufij dhe as kohë. Ajo çka dëshiron është që në fund, spektatori të dalë me një mesazh ndërgjegjësimi, i emocionuar. “Nuk mund të vija me regji klasike të një vepre klasike që luhet kudo, në çdo teatër. Duke parë ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri, jam frymëzuar nga gazetat, frymëzimi i shfaqjes që kërkojmë të gjejë spektatori është pikërisht kjo dhunë ndaj femrës shqiptare dhe një ditë i duhet thënë Jo! Këtë duhet të përçojmë”.

Inva Mula do të ngjitet në skenë në rolin e protagonistes Nedda-s. Krahas Mulës, këtë rol do ta interpretojë edhe sopranoja e njohur shqiptare, Mariana Leka.

Në rolin e Canio-s ngjiten Walter Fraçaro, Davide La Verde, Tonio interpetohet nga Gocha Abuladze dhe Ylber Gjini, Silvio nga baritoni shqiptar, Armando Likaj, ndërsa Arlekini nga Klodjan Kaçani, Denis Skura, Ogert Islami, Erlind Zeraliu etj.

Regjisorja Inva Mula, edhe pse shpesh kjo opera është interpretuar së bashku me Operën "Cavalleria Rusticana" të Mascagani-t, në këtë produksion e ka konceptuar në një mënyrë origjinale me disa arie të shkëputura nga dy opera "Adriana Lecouvreur" (Francesco Cilea) dhe "Cavalleria Rusticana" (Mascagani), të cilat do të shoqërohen me pjesë koreografike të krijuara posaçërisht për këtë shfaqje, të interpretuara nga trupa e baletit të TKOB, me koreografi të Esdalin Goranit. Ariet do të interpretohen nga dy solistet e njohura të TKOB, Eva Golemi dhe Vikena Kamenica.

Emrat e tjerë që do ta shoqërojnë Inva Mulën në këtë produksion janë Bledar Gercaliu për skenografinë, Elva Bella për kostumet, Ada Gurra (As/regjisore). Nuk do të mungojë Kori i TKOB-it, drejtuar nga Dritan Lumshi, Kori i Liceut Artistik “Jordan Misja”, me të cilin ka punuar Irida Bega. Orkestra Simfonike e TKOB-it, do të drejtohet nga Maestro Michelangelo Mazza dhe pjesë e shfaqjes do të jenë edhe artistët e Cirkut të Tiranës.

Përsa i përket sfidës së saj të parë si regjisore, Mula është përgjigjur se rëndësi për të ka koncepti.

“Nuk ka rëndësi të shoh një shfaqje nga ana regjisoriale. Ajo që më intereson është koncepti. Nëse e kam bërë me tematik, me koncerte aktivitete te ndryshme kanë qenë këto gjëra që më kanë intriguar të krijoj konceptin në spektakël. Kisha dëshirën edhe ftesën e Kernit për të ardhur në opera, mendova se duhet të vija me një koncept të ri më lindi si nevojë e brendshme”, – ka thënë Mula, e cila shprehet modeste për këtë debutim regjisorial.

Sopranoja shqiptare me famë botërore ka vendosur që të interpretojë falas për publikun duke ia dhuruar buxhetit të TKOB të gjitha të ardhurat nga shfaqja në të cilën është edhe regjisore.

“Ndihem pak sikur kam një lloj perdeje përpara vetes. Është një punë e parë dhe jam shumë modeste. Nuk vij për të treguar që unë jam regjisorja. Jam një njeri me shumë përvojë në fushën time, që kam punuar me njerëz të ditur, mjeshtër, dirigjentë dhe regjisorë të mëdhenj e me këngëtarë të mirë dhe më ka interesuar ajo që ndodh jashtë skenës. Ndodhem përpara dilemave, por jo përpara dilemës së konceptit. Ka qenë komode për të zgjidhur disa ngërçe nga ana regjisoriale, por fjalën e fundit do e japë publiku, spektatori”, – është shprehur Mula, e kënaqur edhe me bashkëpunimin me artistët e TKOB. Pavarësisht miqësisë që ka me drejtorin e TKOB, ajo u shpreh se ka mbaruar perdja miqësore dhe ka nisur ajo profesionale.

“Pagliacci”, opera me 2 akte e kompozitorit Ruggero Leoncavallo është edhe opera që mbyll sezonin artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Provat gjenerale të hapura për publikun do të zhvillohen më 29 maj, ndërsa më 31 maj, në orën 8:00 të mbrëmjes do të jetë edhe premiera e madhe e shfaqjes, e cila do të ngjitet në skenë edhe më 1 e 2 qershor.

“Pagliacci” rrëfen historinë e një trupe lëvizëse komedianësh të drejtuar nga Canio, i cili ka edhe një nga rolet më dramatikë të Operës. Ai ka një grua, Nedda-n, e cila dëshirohet nga Tonio, personazh negativ dhe dashurohet me të vërtetë nga një djalë i ri, Silvio. Kur Nedda refuzon Tonio-n dhe kapet duke përqafuar Silvion, Tonio i tregon Canios duke përgatitur kështu skenën për një tragjedi të madhe.

Ajo që e bën më të fuqishme veprën është interpretimi i një shfaqje brenda një shfaqje. Ndërkohë që aktorët e trupës recitojnë pjesët e tyre në skenë, personazhet kryesore Canio, Nedda dhe Tonio gjatë përjetimeve komike në skenë dhe ato tragjike të jetës reale përplasen në një mënyrë thellësisht shkatërruese.

“Pagliacci” përshkruhet si më interesantja ndër operat e shkurtra të shkruara ndonjëherë, sepse ka një histori brilante mbi të cilën ajo është bazuar. Luhet si një shfaqje brenda një shfaqjeje.

Në libret ngjarjet zhvillohen në Kalabri, një zonë e jugut të Italisë, ku xhelozitë dhe pasionet e ndaluara të një trupe aktorësh lëvizëse pasqyrojnë edhe temën e komedisë që ata do të performojnë. Leoncavallo si libretist dhe kompozitor i veprës sjell për publikun në këto dy akte të shkurtra një eksperiencë tepër të fortë emocionale. Kjo vepër u shfaq për herë të parë në Milano, në Teatro dal Verme, në 21 maj 1892.

SHKARKO APP