Irma Kurti, “Në pragun e një dhimbjeje”

Poetja dhe shkrimtarja e mirënjohur Irma Kurti prezantohet përpara lexuesit shqiptar me librin e saj më të ri titulluar: “Në pragun e një dhimbjeje” që vjen nën siglën e Shtëpisë Botuese “Ada”.

Kjo përmbledhje me poezi ndahet në dy pjesë: “Radiografia e jetës sime” dhe: “Nëse dashuria është kjo”.

Malli, nostalgjia, dëshira për të gjetur paqe e qetësi në gjirin e natyrës, dhimbja e zhgënjimet nga marrëdhëniet shoqërore janë disa nga temat kryesore.

Në pjesën e dytë përfshihen poezi kushtuar dashurisë, raportit me njerëz të afërm që nuk janë më etj.. Në parathënien e librit të shkruar nga Adele Donini veçojmë: “Poezitë e Irma Kurtit janë vetëm në dukje të mbuluara nga një atmosferë nostalgjie dhe trishtimi. Poetja i do çastet e gëzimit dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshme; së kaluarës, të errësuar nga ngjarje sociale e private të vështira tenton t’i kundërvërë momente të paqes dhe qetësisë. Është ky një kërkim i qëndrueshëm dhe këmbëngulës i rrethanave të jetës së vërtetë, të distiluara nga lot dhimbjeje dhe durimi. Kuptohet nga rrokëzimi i ndjenjave midis shpirtit të saj dhe natyrës që e rrethon: një lëndinë, një qiell me yje, dielli ose më mirë, mijëra diej të vegjël, retë e kuqe të perëndimit të diellit…

Lexuesi është i privilegjuar, sepse përfaqëson atë të cilit Irma Kurti i beson veten, i konfidon motivet e dhimbjes së saj, të nostalgjisë dhe të perceptimit dehës të lumturisë.”

Libri: “Në pragun e një dhimbjeje” i botuar në vitin 2016 në gjuhën italiane (Sulla soglia di un dolore), u vlerësua si “Libri më i mirë” në Konkursin “Poem Academy Awards 2016”, ideuar dhe organizuar nga Akademia e Artistëve në Napoli.

Irma Kurti ka botuar 14 libra në gjuhën shqipe dhe 8 në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer edhe në anglisht, frengjisht e spanjisht. Ka fituar 30 çmime e vlerësime të ndryshme në konkurse ndërkombëtare letrare në Itali dhe në Zvicër.

 

SHKARKO APP