Ish-kreu i Policisë, Ahmet Prençi vjen me romanin ”ANJA”
Ish-kreu i Policisë së Shtetit me një karrierë mbresëlenëse në radhët e uniformave blu por dhe politikan sepse ka qenë ish-kandidat për deputet dhe sërish është propozuar nga strukturat e PD-së për deputet, si dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, por dhe një njeri i letrave sepse është shume aktiv si publicist dhe me krijmtari letrare të spikatur, vjen para lexuesve me një tjetër botim, kësaj here me romanin “Anja” pas vëllimit poetik “Udhë në Pasqyrë”.
Postimi i plotë
Te nderuar miq!
Ndaj me ju gëzimin e botimit të romanit tim të parë “ANJA”, që vjen pas vëllimit poetik “Udhë në pasqyrë”.
Këtë sfidë e bënë më të lehtë për mua këshillat dhe redaktimi nga shkrimtari e gazetari Shefqet Meko, recensionet e krijuesve dhe kritikëve të njohur letrarë, Behar Gjoka dhe Ana Kove, si dhe bashkëpunimi për korrektimin letrar me gazetarin e njohur Urim Bajrami.
Një falenderim i veçantë me këtë rast është për dizenjon e shkëlqyer të realizuar nga Elzana Agolli dhe mirënjohje të thellë për Eduart Vathin, i cili me përkujdesjen e tij gjatë botimit në “ËestPrint”, e ka botuar këtë roman me një cilësi të lartë. Mirënjohje të veçantë u dërgoj atyre pak miqve që e kanë lexuar në dorëshkrim këtë roman. Faleminderit për sugjerimet, motivimet dhe nxitjen për ta finalizuar këtë punë krijuese. Libri së shpejti do të jetë në të gjitha libraritë e Tiranës dhe në rrethe.
Në vijim një fragment nga analiza e z. Shefqet Meko për romanin “ANJA”.
“… Ahmet Prençi na ka ofruar një roman të shpirtit njerëzor që përpëlitet në dallgët e jetës, duke mërmëritur klithmën njerëzore “Të jesh apo të mos jesh…”.
Thjesht, bukur, drithërues, me sinqeritet, me nerv rrëfyes, me vringëllimë të fjalës dhe intrigë dashurie, Prençi na shëtit “Udhëve në pasqyrë” duke na treguar këtë radhë ciflosjen e “pasqyrave” të shpirtit si një destinacion i secilit, ku “cirku” i fatit kërcen skutave të jetës e shpirtit si fat e rastësi vrastare, për të na dhënë mesazhin e madh njerëzor: Njeri, duaje fatin që shpesh “përdridhet” në duart e tjetrit… Njeri, duaje jetën…!
Autori, me “bisturinë” e fjalës, depërton thellë në shpirtin e një burri dhe një gruaje, tregon lumturinë dhe mallkimin e tyre, duke bërë një “grafi” unike mes “dy gjysmave” të jetës njerëzore, që duke u bashkuar e “tretur” mes tyre krijojnë mirazhin e jetës dhe trashëgimisë. Autori është i “egër” dhe i pamëshirshëm në fatin e heronjve të vet, por gjithsesi i vërtetë…”
Faleminderit!