Ja pse nuk u duhet dhënë ujë të bllokuarve nën rrënoja

Në një sërë raportimesh në mediat vendase, të bllokuarit nën rrënojat e godinave të shembura nga tërmeti kërkojnë ujë, po aq sa kërkojnë ndihmë. Është mëse normale të jenë të etur e të dehidratuar nëse kanë ngecur prej orësh të tëra, por sidoqoftë, nuk rekomandohet t’u jepet ujë në të tilla situata.

Një person i bllokuar mund të ketë kaluar në shok dhe në këtë gjendje, trupi heq dorë nga gjithë funksionet që nuk i konsideron jetësore. Enët e gjakut në ekstremitete ngushtohen që trungu i trupit të ruajë ngrohtësinë dhe prandaj të lënduarit duhen mbuluar me batanije; që të ruhet një temperaturë normale në gjithë trupin. Ngaqë funksionet jo jetësore nuk veprojnë më, aparati tretës ndalon së gëlltituri. Kështu që, nëse pijnë ujë dhe u kalon në trake, nuk e kanë më refleksin e kollës e mbyten.

Shoku është shumë i çuditshëm për dikë që e sheh nga jashtë. Një person në shok mund të duket sikur është mirë e bukur dhe për punë sekondash mund të humbasë ndjenjat. Kur dyshohet se dikush ka kaluar në shok, mjafton ta mbani ngrohtë e të mos i jepni asgjë për të pirë a ngrënë. Mund të mbyten pa treguar shenja mbytjeje dhe thjesht të ndalojnë së marri frymë. Sjellja në jetë në këtë pikë bëhet shumë e vështirë.

Së dyti, në rast se personi i lënduar e i etur ka nevojë të operohet, me shumë mundësi do t’i nënshtrohet anestezisë. Anestezia relakson muskujt e stomakut dhe gjithë përmbajtja e tij ngjitet sipër drejt fytit e mund të përfundojë në mushkëri, gjë që do të ishte fatale. Prandaj pacientët hyjnë në sallën e operimit me stomak bosh.

Në rast se personi i lënduar ka pësuar dëmtime në traktin tretës, konsumimi i ujit thjesht do të përkeqësonte gjendjen. Duke qenë se të pranishmit e paspecializuar dinë vetëm çfarë shohin, nuk mund të thonë me siguri se i lënduari ka apo s’ka dëmtime në traktin tretës. Për të shmangur më të keqen, shmanget konsumimi i ujit.

Së treti dhe së fundi, uji ngre tensionin e gjakut dhe mund të shkaktojë hapjen e plagëve të qepura. Jo vetëm në këtë rast, por në çdo aksident traumatik, nuk rekomandohet që të lënduarve t’u jepet ujë.

SHKARKO APP