“Ja pse u ndez Lufta e Vlorës dhe kush e udhëhoqi…”/ Kujtimet e ish-deputetit për gazetën “Daly Chicago” që përgënjeshtroi italianët, se “shqiptarët i’u prenë veshët robërve”!
Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Luftës së Vlorës të vitit 1920, sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit, ish-deputet dhe ministër, i cili në librin e tij me kujtime, “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1944”, e ka përshkruar me detaje dhe hollësira të gjitha etapat që çuan në atë luftë që nga viti 1919 e deri në qershorin e 1920-ës, ku midis të tjerash ai shkruan: “Megjithë mungesën e mjeteve, vullnetarët e Vlorës, përkundrazi u suallën më njerëzisht kundrejt robërve të luftës dhe këtë sjellje njerëzore e ka vërtetuar edhe korrespodenti i gazetës “Daly Chicago”, Mopderuell, i ardhur në Drashovicë, ku ndejti 15 ditë për të bërë hetime, pasi gazetat italiane shkruanin se shqiptarët i kanë nxjerrë sytë dhe ua kanë prerë veshët robërve të luftës. Korrespodenti që ka qenë edhe përfaqësuesi i një agjencie, pasi bëri vrojtimet e nevojshme, shkoi në Romë dhe në një artikull që botoi në gazetën “Tribuna”, i përgënjeshtroi shpifjet e gazetave italiane”.
“Koha prej marsit deri më 20 maj 1920, ditë e shpalljes së luftës, ka kaluar me përgatitjen e luftës, organizimin e axhitacionit dhe për plotësimin e nevojave në armë e municion. Efekti i përgatitjeve shpirtërore në popull ka qenë në kulm. Armët dhe municionet mungonin. Qeveria nuk kish as armë, as municion dhe as mjete financiare për t’i siguruar ato me të holla dhe tentativa e fundit që bëri për këtë me misionin tim dështoi. Nga ana tjetër, armiku, duke parë përgatitjet për një kryengritje, filloi të ndjekë patriotët më të zgjedhur të vendit dhe të forcojë objektet ushtarake në Tepelenë, Kotë, Gjormë, Drashovicë, Panaja dhe Llogara me armë moderne. Post-komandanti i trefishoi me karabinierë, duke i rrethuar me tela dhe përforcuar me artileri. Në maj 1920, armiku ish bërë si i tërbuar dhe pasi me shqiptarët s’e nxorri dot në krye të mirë, vendosi të përdorë forcën. Një pjesë e madhe e patriotëve të qytetit dhe të fshatrave, që ndiqeshin prej italianëve u arrestuan. Natën e 9 majit dhe të nesërmen gjithë ditën, italianët kishin bërë bllokimin e qytetit dhe karabineria hyri nëpër lagje dhe arrestoi më se 500 veta, të cilët i futën në një vaporr të vjetër në molo”, Kështu ka shkruar midis të tjerash për fillimin e Luftës së Vlorës, Sejfi Vllamasi, në librin e tij “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942”, duke përshkruar me detaje dhe hollësira gjithçka ndodhi në atë ngjarje të largët e cila është konsideruar si një nga faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë, me të cilën është krenuar edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës. Por edhe pse ajo ngjarje përkujtohej me ceremoni të madha para viteve ’90-të, regjimi komunist dhe historiografia e propaganda zyrtare e tij, jo vetëm që i la në harresë disa prej krerëve kryesorë të Luftës së Vlorës, si: Osman Haxhiun, Hamza Isain, Qazim Koculin, Qazim Kokoshin, Mehmet Alemin, Eshref Dano Boçarin, Hysni Lepenicën, Tahir Hoxhën, etj., por pjesën më të madhe prej tyre i ekzekutoi apo i shpalli “armiq e tradhëtarë”, duke i burgosur apo internuar familjet e tyre dhe fabrikoi heronj të rremë, si Selam Musa Salaria, Kanan Maze, Dule Dalani etj., të cilët në atë luftë patën role periferike.
Kujtimet e Seji Vllamasit për Luftën e Vlorës
Krahas disa dokumenteve të pakta arkivore të mbetuar nga viti i largët 1920, mbi epopenë e lavdishme të popullit të Vlorës, Kurveleshit, Tepelenës dhe gjithë Labërisë, në luftë kundra forcave pushtuese italiane, janë edhe kujtimet e Sejfi Vllamasit, (ish-deputet në disa kabinete pas vitit 1912), të cilat hedhin dritë edhe për arsyet që i detyruan vlonjatët që të rrëmbenin dyfekët. Lidhur me këtë, në librin e tij me kujtime: “Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942), midis të tjerash ai shkruan: “Më 3 shtator 1919, me qëndër në qytetin e Vlorës, u formua një komitet prej 11 vetësh, të cilët pëerfaqësonin krahinat si dhe qytetin e Vlorës. Qytetin e përfaqësonin: Qazim Kokoshi, Osman Haxhiu, Hamza Isai, Kol Karbunara dhe Tod Filipi. Krahinat i përfaqësonin: Ymer Rradhima, Dukatin; Ahmet Lepenica, Mesaplikun; Rapo Çelo, Kudhësin; Qazim Koculi, Treblovën; Idriz Ladërri, dhe Mystehak Oshtimia, Top Alltinë. Komiteti kryesohej prej Hamza Isait. Pesë të parët qëndronin në qëndër dhe ishin të lidhur me të gjithë anët e Shqipërisë. Gjashtë të fundit kishin lidhje të fshehta me të parët dhe qëndronin ndër krahina. Komiteti ka patur për detyrë të mbajë gjallë shpresat për liri të atdheut, të bëhej një luftë pasive dhe të mbillej urrejtja kundër italianëve, të mos mësohej gjuha italiane nëpër shkolla, të luftoheshin spiunët dhe bashkëpunëtorët e tyre, dhe të festohej me çdo kusht 28 nëntori, që nuk ishte festuar që prej 1914-ës kur u rrëzua nga rebelët. Megjithë konditat e vështira në të cilat ndodhej, Komiteti, me hapa të ngadëlëshme, por të sigurta, e zgjeroi aktivitetin e tij. Në Mesaplik dhe në Tragjas kishte dërguar një makinë shkrimin dhe një poligraf, ku shtypeshin dhe ndaheshin trakte propagandistike kundër Italisë, të cilat dërgoheshin edhe në Himarë, Kurvelesh, Mallakastër, Berat, Gjirokastër e Korçë, prej Halim Xhelos e Hysni Lepenicës, Meçan Kallaratit e Tahir Hoxhës. Mesuesit e fshatrave kanë qenë flamurtarë trima të veprimeve të guximshme, po ashtu kanë vepruar edhe patriotët e vjetër. Çdo krahinë kish celulë, që udhëhiqej prej mësuesëve dhe patriotëve të vjetër për të mbajtur lart moralin e popullit dhe që të krijonte një urrejtje kundër armikut. Në Tërbaç u arrit të çfaqen edhe pjesë teatrale. Pas okupimit, gjer më 28 nëndor 1919, Komiteti në mbledhjen që mbajti në kafen e Hamza Isait, vendosi me një zë festimin këtë vit të Ditës së Flamurit me pjesëmarrjen e popullit të qytetit e të krahinave, ashtu edhe nxënësve të shkollës. Komiteti njëkohësisht dërgoi një komision prej tre vetash, nën kryesinë e Osman Haxhiut, pranë gjeneralit Ferraro, komandant i fuqive italiane në Ballkan, për të kërkuar leje për festimin e kësaj dite pasi e dëshironte populli. Gjenerali refuzoi kategorikisht dhe vetëm për t’i përcjellë u tha: “Do të jap urdhër që të ngrihet edhe flamuri shqiptar, por do të ndalohet çdo manifestim nëpër rrugë, kurse prej autoriteteve të sigurimit publik do të merren masa kundër atyre që do të veprojnë ndryshe”. Osman Haxhiu iu përgjigj në flakë me këto fjalë: “Na do da festojmë me çdo kusht ditën e Indipendencës tonë, s’mund ta ndalojë kush popullin të festojë ditën e shenjtë, ju bëni ç’të doni”, dhe doli prej zyrës së gjeneralit me nervozitet. Komiteti e ka ditur se do të merrej përgjigjie negative, por ai e kishte marrë çdo masë që të përballej me çdo situatë, përveç gjakderdhjes, pasi puna s’ka qenë e pjekur në atë shkallë. U hap fjala në qytet, ku ishin edhe krerët e krahinave, se italianët nuk lejonin festimin. Por festimi ishte vendosur. Komiteti hapi fjalë se të nesërmen do të bëheshin lutje në kishë dhe xhami dhe prej andej populli do të shpërndahej. Kjo qe sa për sy e faqe, për ta lënë armikun në gjumë. Të nesërmen ora 9 paradite një grumbull hoxhallarësh me myftinj në krye, me priftin ortodoks dhe katolik, me ta edhe Osman Haxhiu me anëtarët e Komitetit dhe me tre djemtë e Ismail Qemalit dhe me 12 djem të veshur me petka kombëtare dhe një flamur të qëndisur me ar, u drejtuan tek Xhamia Plakhanë dhe hynë brenda. Pas tyre u grumbulluan populli dhe nxënësit e shkollës, nën kryesinë e patriotit veteran, profesor Jani Mingës. Pasi u bënë lutjet fetare dhe pas një fjalimi patriotik të profesorit, populli me flamurin në dorë u drejtua rrugës së madhe në një manifestim të zjarrtë duke bërtitur: “Rroftë Shqipëria, Rroftë flamuri Kombëtar, të huajt jashtë vendit tonë”. Menjëherë 200-300 karabinirë të armatosur me revole dhe me shpata u dalin përpara dhe i shtërngojnë të shpërndahen. Para karabinerisë një major urdhëron Osman Haxhinë të shpërndajë turmën, por Osmani kundërshton dhe turma shtuhet përpara, duke bërtitur: “Rroftë Shqipëria e pavarur”. Karabinerët e egërsuar goditën flamurin me shpata dhe bajoneta, Osman Haxhiun, hyjnë në xhami dhe dalin nga dera tjetër. Nervoziteti në popull e sidomos në të rinjtë vete në kulm dhe demonstrata vazhdon me flamur të grisur copë copë nëpër duar të popullit. Nuk tremben nga karabinierët. Këta mundën të rrëmbejnë një flamur nga fëmijët e shkollave dhe i’a varën një qeni. Populli i tërbuar përleshet me ta me shkopij dhe gurë. Përleshja vazhdon për një çerek ore, gjatë së cilës shumë popull, madje dhe fëmijë, qenë shtrirë përdhe të gjakosur. Por dhe armiku sado i mbrojtur, ishte mbuluar në gjak. Populli u shpërnda. Të rinjtë në kafe këndonin hymnin kombëtar. Në qytet shpërtheu një vaj dhe urrejtja kundër armikut arrin në kulm. Në krahinat, sipas urdhërit të Komitetit, megjithë masat e armikut, dita e flamurit gjithashtu u festua. Me t’u stabilizuar Qeveria e Tiranës, Komiteti dërgon një komisjon në Tiranë nën kryesinë e Qazim Kokoshit, për t’u marr vesht me qeverinë për një ndiohmë për popullin e Vlorës në rast të një lufte eventuale për ndjekjen e armikut nga toka kombëtare. Qeveria iu përgjegj komisionit se ajo do ta ndihmonte me çdo gjë, por me masa e forma jo zyrtare. Me kthimin e Komisjonit në Vlorë, qeveria më dërgoi nga Tirana në Beograd me mision, siç kemi folur më lart. Pra, mbi inkurajimin e qeverisë, me nxitjen e miqve të Shqipërisë dhe duke u bazuar në trimërinë e patriotizmit e popullit të Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës, Komiteti vendosi që t’i japë ultimatumin e fundit Italisë për të liruar tokën shqiptare. Koha prej marsit deri më 20 maj 1920, ditë e shpalljes së luftës, ka kaluar me përgatitjen e luftës, organizimin e axhitacionit dhe për plotësimin e nevojave në armë e municion. Efekti i përgatitjeve shpirtërore në popull ka qenë në kulm. Armët dhe municionet mungonin. Qeveria nuk kish as armë, as municion dhe as mjete financiare për t’i siguruar ato me të holla dhe tentativa e fundit që bëri për këtë me misionin tim dështoi. Nga ana tjetër, armiku, duke parë përgatitjet për një kryengritje, filloi të ndjekë patriotët më të zgjedhur të vendit dhe të forcojë objektet ushtarake në Tepelenë, Kotë, Gjormë, Drashovicë, Panaja dhe Llogara me armë moderne. Post-komandanti i trefishoi me karabinierë, duke i rrethuar me tela dhe përforcuar me artileri. Në maj 1920, armiku ish bërë si i tërbuar dhe pasi me shqiptarët s’e nxorri dot në krye të mirë, vendosi të përdorë forcën. Një pjesë e madhe e patriotëve të qytetit dhe të fshatrave, që ndiqeshin prej italianëve u arrestuan. Natën e 9 majit dhe të nesërmen gjithë ditën, italianët kishin bërë bllokimin e qytetit dhe karabineria hyri nëpër lagje dhe arrestoi më se 500 veta, të cilët i futën në një vaporr të vjetër në molo. Klerin mysliman, ortodoks dhe katolik, profesor Jani Mingën, avokat Agjah Libohovën, Hasan dhe Musa Shabran, si pari vendi, i transportuan në vaporr. Mbas dy ditësh rrëmbyen me të rrahura nga shtëpitë e tyre gjithë burrat, pleq dhe të rinj, duka ia
marrë çka kishin me vete, dhe i përcollën me atë vaporr për në Sazan. Një pjesë të pengjeve i lanë në vaporr. Në Sazan kanë qenë më se 3000 vetë, midis të cilëve edhe djem shkolle 14-15 vjeçarë, të vendosur në baraka të rrethuar me tel. Italianët popullin e Vlorës e transportuan në Sazan për hakmarrje dhe u sollën në mënyrë fare barbare, gjë që ish një njollë për një qeveri që përfaqëson një popull të qytetëruar. Megjithë mungesën e mjeteve, vullnetarët e Vlorës, përkundrazi u suallën më njerëzisht kundrejt robërve të luftës dhe këtë sjellje njerëzore e ka vërtetuar edhe korrespodenti i gazetës “Daly Chikago”, Mopderuell, i ardhur në Drashovicë, ku ndejti 15 ditë për të bërë hetime, pasi gazetat italiane shkruanin se shqiptarët a kanë nxjerrë sytë dhe ua kanë prerë veshët robërve të luftës. Korrespodenti që ka qenë edhe përfaqësuesi i një agjencie, pasi bëri vrojtimet e nevojshme, shkoi në Romë dhe në një artikull që botoi në gazetën “Tribuna”, i përgënjeshtroi shpifjet e gazetave italiane”.
Si vdiq në mjerim në 1961-in, Esheref Dano Boçari, patrioti filantrop që financoi Luftën e Vlorës
Një nga patriotët e tjerë të shquar vlonjatë që ka dhënë një kontribut të shquar në 1920-ën në luftën e Vlorës, ka qenë edhe Esheref Dano Boçari, i cili veç të tjerash njihet edhe si njeriu që shpenzoi shuma të mëdha me flori për të mbajtur vullnetarët shqiptarë, që shkuan për të marrë pjesë në atë luftë. Lidhur me këtë, i biri, Agimi, dëshmonte: “Në luftën e Vlorës, babai Esherefi dha një kontribut të madh, duke ndihmuar me shumë të mëdha parash, si për vullnetarët, ashtu dhe për të ngritur spitalin fushor në Kotë-Drashovicë, i cili u ngrit për të mjekuar të plagosurit e asaj lufte. Aty shërbente si mjek Sezai Çomo Libohova, të cilin babai e kishte mik të ngushtë të familjes. Lidhur me ndihmën që dha babai për ngritjen e atij spitali, ish-infermieri që shërbeu aty, Hasan Murat Goxho, në kujtimet e tij ka shkruar: “Doktor Sezaiu i kërkoi Esheref Danos që ta ndihmonte jo vetëm në të holla, por që të interesohej edhe për të gjetur ilaçe e mjete të tjera që duheshin për spitalin. Esherefi nuk ngurroi, por ai e ndihmoi atë me gjithë shpirt, duke ia plotësuar të gjitha kërkesat”. Ndihma e Esherefit nuk përfundoi vetëm me ato që dha për luftën e Vlorës, por ai vazhdoi edhe më pas, duke dhënë shuma të mëdha me para për spitalin e përgjithshëm të Vlorës, i cili kishte 50 shtretër, edhe për psikiatrikun me 40 shtretër. Këto kontribute të tij janë të shënuara edhe në regjistrat e Bashkisë së Vlorës të asaj kohe dhe në ato të Ministrisë së Shëndetësisë. Për ato financime që dha Esherefi u internua familjarisht nga italianët në Bari të Italisë”, kujtonte i biri, Agimi, për babanë e Eshrefin, që vdiq në mjerim në 1961-in në qytetin e Tiranës në një shtëpi me qera dhe u varros në qytetin e Vlorës, për të cilin ai kishte shkrirë të gjithë pasurinë e tij./Memorie.al