Java e madhe dhe festa e Pashkëve

Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë fillojnë Javën e Madhe të Pashkëve. Po ç’kuptim ka kjo javë e cila është domethënia e ditëve të saj, që shënojnë kulmin e vitit liturgjik?

Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme, me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij.

Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe. E dimë se kremtimi eukaristik i Meshës Shenjte është ri-paraqitje e mistereve të Krishtit që mundohet, vdes, ngjallet; e flijimi i Kryqit është ora e Jezusit. Çdo i krishterë, çdo katolik e rijeton këtë flijim, kremton me Kishën, në Kishë, bën përpjekje për t’i lexuar ritet, para se të niset drejt Kishës, për t’i ndjekur pastaj më mirë, për të marrë pjesë më me përshpirtëri. Pjesëmarrja nuk është thjeshtë veprimtari e jashtme: në radhë të parë është bashkim shpirtëror me Kishën e me Krishtin.

Natyrisht çdo besimtar kërkon më parë të rrëfehet, ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet për udhë së bashku me Kishën, së bashku me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte pranë Krishtit kudo, posaçërisht mbi Kalvar. Vihet për udhë edhe me Apostujt. Kush nuk e kupton Javën e Madhe, nuk e kupton krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet kishtare, është tepër i cektë në jetën e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin kuptim çdo të diele që ne e kremtojmë në ditën e parë të javës. E ditën e parë të javës, jo më të shtunën, por të dielën – ne e kremtojmë si ditën e Zotit. S’kemi jetë pa të dielën – kanë thënë martirët e Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi i Javës, që është zemra e vitit liturgjik të Kishës.

Në atmosferën e shenjtë të kësaj Jave, është e trishtueshme të mendosh se për disa njerëz Pashkë do të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita në shtëpitë e miqve, udhëtime pa fund, shëtitje në mal, ndeshje futbolli, ngujim para televizorit…. Të gjitha këto gjëra janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht nuk janë zemra e Pashkëve. Zemra e Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në Kishë.

Secili nga ne duhet ta programojë gjithçka tjetër rreth kremtimit të këtyre mistereve, përfshirë këtu edhe pushimin.

Kujtojmë edhe hiret e posaçme që fitohen duke marrë pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e Javës së Madhe.

Si gosti shpirtërore rreth sofrës së Zotit, Jezusi na ushqen me fjalën e tij, me sakramentet e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen edhe me shoqërinë e mbarë bashkësisë së krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një njeri i vetëm, por edhe si bashkësi. Kemi nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë.

 

Treditëshi i Shenjtë!

Festën e Pashkëve në fillim Kisha e ka festuar vetëm një ditë edhe atë natën në mes të Shtunës së madhe dhe të dielës së Pashkëve. Më vonë (gjatë shek. IV) zhvillohet “Treditëshi shenjtë i Zotërisë së kryqëzuar, varrosur dhe ringjallur”. Kremtimi liturgjik i këtyre tri ditëve fillon në mbrëmjen e të Enjtes së madhe deri të dielën e Pashkëve.

E Enjta e Madhe

Të Enjten e madhe kremtohet Mesha e darkës së Mbramë që duhet të jetë e vetmja atë ditë (duke mos përfshi këtu Meshën e shugurimit të vajrave e kremtuar prej ipeshkvit). Me Këtë meshë është e ndërlidhur tradita e larjës së këmbëve (traditë e ashtuquajtur mandatum – urdhër). Me këtë gjest shprehet çartë porosia e Krishtit që u jep apostujve, të jenë gjithmonë në shërbim të besimtarëve. Gjatë kësaj meshe shugurohen hostjet për të Premtën e madhe të cilat vendosen në një tabernakull (në kapellë ose të përgatitur për këtë rast në ndonjë vend të përshtatshëm në kishë) ku mundë të bëhet adhurimi para të Shenjtërueshmit Sakrament (Varrit shenjt). Më pas vazhdon zbulimi i lterit kryesor si shenjë zie e mbarë Kishës, si dhe duke marrë parasysh se të Premtën e madhe dhe të Shtunën e madhe nuk ka meshë por përkujtohen Mundimet dhe vdekja e Krishtit. Po përmendi këtu edhe traditën se kur thuhet Lavdia bien kumbonat të cilat pushojnë e nuk bien më deri në Lavdinë e Vigjiljes së Pashkëve.

E Premtja e Madhe

Liturgjia e të Premtës së madhe sot përmbanë tri pjesë: Shërbesën e fjalës; Adhurimin e Kryqit dhe kungimin.

Kjo ditë për të krishterët në gjithë botën është ditë agjërimi. Kisha porositë që ky agjërim të mbahet deri në Vigjiljen e Pashkëve. Që në fillim të riteve të kësaj dite meshtari shtrihet para lterit, besimtarët bien në gjunjë dhe të gjithë për pak kohë luten në heshtje. Në shërbesën e fjalës vëmendja është e përqëndruar në leximin e Mundimeve të Krishtit.

“Kryqi, dru dhimbjesh e vuajtjesh, lter gjaku e flije zen vendin e parë në ritet fetare”… Kështu, “me adhurimin e Kryqit besimtarët ndjekin shpirtërisht tragjedinë e Golgotës, të paraqitun aq gjallë e aq thekshëm në Ungjillin e shën Gjonit” (Meshari i të kremteve, At D. Gjeçaj, Romë 1966).

Pas leximit të Mundimeve të Krishtit mbahet një homeli e shkurtër dhe vazhdohet me lutjet e gjithëmbarshme. Më pas bëhet adhurimi i Kryqit për të përfunduar me pjesën e tretë që është kungimi.

Sot, më mirë se kurrë, e kuptojmë se të kungohesh me korpin e Krishtit d. t. th. të marrësh pjesë në flijen e tij – të dijsh t`i pranosh edhe vuajtjet nga dashuria për të afërmin.

E Shtuna e Madhe

Në këtë ditë është ditë heshtje, "heshtja e varrit", nuk ka kremtim të euharistisë e as të shërbesës së fjalës deri në mbrëmje – në Meshë të mbrëmjes apo të mesnates. Pra me mendje e zemër lutemi duke përkujtuar Krishtin në varr i cili pret momentin e ngjalljes së vet të lavdishme.

E Shtunja e Madhe e Pashkëve është dita e varrimit dhe e heshtjes. Mirëpo në barkun e tokës ruhet e rritet porsi fara, fidanishtja e jetës së re. Në këtë natë të shenjtënueshme, në të cilën Jezu Krishti, Zoti ynë kaloj nga vdekja në jetë, Kisha, e përhapur kudo në botë, i thërret bijtë e vet të rrijnë zgjuar në uratë.

 

Nata e te Shtunes së Madhe

Në këtë Natë të shenjtueshme, e rijetojmë Pashkën e Zotit përmes dëgjimit të Fjalës Hyjnore dhe pjesëmarrjes në Sakramente; Krishti i ngjallur do ta përforcojë në ne shpresën e pjesëmarrjes tonë në fitoren e tij mbi vdekjen e të jetojmë me të në Zotin Atë.

Kremtimi i Natës së Ngjalljes së Jezu Krishtit është zemra e thelbi i krishtenimit, këndej qendra e kulmi i tërë vitit liturgjik kishtar.

Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit. E liturgjia e Vigjiljes së Pashkëve rregullohet në disa pjesë, rite e simbole gjatë Natës së Pashkëve, e cila është quajtur e konsideruar me të drejtë si “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”.

Vigjilja e Pashkëve e natës së shenjtë

Vigjilja e Pashkëve sot përmbanë këto katër pjesë: 1) Shërbesa e dritës: Bashkësia gjendet afër qiriut të Pashkëve që është simbol i Krishtit, dritës së botës.

2) Shërbesa e fjalës: Kur mendojmë mbi veprat e mrekullueshme të cilat që nga fillimi Zoti i ka bërë në popullin e vet.

3) Shërbesa e pagëzimit: Sakrament ky përmes të cilit kemi kaluar nga vdekja në jetë. Bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit, dhe

4) Shërbesa eukaristike: Populli i Zotit i rilindur me pagëzim paraqet flijen në Përkujtim të Krishtit, si shenjë falënderimi dhe ushqehet me korpin e Krishtit të ngjallur.

Shën Augustini për këtë natë shkruan kështu: Nata e Pashkëve është “Nata shenjte, nata nënë e të gjitha netëve të krishtërimit”.

Në shërbesën e dritës të kësaj nate duhet të veçohen momentet si psh. bekimi i zjarrit që është shenjë e jetës që shndritë dhe ngrohë. Më pas në qiriun e Pashkëve meshtari gdhendë një kryq. Mbi të vihet shkronja greke Alfa ndërsa nën të shkronja Omega. Në katër anët e kryqit vihen katër numrat e vitit vijues, pastaj mundë të vihen pesë kokrrat e kemit poashtu në formë kryqi.

Prej zjarrit të bekuar ndizet qiriu i Pashkëve që simbolizon Krishtin e Ngjallur.

Pasi të jemi nisur drejt kishës, në hyrje të saj të gjithë ndezin qirinjtë që bartin në dorë nga qiriu i Pashkëve (Populli i Zotit udhëton në këtë botë i shndritur me dritën e Krishtit). Atëherë xhakoni, ose nëse ai nuk është, meshtari duke e lartësuar qiriun e Pashkëve këndon në hyrje të kishës, në mes dhe te lteri: Drita e Krishtit, në çka të gjithë përgjigjen: Falënderojmë Hyjin.

Pasi të vihet qiriu në shandan këndohet himni i qiriut të Pashkëve. Ky himn përmbanë pesë tema: 1) Ngjallja është krijim i ri; b) Dalja; Qiriu si udhëtregues i popullit (Dalja nga Egjipti); c) Qiriu është dritëza e Kishës e cila pret të Fejuarin e vet; d) Domethënja e paraqitjes së dritës dhe karakteri flijues i Pashkëve; dhe e) Simbolika e bletëve.

Pasi të ketë përfunduar himni të gjithë fikin qirinjtë dhe ulen, vazhdon shërbesa e fjalës.

Për shërbesën e fjalës janë të paraparë shtatë lexime prej Besëlidhjes së Vjetër dhe dy prej Besëlidhjes së Re. Leximet e BV mundë të reduktohen në më së paku dy por asnjëherë nuk guxon të lihet leximi mbi daljen prej Egjiptit (Leximi i tretë).

Pas leximit të fundit të BV dhe lutjes meshtari këndon Lavdi… Vijon lutja dhe leximi i letrës nga BR. Kur ky përfundon solemnisht pas shtatë javësh këndohet Aleluja. Vazhdon Ungjilli dhe homelija.

Në shërbesën e pagëzimit nëse ka katekumen (të rritur për pagëzim) bëhet paraqitja e tyre si dhe e nunave, e nëse nuk ka asnjë për pagëzim ftohet bashkësia në lutje dhe bëhet bekimi i ujit. Nuk thohen as litanitë, ndërsa bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit. Nuk thuhet Besojma.

Shërbesa euharistike është shërbesa kulminante e këtij kremtimi me të cilën shprehet kuptimi themelor i saj: Me Krishtin kalojmë nga vdekja në jetë. Mesha vazhdon si rëndomtë me prefacion dhe lutjet e përshtatshme të kësaj të Kremte.

 

Nikolin MIRIA

SHKARKO APP