Jemi vendi më i ngadaltë në Europë! Trenat udhëtojnë mesatarisht me 27 km/h, sa gjysma e vendit të parafundit

Transporti hekurudhor në vendin tonë është thuajse inekzistent, si rrjedhojë e amortizimit gjatë dekadave të fundit. Në çfarë gjendje është hekurudha shqiptare e ilustron mjaft mirë edhe kjo hartë, ku paraqiten të gjitha vendet europiane për nga shpejtësia mesatare me të cilën udhëtojnë trenat në secilin prej tyre. Siç vihet re qartë, Shqipëria paraqitet me ngjyrën e kuqe, dhe veçon nga të gjitha të tjerat.

Jemi vendi më i avashtë në Europë! Trenat në Shqipëri udhëtojnë mesatarisht me një shpejtësi prej 27.6 km në orë. Vendi i dytë më i avashtë në Europë, Maqedonia e Veriut, ka një shpejtësi mesatare dy herë më të lartë se në vendin tonë, në 53 km/h. Ballkani Perëndimor është rajoni më i avashtë në Europë, kryesisht si pasojë e amortizimit të linjave dhe mungesës së investimeve pas viteve 90-të. Por edhe brenda rajonit, Shqipëria ka diferenca mjaft të theksuara me fqinjët.

Në Europë, vendi më i shpejtë për trenat është Spanja, ku shpejtësia mesatare fiksohet në 199.4 kilometra në orë. Rrjeti hekurudhor shqiptar pritet të pasurohet së shpejti me një linjë të re, atë Tiranë-Aeroport, si dhe me rinovimin e linjës Tiranë-Durrës, falë investimit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. /scan

SHKARKO APP