Jeta mes tërmeteve, i moshuari: Ai i 26 nëntorit më i rëndë se i vitit 1930 dhe 1979
97-vjeçari Lukë Çerri është nga banorët e rrallë të fshatit Bizë i Ishmit, zonë pranë epiqendrës së tërmetit, që ka përjetuar lëkundjet më të forta në vend.
Megjithatë ai veçon vitin 1979 dhe atë të 26 nëntorit.
Lukë Çerri: “Kemi përjetuar tërmete. Zgjasnin 1 ditë, binte një ose dy herë e më pas kalonte. Por kjo nuk ka kaluar farë. U bë një javë. Isha në Milot atë ditë e mbaj mend. Ai ka qenë tërmeti më i rëndë i ’79.”
I moshuari kujton dhe tërmetin e viteve ‘30 që shkaktoi 30 të vrarë e mbi 100 të plagosur, kohë kur ai ishte ende i mitur.
Lukë Çerri: “Ra tërmet por jo aq shumë.”
Tashmë për shkak të dëmtimeve në banesë 97-vjeçari qëndron i strehuar në çadër, teksa shqetësim për të mbetet trauma e gjatë që la pas.
Lukë Çerri: “Dolëm jashtë por ku të shkonin. Kanë fjetur njerëzit një natë jashtë pa çadër, pa asgjë.”
Tërmeti i 26 nëntorit është pasuar me lëkundje të shumta, ku sipas sizmologëve numri i ka kaluar 1300 goditje.
/Ora News