Jo gjithnjë shkolla e kryen mirë detyrën e saj si institucion i edukimit

 Nga Fran Gjoka/Shkolla është një institucion dinamik që po ndryshon shumë në parametrat e saj të së kaluarës. Megjithatë ende nuk mund të thuhet se procesi i ndryshimit, nëpërmjet reformimit, është realizuar plotësisht. Nuk do të ishim të sinqertë në se nuk do të pranonim se ende në shkollat tona ndihet influenca e parimeve e tendencave të vjetra edukative për të frenuar apo penguar të rinjtë në aktivitetet individuale apo kolektive qofshin ato. Fjala është për zgjerimin e praktikave të mira të punës edukative në shkollë, për të rritur vlerën e veçantë dhe misionin e saj dhe të mësuesve për intensifikimin e procesit edukativ shkencor dhe qytetar. Ndaj ndihet e nevojshme të merremi më shumë me edukatën dhe procesin e edukimit të nxënësve, duke e parë atë në mënyrë komplekse, si objek­tiv mësimor, pedagogjik dhe edukativ, duke vlerësuar ndryshe faktorët dhe aktorët themelorë të shkollës, që kanë role dhe funksione me natyrë sociale dhe edukative. Fakti që të gjithë: mësues, prindër, por dhe shoqëria jonë kërkojnë cilësi gjithnjë e më të lartë, intensitet dhe efikasitet të punës edukative në shkollë, duket se është një problem që nuk është thjeshtë një kërkesë e tepërt apo “paradoks teorik”. Duhet të mendojmë ndryshe këtë problem, sidomos tani kur viti i ri shkollor 2016-2017 sapo ka filluar.

Nuk ka dyshim, shkolla ka qenë dhe mbetet një instrument i rëndësishëm edukativ. Kjo do të thotë se dhe procesi i edukimit në shkollë nuk mund të jetë i suksesshëm në se ata e nënvlerësojnë, apo në se mungon veprimi i sinkronizuar i gjithë faktorëve, aktorëve dhe instrumenteve edukativë që ka jo vetëm shkolla, por dhe shoqëria shqiptare në dispozicion, kur bëhet fjalë për punën edukative me fëmijët dhe të rinjtë. Natyrisht, në këtë sistem edukimi nuk ka përgjegjësi ekskluzive dhe totale vetëm shkolla. Koncepti modern i edu­kimit të nxënësit kërkon që paralelisht me shkollën të ingranohet edhe familja dhe shoqëria, të cilët padyshim kanë pjesën më të madhe të detyrimeve dhe përgjëgjësisë edukative, sepse edukimi i nxënësve është në çdo rast një proces paralel pedagogjik dhe social.

Në të vërtetë, nga e kaluara jonë, na është ngulitur një ide e gabuar e mbivlerësimit dhe e rendimit të rolit ekskluzivisht edukativ të shkollës, i cili pady­shim ka qenë dhe mbetet instrumenti bazë i edukimit të nxënësit në rrugën e formimit qytetar. Natyrisht, ne nuk mund të mohojmë përgjegjësinë e veçantë edu­kative të shkollës, e cila në këtë pozitë të privilegjuar të rolit dhe përgjegjësisë, ka diçka që është e vërtetë. Ndërkaq ne nuk mund të jemi dakord me shikimin edukativ semplist, që e ngarkon shkollën jo vetëm me pjesën e saj të merituar të përgjegjësisë, por dhe me atë që është përtej mundësive të saj. Pedagogët dhe sociologët e edukimit në shkollë dhe psikologët e punës edukative mendojnë se në kohën moderne nuk është vetëm shkolla, por është “tërësia e shoqërisë” që edukon. Natyrisht në këtë tërësi padyshim që shkolla ka vendin, pozicionin dhe rolin e vet të respektuar. Çfarë është ky koncept dhe cilët janë pjesët përbërëse të tij?

Në mendimin pedagogjik dhe sociologjik modern, në konceptin e “tërësisë edukative të shoqërisë”, përfshihen si të barabartë familja, sistemi shkollor, shoqëria (mjedisi social) dhe natyrisht edhe roli edukativ i familjes, komunitetit, shoqërisë civile, ligjit, që gjithashtu kanë role dhe funksione edukative. Në këtë kontekst, kur flasim për sistemin edukativ të shoqërisë, i cili është përtej hapsirave të kufizuara edukative të shkollës, kemi parasysh ndërtimin dhe vënien në efiçencë të veprimit të integruar dhe tërësor të gjithë sistemit edukativ, i cili është i përbërë nga shumë hallka, që janë përtej shkol­lës dhe ekstrapedagogjike (në kuptimin e veprimit të mbyllur brenda shkollës). Ky konceptim i gjerë i frontit edukativ nuk sposton rolin dhe përgjegjësinë e veçantë të shkollës, por vlerëson edhe komponentët e tjerë komplementare, që e ndihmojnë nxënësin që në shoqërinë tonë moderne, jo vetëm të edukohet, por edhe të aftësohet që të “vetorientohet” me vetëdije të lirë, në mënyrë autonome, duke qenë i lirë të zgjedhë midis alternativave eduka­tive që shoqëria ka vënë në dispozicion.

Në se duam që të ndërtojmë bazat e edukimi social të njeriut në shoqërinë tonë, nuk duhet t’i mbajmë sytë dhe t’i përplasim përgjegjësitë e shoqërisë vetëm mbi “supet e brishta” të shkollës. Shoqëria shqiptare, sipas mendimit tim, ka nevojë te rishikojë “strategjinë edukative” si një proces social gjithëpërfshirës, në të cilin padyshim familja dhe shkolla mbeten aktorë themelorë, të përhershëm dhe të përjetshëm të saj. Pa këtë” strategji do të jetë e vështirë që të presim nga shkolla që të plotësojë të gjithë “vakuumet eduka­tive” që vijnë nga sektorët e jetës sociale dhe që e pengojnë procesin e natyrshëm të vetedukimit dhe orientimit edukativ të nxënësve që të organizojë sjelljen perso­nale dhe ardhmërinë sociale të saj.

Puna edukative është përgjegjësi e tërë shoqërisë, e tërë hallkave dhe instrumenteve të saj që kanë kapacitete edukative. Roli i shkollës në ketë proces është i vecantë, sepse, siç thonë sociologët dhe pedagogët e shkollës dhe shoqërisë moderne, ajo “…nuk bën gjë tjetër veçse merr dhe sistematizon transmisionin e sjelljeve fondamentale të nxënësit, që shfaqet pastaj në seriozitetin në punë, në kërkimin e vetëdijshëm dhe të kalkuluar të efikasitetit, në iniciativën dhe bashkëpunimin me tjetrin, respektimin e rregullave të shkollës dhe jetës sociale, etj”. Në këtë kontekst, duket se roli edukativ i shkollës është duke e zgjeruar spektrin e ndikimit social në shoqëri. Në të vërtetë ka një mendim të përbashkët në pedagogjinë moderne, sipas së cilit, shkolla nuk është vetëm transmetuese e vlerave edukative të shoqërisë mekanikisht dhe pasivisht tek nxënësi konkret. Shkolla ka marrë një dimension të ri si institucion edukativ. Në kushtet kur ajo është një institucion që ndikon në formimin e “vlerave bazike” të nxënësve, që janë të përbashkëta dhe karakteristike për shoqërinë moderne, shkolla bëhet institucion jo vetëm në dispozicion të edukimit të nxënësit, por të gjithë shoqërisë, sepse parimet që ajo kultivon në shkollë, u shërbejnë të gjithë njerëzve për tërë jetën. Shkolla moderne është pjesë e jetës dhe edukimi i nxënësve nuk mund të bëhet as jashtë, as kundër parimeve morale që vetë jeta moderne i imponon shkollës shqiptare. Këtë duhet ta kuptojmë jo si slogan, por si përgjegjësi që vjen nga misioni i shkollës si institu­cion edukimi dhe i mësuesve si misionarë të edukimit të nxënësve të rinj…

Në se nuk do të përmirësojmë sistemin arsimor, në se nuk do të përgatisim punonjës pedagogjik të aftë për të menaxhuar, trajtuar e zgjidhur problemet e edukimit sipas standarteve të sotme, vështirësitë dhe problemet sociale e psikologjike do të shtohen. Për rrjedhojë, rastet e keqkuptimeve të marrëdhënieve ndërpersonale dhe më gjerë, si sjelljet devijante dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të bëhen të papërballueshme. Në këto kushte të zbatimit të strukturës së re të arsimit, për të cilën kemi përsëri rezerva, njërin që duhet të vërë në lëvizje më shumë dhe më mirë si asnjëherë tjetër makinën e garantimit të suksesit në shkollë është dhe duhet të jetë vetëm stafi drejtues dhe mbi të gjitha drejtuesi i institucionit. Si  përfundim, asnjëherë shkolla nuk është normale në se nuk ka të kristalizuar misionin, qëllimin, funksionin dhe, natyrisht, statusin dinamik të tre figurave të përjetshme të saj: mësuesi, prindi dhe nxënësi.

SHKARKO APP