Ju flet Moska – U desh virusi që të zbulohet “Kolona e pestë” kineze në botë
Emisioni Ju flet Moska në RTV Ora trajtoi këtë të mërkurë se si përhapja e pandemisë së COVID-19, zbuloi “kolonën e petë” kineze në botë.
Gazetari Kastriot Myftaraj shprehet se nëse origjina e këtij virusi do të ishte ShBA-ja, atëherë do të kishim një reagim shumë të ashpër antiamerikan. Ndërkohë që tani kemi komplet të kundërtën.
Kastriot Myftaraj: Mendoni për një moment sikur të mos kishte shpërthyer ky virusi në qytetin Wuhan të Kinës por të kishte shpërthyer në një qytet tjetër në ShBA. Ashtu sikur doli nga një laborator në Kinë të kishte dalë nga një laborator në ShBA. Dhe qeveria ta kishte fshehur e të mos kishte treguar të dhënat. Çfarë do të kishte ndodhur. Tani do të kishim demonstrata të mëdha antiamerikane në të gjithë botën. Do të ishin ngritur të gjithë të majtët dhe të djathtë antiamerikan. Do të kishin sulmuar ambasadat amerikane. Kina do të bënte protesta të mëdha. Ky komunisti etiopian që është kreu i OBSh-së do të ishte ngritur dhe do të kërkonte dëmshpërblim nga ShBA për botën. Virusit do i ishte vendosur emri virusi amerikan. Sot po zbulohet se Kina, një vend me traditë perandorake 4 mijëvjeçare, ka krijuar “kolonën e pestë” në botë. Është një term që vjen nga lufta civile në Spanjë ku u pyet një nga gjeneralët spanjollë se cilat nga katër kolonat që sulmonin Madridin do të hynte e para. Ai tha se do të hynte “kolona e pestë”, spiunët, bashkëpunëtorët e njerëzit me ndikim. E njëjta gjë na zbulohet dhe tani.