Jubileu i Skënderbeut  dhe në  Bruksel

Nga Jorgji KOTE

 Viti Jubilar Mbarëkombëtar i Skënderbeut ka ardhur me kohë dhe në Bruksel, kryeqytetin belg dhe të Evropës së Bashkuar. Shoqatat kulturore aktive mbarëshqiptare, intelektualët dhe bashkëatdhetarët tanë po përgatiten  që ky Vit do të jetë  i begatë me veprimtari në të gjitha nivelet, format, formatet dhe moshat.

Kalendari i këtyre veprimtarive që do të vijojnë deri në fund të vitit me disa kulme filloi më 17 Janar, kur në prani të Ambasadorëve të Shqipërisë e të Kosovës dhe funksionarëve të Komunës  Schaerbek u organizua tubimi i parë masiv përkujtimor dhe homazhe te statuja e Skënderbeut në një prej shesheve të kësaj komune.

Lidhur me këtë statujë, do thënë se ajo është ngritur me kontributin dashamirës të bashkëatdhetarëve tanë  mbi 30 vjet më parë. Mirëpo, kushdo që kalon aty e sheh qartë se cilësia dhe përmasat e saj nuk janë në lartësinë e figurës së legjendës sonë.

Ndaj, mbi bazën e sugjerimeve të ndryshme, veç aspekteve të tjera, Shefja e Përfaqësisë sonë diplomatike në Bruksel, Zonja Suela Janina është interesuar vazhdimisht lidhur me mundësinë e zëvendësimit të saj me një vepër shumë më dinjitoze. Falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me shoqatat kulturore shqiptare e në veçanti organet e pushtetit  vendor belg janë trajtuar dhe venë në rrugën e zgjidhjes shumica e procedurave administrative përkatëse dhe tashmë një gjë e tillë mund të kthehet në realitet së shpejti; pse jo qysh këtë vit, në mënyrë që homazhet me rastin e përfundimit të vitit jubilar të bëhen pikërisht në statujën e re, natyrisht dhe me mbështetjen e mundshme të Ministrisë sonë të Kulturës.

Gjithsesi, bie në sy se 2018 këtu në Bruksel është konceptuar jo thjesht dhe vetëm si Vit Përkujtimor dhe Homazhi, por shumë më gjerë, si moment madhor  për të evokuar një periudhë të lavdishme të historisë sonë, të lidhur natyrshëm edhe me ngjarjet epokale të mëvonshme – Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Manastirit, krijimin e shtetit shqiptar, Pavarësinë e Kosovës dhe deri te sfidat e sotme, sidomos çelja e shumëpritur e negociatave të antarësimit për Shqipërinë dhe integrimin e shpejtë të Kosovës në BE.

Si organizuese dhe bashkërenduese me përvojë, Ambasada jonë në Belgjikë ka ftuar, mirëpritur dhe marrë në shqyrtim shumë ide, sugjerime dhe propozime të tyre, sepse ky Vit jubilar i takon gjithkujt.

Ndër veprimtaritë kryesore tematike do të jetë Konferenca jubilare shkencore me praninë e historianëve të njohur nga vendi ynë, Kosova, Maqedonia, por dhe Gjermania dhe shtete të tjera.

Krahas «  simotrave «  të saj në Bruksel, Namur, Gent, Liezh, Hasselt, Tongeren dhe gjetkë, një program të pasur me ditë dhe mbrëmje festive kulturore ka parashikuar « Albabel »  si Shoqata më e madhe kulturore shqiptare në Bruksel me Kryetar deputetin tonë aktiv të Parlamentit në Bruksel, Ahmet Gjanaj. Kështu, gjatë muajit Mars me rastin e festës së gjuhës shqipe dhe në Qershor për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, fëmijtë e shkollës plotësuese shqip do të japin shfaqje artistike me pjesë të zgjedhura nga kryeveprat e Naimit,  Nolit, Fishtës, Konicës, Kadaresë, etj.

« Qershiza » mbi tortë në festime do të jetë Grupi i mirënjohur artistik « Vatra » me interpretimet me mjeshtëri të këngëve dhe valleve tona dhe patriotike dhe me kostumet shumëngjyrëshe tradicionale.

Por, pas  nuk mbeten as piktorët, fotografët  dhe artistët e tjerë shqiptarë me banim në Bruksel që do të kontribuojnë me shfaqje filmi, ekspozita fotografike, pikturash etj. Një ndër më aktivët që sfidon moshën 88 vjeçare, zoti  Lek Pervizi sapo botoi një album të posaçëm fotografik kushtuar Heroit tonë Kombëtar, të cilit i kushtoi dhe numrin e parë të revistës  së këtij viti  në shqip dhe frëngjisht « Kuq e Zi ». Krijues të tjerë si Gjovalin Kola, Safet Kryemadhi, Luan Dode, etj gjithashtu kanë menduar të dalin me punime të ndryshme enkas për këtë përvjetor të ndritur.

Atmoferën e këtij jubileu do ta ndezin më tej me shfaqjet e tyre edhe grupet muzikore që pritet të vijnë në Bruksel nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj  gjatë muajit Prill për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Kulturor «  Ballkan Trafik »

Si sugjerim, këtë katalog të larmishëm do ta pasuronte  edhe organizimi, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme, të Kulturës dhe të Diasporës i një ekspozite lëvizëse me fotografi, punime grafike, piktura, etj në metropolet kryesore evropiane, duke filluar nga Brukseli; falë dhe ndihmesës së bashkëatdhetarëve tanë që janë zyrtarë në institucionet Euro-Atlantike, ky jubile do të ndërkombëtarizohej dhe më shumë. Kjo do të ishte dhe një simbolikë domethënëse kur mendon se për 25 vjet, krahas Shqipërisë, heroi ynë kombëtar mbrojti edhe vlerat e qytetërimit evropian.

Së fundi, nga dikasteret e lartpërmendura kërkohet  dhe një mbështetje më e madhe financiare; kjo e fundit, bashkë me kontributet nga shoqatat tona kulturore dhe pushteti vendor belg do të ndikonte ndjeshëm për zhvillimin në kohë dhe me cilësinë e kërkuar të veprimtarive në kuadrin e Vitit tw Madh Jubilar të Skënderbeut.

SHKARKO APP