Kadare  –  shkrimtar  i  madh,  intelektual  i  shquar  vizionar

Nga Shpëtim KODRA –

Shkrimtari më i lexuar e më i komentuar shqiptar bashkëkohor është Kadare, zemra, mendja dhe pena e të cilit kanë punuar vazhdimisht për të mbrojtur identitetin, dinjitetin, kulturën dhe integrimin europian të popullit tonë. Shkrimtarë, artistë, shkencëtarë e sportistë të ekselencës na kanë integruar në Europë e në botë. Ndër ta I. Kadare ka marrë Urdhrin “Nderi i Kombit”, por edhe mjaft çmime e tituj të lartë ndërkombëtarë. I përkthyer në 45 gjuhë, ka qenë e mbetet përfaqësuesi më i denjë i kulturës sonë, shkrimtari simbol i Shqipërisë. E, siç e quan Morgan “këngëtar i identitetit të lashtë, zëri i Shqipërisë moderne”. Edhe në shkretëtirën socialiste të “vullneteve të ndrydhuna e të shtypuna”, vepra e tij ishte një rreze drite e shprese. M. Meksi, kur do të përkthente frëngjisht më 1987-ën Kadarenë, do të shkruante: “Poezia e tij është sfidë, kurajë, emocion. Ajo ka mendim, ide, kumte, mister, simbole, ritëm, një klimë estetike”.

 Përpjekjet krijuese i nisi në moshën e ëndërrimeve rinore, paralelisht në poezi e në prozë. Poezitë e tij dalloheshin për rebelizëm artistik e për figurat e guximshme. Shkëlqeu ndër poetët e brezit të viteve 60 të shek. XX. Arti i tij do të refuzonte që në fillim prangat e 5 parimeve të socrealizmit. Në parathënien e “Lirikave” të tij në rusisht, D. Samoillov do të shkruante: “Kadare –poet qytetar. Shpesh në vargjet e tij vihen re gjurmë të modernizmit perëndimor”. Më vonë Kadare do të shprehej: “Zgjodha të mos konformohesha, por të paguaja një taksë, pak a shumë siç bëri Molieri me Luigjin XIV, i cili favorizonte kritikën ndaj aristokracisë oborrtare, por jo ndaj vetes. Taksën nuk do t’ia paguaja regjimit, por direkt diktatorit”. Dhe mburoja, figura mitike, imagjinare e diktatorit shfaqet vetëm në 3 nga 29 strofat e poemës “Në mesditë byroja u mblodh” Poema që nuk u botua, u quajt atëherë “trakt i zi kundërrevolucionar”, kurse sot detraktori e quan autorin “stalinist që bën thirrje për terror masiv”. I rrethuar nga pashallarë të kuq kriminelë diktatori s’mund të ishte ndryshe, veçse kryekriminel a “Sulltan i kuq”, si e quante Th. Schreiber Fama do t’i sillte mjaft armiq  Kadaresë.  Linkoln: “Duhet të evitosh famën që të jetosh në paqe”.

 Më vonë do t’i kushtohej kryesisht ose tërësisht prozës, duke transfiguruar në të strukturën sintetike të poezisë. Në secilin nga motivet biografike, etnografike, mitologjike, eseistike, historike a bashkëkohore, krijoi vepra që e mposhtën kohën dhe i ruajtën gjithnjë të paronitura vlerat estetike e morale. Ato përfshijnë një gamë të gjerë ngjarjesh, të zhvilluara në tri kontinente dhe në një hapësirë kohore 3000 –vjeçare, ngjarje të kondensuara në rreth 5.000 faqe. Do të ndeshej me ndalimet dhe kritikat e rrepta zyrtare që te romani i parë, i lirë e i guximshëm “Qyteti pa reklama”, i cili, i reduktuar në tregim, u cilësua dekadent, pa mesazhe e personazhe të kohës. Edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku mungonte Partia Komuniste dhe sundonte një klimë e zymtë, do të kritikohej për “pacifizëm e altruizëm të kundërshtarit”. Megjithatë “Gjenerali”, me të cilin niste letërsia moderne, simbolike, pas botimit në Francë më 1972, do të merrte udhët evropiane.

  Edhe “Përbindëshi” ishte i frikshëm, tronditës. Ndërsa më 1982 do të dënohej “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, ku përmes totalitarizmit osman, aludohej tek ai enverian. Kadare –njohës i mrekullueshëm i mekanizmave të diktaturës, i miteve e i mitologjisë. Më 1985-ën do të dënohej edhe novela “Nata me hënë”. Simbole me vlera kulturore gjithkohore janë: Kali i Trojës, Piramida, Kështjella, Laokoonti, Ura, Kostandini…”Dimri i madh” –roman epope me 600 faqe, ku shfaqej ankthi ekzistencial dhe kundërvënia e brezave, u kritikua rëndë, por tirani nuk e zhduku. “Të më dënonte, thotë Kadare, ishte si të griste portretin e vet me duart e veta”. Ndërsa romani më i lirë, më i guximshëm, i drejtpërdrejtë, jo alegorik ishte “Koncert në fund të dimrit”, me 115 personazhe dhe i cili më 1989 në revistën “Lire” u shpall romani më i mirë i vitit, i botuar në Francë. Është një roman satirë ndaj socializmit e socrealizmit, ku jepet me hollësi vrasja me dinakëri e pasardhësit të Maos,  kur tirani ynë donte të eliminonte vezirin e kuq M.Shehu.

 Albanologu e përkthyesi i shquar rumun Marius Dobresku ka bërë që, pas Shqipërisë dhe Francës, edhe Rumania ta botojë të plotë veprën e Kadaresë. Pas përkthimit të “Darkës së gabuar”, ai shprehet:”Vepra e Kadaresë zgjon kujtime të dhembshme, por është edhe një mësim historie për të rinjtë. Regjimi komunist kreu një hakmarrje të frikshme kundër klasave të pasura dhe intelektualëve që kërkonin liri shprehjeje”. Mesazhet publike të Kadaresë janë asimiluar përmes veprash letrare, sprovash, intervistash, polemikash etj.. Kadare ka trajtuar pothuaj të gjitha gjinitë letrare, përveç komedisë, por ka përdorur shpesh satirën, groteskun. Ka përkthyer autorë të shquar. Ka shkruar studime, analiza letrare, ese të shkëlqyera për Danten, Hamletin, Eskilin, Migjenin apo për sistemin poetik popullor. E gjithë krijimtaria e tij ka edhe ngarkesë filozofike.

Politika s’ka pasur e s’ka pushtet mbi Kadarenë. Atë s’e josh as edhe posti më i lartë i presidentit. Prandaj mbetet mjaft objektiv në gjykimin e historisë e të politikës, duke mishëruar kështu ndërgjegjen e kohës e duke e shndërruar artin e tij në një mjet veprimi për progresin e vendit. Një model i përkryer i artit që përfaqëson të bukurën, moralin, të drejtën dhe zbulon të vërtetën e mbuluar për 50 vjet, është përshkrimi i tij për pushkatimin e Ramize Gjebresë dhe “dekorimin”, vrasjen pas shpine të Zaho Kokës, paralajmërim ky i krimit fondator, i gjakut të derdhur në themelet e tiranisë komuniste. Prononcimet për Kosovën e Shqipërinë etnike ishin fatale. Në fakt gjatë pushtimit italian u realizua bashkimi me Kosovën dhe gjatë pushtimit gjerman u realizua edhe bashkimi me Çamërinë. Kurse me 23.3. 1948 u kërkua bashkimi me Jugosllavinë.

Revolucionet, ashtu si pemët, njihen nga frutat që japin. Komunizmi, në emër të lirisë së popullit, instaloi diktaturën. Lufta e klasave ishte vazhdim i luftës civile në kohë paqeje. Kadare shkruan:”Dita e parë e çlirimit ishte ditë pushkatimesh”. S’ka drejtësi, pajtim social e demokraci të vërtetë, pa u dënuar gjenocidi e krimet e komunizmit. Krimi i pandëshkuar është krim që vazhdon. Situata e sotme vërteton fjalët e Migjenit:”Kufoma duhet varrosë, përndryshe e përlyemja me të ka për të qenë katastrofale”. Kadare: “Bllokimi i procesit të pastrimit të kombit është fatal për të ardhmen. Hapja e dosjeve është hapi i parë i dekomunistizimit”. Mos’hapja e tyre ligjëron përhapjen e shpifjeve, pengimin e luftës kundër krimit e korrupsionit, përlyerjen e viktimave me baltën e ish  spiunëve, hetuesve, gjyqtarëve që sot janë në institucionet më të larta të shtetit. Me hapjen e dosjes “Kadare” u zbuluan rreth 1000 faqe denoncime, spiunime e propozime për dënime kundër tij. Por detraktorët e palodhur shpifin ose denigrojnë Kadarenë me lloj -lloj epitetesh poshtëruese, për t’i dëmtuar reputacionin. Prandaj Kadare kërkon drejtësi  historike. Edhe nëpërmjet transparencës së vonuar, kërkon ndarjen nga e kaluara e antivlerat.

 Kadare ngrihet kundër çmitizuesve a rimohuesve, të cilët hedhin shigjeta helmatisëse ndaj  simboleve të kombit, duke tjetërsuar origjinën shqiptare të figurave tona madhore. Ata konsiderojnë si prioritet motivet hakmarrëse për interesa vetjake në luftën kundër turqve, ose shpallin origjinën serbe të Skënderbeut, duke i shërbyer tezës “Kosova, djep i Serbisë”. Po ashtu mbrojnë tezën se qëndrimi 5 shekullor turk në Shqipëri, nuk ka qenë pushtim, por bashkëjetesë e bashkëqeverisje. Ky është poshtërimi më i madh që i bëhet kombit. Te “Komisioni i festës” Kadare përshkruan dhunën, shtypjen dhe gjenocidin turk. Ndërsa te “Pashallëqet e mëdha” pasqyron procesin e shkombëtarizimit dhe dënimit të gjuhës shqipe, me qëllim kthimin në identitetin turk. Urrejtja turke e la Skënderbeun pa varr e Ali Pashën me dy varre.

  Kadare:”Vizioni i Heroit tonë kombëtar ishte se liria dhe pavarësia e Shqipërisë dhe e Ballkanit nuk mund të arriheshin pa mbështetjen e Europës”. Shkëputja e vonët nga Turqia solli Vitin e mbrapshtë 1913, kur Shqipëria, siç shkruan Kadare, i ngjante një skene gjigante, ku luhej herë drama e lirisë e herë drama e robërisë. Në sprovën “Mosmarrëveshja”, e cila përbën, siç thotë M.Mandala,” një akt dashurie për atdheun, një testament të orientimit perëndimor të Shqipërisë”, Kadare u përgjigjet pyetjeve thelbësore që lidhen me Kombin, historinë,  aktualitetin,  cenet e virtytet tona. Bazuar në fakte historike dhe me një mjeshtëri të rrallë artistike, Kadare i ndriçon Shqipërisë udhën e marrëveshjes me veten. M.Zeqo: “Kadare –apeli i Kombit”.

“Nuk është nacionalizëm, kur do popullin tënd, por kur urren popujt e tjerë”-shkruan Kadare. Gjuha, kultura, kombi, historia, rrënjët dhe vlerat e popullit shqiptar janë sulmuar në mënyrë kriminale. V.Gjergjeviç në veprën “Shqipëria dhe fuqitë e mëdha” ai fyen racën, virtytet, gjuhën tonë, ndërsa Skënderbeun e quan sllav. Kurse vepra e Cubriloviçit “Dëbimi i shqiptarëve” motivin e dëbimit të shqiptarëve e mbështet padrejtësisht te lufta e vitit 1389 në Fushë –Kosovë. Më 1999 Evropa ndali një masakër të pashembullt dhe korrigjoi një padrejtësi historike.

  Kadare shkruan:”Jemi tre qytetërime, tre popuj, tri kultura, tri gjuhë. Ekzistenca e asnjërit nuk kushtëzohet prej tjetrit. Harmonia do të arrihet duke shkulur nga ndërgjegjja shovinizmin”. Gjuha amtare është identitet. Historia e një kombi fillon e mbaron me gjuhën e tij. Gjuha është tipari kryesor i kombit, simbol madhor i identitetit, i lashtësisë dhe autoktonisë së tij. Kadare pohon se teza e prejardhjes ilire të shqipes e shqiptarëve është mbrojtur  nga shumë gjuhëtarë, historianë e arkeologë të shquar evropianë e shqiptarë, si Leibnitz, Meyer, Pedersen, Jokl, Miklosiç, Çimohovski, Thunman, Çabej, Demiraj etj.. Argumentet e tyre ata i mbështesin në faktet historike, në evolucionin e gjuhës, si dhe në gjetjet arkeologjike. G.Hahn:”Shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e banorëve të lashtë parasllavë të vendit. Stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, që në kohën e grekëve të lashtë, zinin vendbanimin e sotëm”.

E gjithë përmbajtja e veprës së Kadaresë pasqyron harmonizimin e të vërtetës me të bukurën, si dhe kundërvënien e të ultës me të madhërishmen, të trupëzuara këto në ngjarje e personazhe të shumtë. Hasim drama të shumta motivesh e karakteresh. Të bind për këtë fakti i dramatizimit të novelës “Kush e solli Doruntinën”, apo i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ndërsa filmi brazilian “Pas diellit”, ekranizuar në bazë të novelës “Prilli i thyer”, është paraqitur në festivalin e Venecias. Po ashtu disa vepra janë shndërruar në skenarë filmash si: “Koha e kometës”, “Të paftuarit”, “Radiostacioni”, “Kur vjen nëntori”, “Ballëpërballë”.

Falë gjuhës e stilit të papërsëritshëm, Kadare ka kthyer në fjalë e figura ndjenjat më të mjegulluara, mendimet më të ndërlikuara, enigmat më të mistershme që, edhe kur zgjaten, tërheqin përmes narracionit artistik. Kompozicionet ndryshojnë nga vepra në vepër. Hasim tituj e gjendje simbolike. Kërkesat e larta ndaj vetes kanë sjellë përpunimin e vazhdueshëm të veprave, gjer edhe në 5 variante. Në të gjitha ndrit kulti i fjalës së zgjedhur, të pastër e të bukur shqipe. Një vepër që përçon ide e mesazhe të rëndësishme, humane, universale. Geraldina: “Veprat tueja janë shkrue me nji art brilant e befasues. Ato kanë mrekullinë e fjalës e horizontet e mendimit të thellë filozofik”.Alain Bosquet: “Kadare –shkrimtari më i shumanshëm i kohës sonë”.

SHKARKO APP