Kafe Me Mjeshtrin nga Dr. Bledar Kurti: një libër ndryshe mbi Kadarenë dhe i mbushur me plot histori rrëqethëse
Kafe Me Mjeshtrin (Me Ismail Kadarenë dhe mëkatet e një kombi) titullohet libri i fundit nga shkrimtari dhe publicisti Dr. Bledar Kurti.
E veçanta e këtij libri është se në të shpaloset jo vetëm një përshkrim realist i mjeshtrit shqiptar Kadare, trajtohen tematikat e nxehta në lidhje me të, si për shembull largimi nga Shqipëria, a i shërbeu ai regjimit Komunist, çfarë ka bërë konkretisht për Shqipërinë, etj, por në mënyrë shumë personale autori tregon histori reale nga jeta e tij dhe të njohurve, të cilat nuk janë thënë kurrë as publikisht gjatë tre dekadave të fundit. Ndër to lexojmë historinë rrëqethëse të emigrantëve shqiptarë të larguan me anijen Vlora në gusht të vitit 1991, ku mësohen detaje të frikshme mbi atë çfarë ka ndodhur vërtetë në anijen Vlora dhe në stadiumin e Barit. Ajo që të trondit më shumë janë dëshmitë e vrasjeve dhe përdhunimeve të cilat autori i lidh me thënien e Sartre – Ferri janë të tjerët – pra, ne jemi ferr për njëri-tjetrin.
Lexoni më poshtë një pjesë tejet rrëqethëse nga ky libër:
Pas disa orësh na strehuan të gjithëve brenda stadiumit të Barit. Policia italiane e rrethoi stadiumin dhe na hidhte me helikopter ushqime e pije. Ne vërsuleshim si kafshë për të marrë diçka për t’u ushqyer dhe për të shuar etjen. Shpeshherë nuk ia dilnim, pasi kishte disa banda që vrisnin me sëpata e bajoneta këdo që merrte pakot me ushqime. Netët ishin të tmerrshme. Për shkak se ishte muaj i nxehtë, askush nuk e mori me mend që natën do të bënte aq ftohtë dhe ne ishim të veshur me bluza të holla, madje shumë burra ishin gjysmëlakuriq.
Kur erdhi mesnata, bashkë me të ftohtët nisën edhe përdhunimet. Shumë gra dhe vajza u përdhunuan sistematikisht gjatë atyre netëve brenda stadiumit të Barit. Ishte një terror përtej çdo imagjinate. Një dramë e gjallë. Që kur na strehuan brenda në stadium, e gjithë ajo hapësirë kontrollohej nga disa banda shqiptarësh të cilat ishin të armatosura. Madje njëra prej tyre kishte edhe një qen të egër që e mbanin me zinxhir. Si u armatosën, mendova unë. Po këtë qenin e egër ku e gjetën?
Njëra bandë njihej si e Laprakës, të tjerat si të Tiranës. Njëri prej drejtuesve të bandave, të cilat përbëheshin nga shtatë a tetë veta, mbante në kokë një kapelë kaubojsh, ndërkohë që pistoletën e mbante në brez.
Çdo mbrëmje këto banda shkonin nga njëri grup njerëzish tek tjetri, të shpërndarë në shkallët dhe fushën e stadiumit, zgjidhnin gratë dhe vajzat që u pëlqenin dhe i përdhunonin. Në një rast, më thirrën disa të njohur që të shkoja e t’i flisja Kujtimit, i cili punonte në të njëjtën ndërmarrje me mua. E kishin gjetur duke varur veten brenda një magazine nën shkallët e stadiumit. Kur shkova unë, ai ishte me një shkop në dorë me të cilin godiste dyshemenë. Bam, bam, bam dhe vërtitej nëpër dhomë. Bam, bam, bam. Sytë më kapën litarin që ishte ende varur në një tra metalik. E shthura nyjën dhe e mora litarin me vete. I fola, por ai vazhdonte të vërtitej dhe të godiste dyshemenë me shkop. Shoqja e tij me të cilën ishte takuar në anije, ishte përdhunuar një natë më parë. Ndoshta e kishin përdhunuar edhe vetë atë. Sytë e tij përpiqeshin të më thoshin diçka. Unë arrita të lexoja dhimbjen në ta dhe vuajtjen që kishte në shpirt. Por, ashtu si edhe njëzet mijë të tjerët në atë geto, isha i pafuqishëm.
Natën e dytë, teksa po ngrohesha bashkë me disa të tjerë në një zjarr të vogël me kartonë që kishim ndezur në shkallët e stadiumit, disa metra më poshtë ishin disa emigrantë nga Lushnja. Njëra prej bandave të armatosura, e kryesuar nga një burrë trupmadh i cili kishte vënë parukë të gjatë për t’u maskuar, iu afrua njërit dhe nisi ta godiste me shkop në kokë. Unë dëgjoja një tingull të thatë që jehonte deri te ne dhe mendova se ai po godiste shkallët e stadiumit e jo atë, por ajo zhurmë e thatë ishte koka dhe brinjët e lushnjarit. “Aman, mos më vrisni. Jam baba i pesë fëmijëve. Ma kurseni jetën. Aman, mos më vrisni. Aman, kush do të ushqejë fëmijët e mi. Mos më vrisni. Mos më vrisni”. E lanë për të vdekur. Nuk e di nëse vdiq apo jetoi. Adrenalina bëri të vetën dhe emocionet e tmerrit na pushtuan trupin duke na shndërruar edhe ne në bisha. Kur flinim, mbanin hunj e hekura në dorë në rast se na sulmonin. Nuk ishte më Italia ëndrra jonë e madhe, por mbijetesa.
Për shkak se netët ishin të ftohta, njerëzit nisën të thyenin çdo derë që gjenin në kërkim të një mbulese, rrobe apo çadre me të cilat mund të mbanin veten ngrohtë gjatë natës. Dhe ja u gjet një magazinë me materiale sportive ku siguruam mjete rrethanore për të fjetur ngrohtë gjatë natës. Por në atë magazinë kishte edhe gjyle, shtiza, sëpata dhe mjete të mprehta. Me të rënë në duart e bandave, njerëzit brenda stadiumit u shndërruan në shënjestra për rrokje. Shumë njerëz u vranë me shtiza të cilat ua depërtuan trupin tej e përtej. Disa të tjerë me goditje gjyle e sëpata në kokë. Kush mbante në duar ushqime apo rroba, bandat i bënin pritë dhe e godisnin me shkopinj bejsbolli. Dy ditët e para u vranë shumë njerëz. Të ulur në shkallët e stadiumit, shikonim të tmerruar se si shumë burra dhe gra goditeshin me shtiza në bark, pas shpine apo me gjyle e shkopinj mbi kokë. Më pas hidheshin në cepat e stadiumit dhe mbuloheshin me plastmasë. Një mëngjes pamë një ushtar që vraponte nga njëra anë e stadiumit tek tjetra dhe bandat e ndiqnin me shtiza në dorë. Ai u shpëtoi shumë shtizave, por njëra prej tyre e zuri dhe e depërtoi mespërmes. Klithma e tij u dëgjua nga të gjithë ne.
Ferr. Ai eksod ishte ferr. Flakët po i ndiznim vetë për njëri-tjetrin.
Ferri janë të tjerët.