“… Kam punue me të drejtë për atdhe…”

 

Në 73-vjetorin e ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Gjergj Fishta

Nga Safet N. Ramolli

Ky ishte motivi i jetës dhe i punës të At’ Gjergj Fishtës, i cili më 30 dhjetor 1940 do të ndërronte jetë. Padyshim që është ndër personalitetet më të spikatur, njëri prej intelektualëve më në zë të kombit tonë, jo vetëm për periudhën kur jetoi, por edhe në të sotmen. U lind më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, prej nga trashëgoi edhe mbiemrin. E pati për nder të quhej e të thirrej shqiptar, çështje, të cilës i kushtoi mjaft nga jeta e tij.  Një jetë e tërë e tejmbushur me veprimtari prokombëtare, pogjithaqë një jetë të tërë i mallkuar e i mohuar, për t’u ringjallur denjësisht në vitet e vendosjes të sistemit pluralist. U arsimua me mësimet e para në Seminarin Françeskan të Shkodrës, për t’u dërguar në moshën 15 -vjeçare për studime në Bosnjë, kohë kur edhe provon penën si poet, për t’u bërë shumë shpejt madhështor me botimin e vëllimeve satirike “Anxat e Parnasit”, “Gomari i Babastasit” dhe sidomos me poemën e gjatë “Lahuta e Malëcisë”, e epitetuar edhe “Iliada Shqiptare”. Shërbesës fetare i vuri në dispozicion gjysmë shekulli të jetës së tij, që me meshën e parë në vitin 1894 e deri sa dha frymën e fundit. Më 1902 emërohet drejtor i Shkollës Fretnore në Shkodër, periudhë kur edhe shpalos atdhetarizmin e ndjerë duke vendosur gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, por edhe me motivin: “… jo si fëmijë i gjetun, por si zonjë shpie…”, në të cilën do të mësynin “… djemt e gjeloshave”, sikurse nënvizon ai më vonë.

 Veprimtaria dhe aktiviteti i Fishtës në çdo kohë ka qenë mbarëshqiptare. Kështu ai mbetet misionari fetar më autoritar; lëvrues kompetent i gjuhës shqipe; mjeshtër në gdhendjen e fjalës shqipe, sidomos në poezi; por jo më pak edhe si politikan i spikatur në shërbim të çështjes kombëtare. Më 1907 ngriti një grup artistik me synim që të gjallërohej jeta artistike; më 1908, si përfaqësues i Shoqërisë “Bashkimi”, mori pjesë në Kongresin e Manastirit, në të cilin u diskutua për unifikimin e alfabetit shqip. Niveli cilësor si intelektual, autoriteti i tij tashmë i konfirmuar për ndihmesën që kishte dhënë, nuk e vunë aspak në diskutim zgjedhjen e tij si kryetar të Komisionit të Alfabetit, ashtu si projekti që Fishta paraqiti, u pranua pa kundërshtime thelbësore, si alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe. Jep ndihmesë të lavdërueshme për botimin e “Hyllit të Dritës”, në të cilën trajtohen probleme të mprehta që shqetësonin kombin shqiptar, sikurse ishte çështja e respektimit të tërësisë territoriale, e njohjes së identitetit të popullit shqiptar, e të tjera. Më 1916 mori pjesë në Komisinë Letrare, ku edhe diskutohej caktimi i rregullave të ortografisë së gjuhës së shkruar dhe i unifikimit të gjuhës letrare.

Më 1919, me atributin e Sekretarit të Përgjithshëm të Përfaqësisë Shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, përmes ligjëratës “Shqyptarët dhe të drejtat e tyre”, mbrojti me dinjitet dhe autoritet shkencor problemin e autoktonisë së padiskutueshme dhe të respektimit të tërësisë territoriale të Shtetit Shqiptar. Në vitet 1920-1924 do të ushtronte si rrallëkush me drejtësi e ndershmëri, por edhe me këmbëngulje e guxim, autoritetin e deputetit duke u pozicionuar në krahun progresiv të Parlamentit Shqiptar. Më 1922 udhëton për në SHBA me peshën emocionale të misionit ndërkombëtar për njohjen e Shqipërisë së Pavarur. Pra, tashmë apikat atdhetarizmi i tij sidomos në rrafshin politik. I pashlyer nga kujtesa e popullit do të mbetet fjala patetike dhe rrëqethëse që mbajti në ceremoninë e varrimit të demokratit të shquar Avni Rustemi, ku midis të tjerash, me guximin e patriotit, por edhe me dhimbjen e shqiptarit të ndershëm. Por intelektuali i kompletuar dhe personaliteti i padiskutueshëm në fushën e fesë, u ndëshkua rëndë i akuzuar si reaksionar dhe antishqiptar, akuzë kjo krejtësisht paradoksale për këtë kolos të letrave shqip. Gërmova tek Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985 me idenë për të gjetur qoftë edhe një vlerësim të vetëm pozitiv, por më kot. Mbi poetin madhështor aty hidhej pluhur e baltë pakursim. Përpos tjerash akuzohej si një “shkrimtar dhe publicist reaksionar”; sikur në jetën politike dhe kulturore kishte marrë pjesë “për të forcuar në të ndikimin e klerit katolik”; më tej duke qenë në drejtim të revistës “Hylli i Dritës” në vitet 1913-1938, e trajtoi atë si “një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal”; sikur “në shkrimet e tij publicistike luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare”. Merret guximi të hidhet baltë edhe mbi veprën gjeniale “Lahuta e Malësisë”, botuar më 1937, që edhe pse e pranojnë se është një panoramë poetike e ngjarjeve kryesore historike të viteve 1878-1912, ajo i pasqyruaka ato nga pozitat e klerit katolik dhe, për më tepër, në të “himnizoi prapambetjen e jetës së malësorëve, patriarkalizmin, padijen, lartësoi mercenarizmin” e të tjera trillime të paskrupullta. Përbaltet jo pak edhe pamfleti në vargje “Gomari i Babastasit”, botuar më 1923, sikur gjoja ajo drejtohej kundër laicizmit të shkollës, dhe, në përgjithësi, kundër përparimit shoqëror e kulturor të vendit. (Nuk e mendoj se si ndihen tashmë autorët e përpilimit të këtij fjalori gjoja enciklopedik, që veç i tillë nuk mund të jetë). A e meritonte këtë mallkim poeti madhështor?!! Absolutisht jo. Duhet të jesh i madh dhe i guximshëm si Fishta që të qortosh ashpër Evropën; që të mbash një fjalim aq drithërues në varrin e Avni Rustemit; që të argumentosh në Paris se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre, që të shkruash një periudhë të historisë në vargje dhe mjaft bukur etj., etj. Në të kundërtën, së paku Ai meritonte një “pjesëz” të vlerësimit që i bën patrioti intelektual Faik Konica, krahas vlerësimeve për patriotët e tjerë shqiptarë për kontributin e vyer që kanë dhënë në mbrojtje të interesave kombëtare, kur përposë të tjerash shprehet: “… Dëshiroj të përmend të parin Gjergj Fishtën, një at françeskan i lindur në Zadrimë, i cili më tepër se thjesht një poet, ai ka qenë një çerek shekulli një prijës intelektual i shquar”. Pati fatin e keq që të mohohej e mallkohej, ashtu si vepra e tij u gropos në cepat e lagësht të bibliotekave, ndërsa leximi i tyre u shpall herezi. Çfarë paradoksi?!! Autori i historisë kombëtare në vargje, por edhe mbrojtësi i zellshëm i çështjes shqiptare, deklarohej papërgjegjshmërish antishqiptar?!! Fyhej kështu poeti! Fyhej edhe krejt inteligjencia, ashtu si lexuesi padrejtësisht nuk mund të kishte në dorë veprën e tij letrare. Por e vërteta flet krejt ndryshe. Jeta dhe vepra e Fishtës ka qenë gjithëkohët në shërbim të kombit, e cila është mbrojtur me kompetencë shkencore dhe me pathos patriotik. Përmes vargjeve më së shumti, por edhe përmes artikujve të ndryshëm, ai shpalos historinë e pasur e të vyer me heroizma e qëndrime proatdhetare; evidencon cilësitë e larta morale dhe të karakterit të popullit tonë; argumenton në rrjedhën e vargjeve e të ligjërimeve autoktoninë e padiskutueshme të shqiptarëve në trojet e tyre; kundërshton me vendosmëri, mendime, qëndrime dhe veprime, që cenojnë tërësinë territoriale, e të tjera.

 Këtë shembull e jep sidomos përmes veprës “Lahuta e Malëcisë”, e epitetuar për nga përmbajtja dhe jo nga forma, “Iliadë Shqiptare”. Fishta duke gdhendur, skalitur dhe organizuar organikisht 16.883 vargje, përvijon tërësinë e luftrave për jetë a vdekje midis shqiptarëved dhe pushtuesve të huaj në harkun kohor të 35-së viteve në fundshkeullin e XIX-të, kur në kurriz të popullit shqiptar diskutohej në kulisat diplomatike të Fuqive të Mëdha, tërësia territoriale dhe autoktonia e trojeve shqiptare. Turqia e ligështuar, e cilësuar me epitetin domethënës “E sëmura e Bosforit”, e shtrirë në dy kontinente, fillon shpërbërjen katastrofike e përfundimtare. Lufta, e cila deri në atë kohë i kishte shërbyer si faktor zgjerimi e fuqizimi, njëkohësisht natyrshëm ishte shndërruar në element të fuqishëm gërryes, por edhe një shpërbërës i pamëshirshëm për atë. Për Shqipërinë evidentohet se është aktiv dhe real rreziku i fqinjëve veriorë të pabesë e dinakë, të cilët veprojnë në dëm të lirisë së shqiptarëve me forca të rregullta të armatosura, por edhe me çeta cubash. Në këto kushte i bëhet kushtrim ndërgjegjes kombëtare dhe patriotizmit të popullit, i cili vuri në shërbim të mbrojtjes së territoreve gjithçka duke lënë mënjanë dasitë fetare, inatet krahinore, ngatërresat dhe armiqësitë, për t’i dalë krah të bashkuar vatanit-Zot.  Autori mban qëndrim mospajtues kundrejt Fuqive të Mëdha të Europës, të cilat në pabesi të plotë kanë ideuar dhe miratuar copëtimin e Shqipërisë midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, vendim të cilin atdhetari Fishta nuk “e përtypi” asnjëherë dhe në asnjë rrethanë. Dhe pikërisht ky atdhetar e patriot në zë, deklarohet nga regjimi totalitar si antishqiptar. Më vonë Kongresi i Berlinit vendosi që, Hoti, Gruda, Plava e Guxia t’i aneksoheshin Malit të Zi, vendim i cili do të bëhej shkak për qëndresë të gucimëshme në Bregun e Matës, në Rrushkull të Durrësit, …, dhe Evropa habitet se si Shqipëria: “Veç me pushkë, pa shenjt, pa topa, / mazull mban shtatëdhjet taborra…”. Kjo luftë shekullore dhe gjaku i derdhur pakursim, nuk do të rrjedhë kot. Shqipëria do të shpallet e Pavarur, akt i cili krejt natyrshëm gëzon edhe poetin bashkë me shqiptarët, duke shpresuar se atdheu do të udhëtojë drejt mbarësisë e mbrothësisë si e gjithë Europa. Por si për ironi të fatit nuk u realizua kjo dëshirë shpirtërore. Ne jemi dëshmitarë të prapambetjes ekonomike që trashëguam, por edhe të problemeve të tjera me të cilat jemi ballafaquar. Fishta, edhe pse i vdekur, ashtu si disa nga të gjallët, do të binte viktimë, edhe pse ishte aq madhështor, aq i spikatur si intelektual, por edhe aq atdhetar si ai.

   Do të vinte një kohë, që edhe poetit, linguistit, atdhetarit dhe klerikut të brilantë – At’ Gjergj Fishta – t’i vendosnin kurorën e Dafinës, të cilën ai e pati merituar tërësisht ndër të rrallët shqiptarë në përpjekjet e mëdha për Fe, Atdhe dhe Provansë.

SHKARKO APP