Kanguri thyen dritaren dhe hyn në shtëpi, familja në panik
Anëtarët e një familjeje në Australi u zgjuan nga një zhurmë e madhe pasi në shtëpinë e tyre po shëtiste një kangur.
Sipas BBC-së, pasi ka thyer dritaren kanguri ka hyrë në një shtëpi në rajonin Deer Park të qytetit Melbourne dhe me këtë rast ka shkaktuar panikë te anëtarët e familjes.
Pronari i shtëpisë, Mafi Ahokavo tha se më parë nuk ka parë asnjëherë një kangur por që kur është zgjuar ka parë që në shtëpinë e tij vraponte me panikë një kangur.
Manfred Zabinskas nga organizata për mbrojtjen e jetës së kafshëve të egra, “Wildlife Victoria”, i cili u thirr në shtëpi pas rastit në fjalë, tha se kanguri është mbyllur në banjo pasi ishte lodhur. Zabinskas thekson se kanguri është larguar nga shëpia pasi i është dhënë qetësues.
Zabinska thotë se kanguri, i cili kishte pësuar disa lëndime, është marrë në trajtim në strehimoren “Wildlife Victoria”. Ai thotë se raste të tilla po ndodhin më shumë për shkak të zgjerimit të qyteteve.