Kapitale Kombëtare…

 

Nga Pano Hallko

Poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri në poezinë e tij kushtuar Pranverës, më saktë Ditës së Verës, ndër të tjera thotë këto vargje: “Sot është një ditë e re, që përsëritetë moti/Lint vera, lint ngrohtësija, lint Aliu, vetë Zoti/ Është një dit’ e bekuar, që rrjedh qiejshit  bukurija/ Del në shesht Zot’ i vërtetë, rrëfen fytyrën e tija!”… Këto vargje do t`i shkonin shumë një ceremonie shtetërore që u organizua në Presidencë në një ditë Maji të këtij viti. Do t`i shkonin shumë, sa i takon melodive dhe ngjyrave të kostumeve tona kombëtare, të cilat me kuptimin e vërtetë të fjalës, përmbytën Presidencën dhe gjithë Tiranën. Ata ishin nisur si ortekë të bardhë, pa zbardhur dita nga vendbanimet e tyre, ashtu siç një jetë të tërë kanë bërë. Gjithë jetën janë thirrur: -Nesër nisemi për Koncert në….! Dhe ata gjithë jetën janë përgjigjur, i kishin apo nuk i kishin mundësitë ekonomike, edhe pse mund të linin njerëz të sëmurë në shtëpi, edhe pse shumë punë duhej t`i bënin atë ditë, ose ato ditë që do të duhej të ishin larg familjes dhe punëve të ndryshme që kishin.

Ajet Duka ishte nisur nga Delvina, e rreth orës 03.00, në Himarë e priste Katina Beleri me shokët e grupit. E bashkë u nisën sepse i priste në Dukat fisniku Fatosh Liko, i cili vinte në Tiranë se i dekoroheshin shokët e këngës, kurse në Vlorë i priste të gjithë Tomorr Lelua me krijesën shpirtërore të tij, grupin polifonik me emrin që mbart vendlindjen e tij- Smokthinën e Çipinit, apo Çipinin e Smokthinës. Golik Jaupi ishte nisur nga Bënça emërmirë gjithashtu me natë, e Nazif Çela me valixhen e tij simpatike ku mban kostumin popullor ish nisur nga Lapardhaja(pa le ta bëjë gjumin në Tiranë), se prej andej i kishin ardhur bilbilat Golik Lika dhe Fatbardha Brahimi. Por kësaj radhe, ndryshe nga herë të tjera kishin marrë edhe bashkëshorte/ët, madje një pjesë e tyre, edhe fëmijët.Sepse kësaj here nuk i thërriste detyra që të nderonin Atdheun, siç gjithë jetën patën bërë, por i thërriste ky i fundit-Atdheu, që t`i nderonte ata përmes dekorimit të tyre nga Kreu i Shtetit.

Edhe Tirana i kishte zgjedhur ata që do të prisnin korifejtë e këngës labe. Nazifi kishte marrë kthyesin legjendë të Grupit të Gjirokastrës Mehmet Vishe, dhe zërin unikal të Ansamblit të Shtetit Hyso Xhaferi. Ishin gjithashtu Kryetari i Bashkisë së Himarës, zoti Gjergji Goro, deputetë, klerikë të ndryshëm, përfaqësues të Shoqatës “Labëria”, Profesor Hajri Mandri, intelektuali patriot Andon Pango, si edhe kandidati për këshilltar i Bashkisë së Tiranës, intelektuali Nexhip Onjea. Salla “Skënderbeu” e Presidencës së Republikës, atë ditë përjetoi çaste që nuk do të harrohen për shumë kohë në këtë vend. Ajo është salla, në të cilën Institucioni i Presidentit të Republikës dekoron ndër vite figura të shquara që shkëlqejnë në fusha të ndryshme të jetës, njerëz që me veprën e tyre i kanë bërë apo i bëjnë një shërbesë të madhe shtetit, vendit, kombit.  Kreu i Shtetit, Bujar Nishani vlerësoi Ansamblin Folklorik “Çipini”- Vlorë me titullin “Mjeshtër i Madh” “Për punën mjeshtërore dhe kontributin e shkëlqyer në fushën e kulturës tradicionale folklorike të trevës së Labërisë”.

Me titullin “Mjeshtër i Madh” u dekoruan zotërinjtë Golik Jaupi, Tomorr Lelo, Vendim Kapaj.

Kurse me Titullin “Naim Frashëri i Artë” u dekoruan zoti Nazif Çela, zonjat Katina Beleri e Himarës dhe Fatbardha Brahimi e Lapardhasë, Profesori me kontribute zoti Shyqyri Hysi, Idajet Duka i Delvinës, dhe Bexhet Mahmutaj i Treblovës.

Ta ruajmë këtë thesar!

Në fjalën plot kuptim që mbajti Presidenti Nishani, thirrja e mësipërme ishte lajtmotivi, nga fillimi, gjer në fund. Presidenti tha se është i bindur që këto vlerësime të tij, pranohen nga të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen dhe kudo ku janë, pasi të gjithë shqiptarët e kanë shijuar  këngën labe, janë krenuar e krenohen në shekuj me të. Gjithashtu Presidenti vuri në dukje besimin e plotë se kënga labe, kënga polifonike, ashtu si dhe e trevave të tjera të Shqipërisë, lindjes, veriut dhe perëndimit, ka disa dimensione të cilat e tejkalojnë thjesht të qenit art dhe  kulturë. Historia na ka mësuar jo vetëm në libra, jo vetëm në gojëdhëna të trashëguara, por edhe në tërë eksperiencën e gjatë të historisë, se nëse ka pasur një element mbizotërues, fondamental, të pazëvendësueshëm, madje kryesor për të ruajtur shumë nga virtytet, parimet, por mbi të gjitha elementet e ekzistencës dhe trashëgimisë sonë ku spikat mbi të gjitha gjuha, ka qenë pikërisht kënga. Kur bota e shpall polifoninë Pasuri të Njerëzimit, institucionet shqiptare duhet që, nëse të tjerët e vlerësojnë këngën tonë një herë, ne duhet të kujdesemi njëqind herë për të. Nëse të tjerët e duartrokasin atë pesë herë, ne duhet të investojmë për të, pesëmijë herë, përfundoi Presidenti Nishani.

Kapital kombëtar…

Sido që të shprehemi, sado superlativa të përdorim për vlerësimin e këtyre artistëve, do të ishim të varfër në fjalor e ndoshta të padrejtë. Përveçse me përkufizimin e mësipërm: Kapital Kombëtar. Ashtu siç kapital kombëtar janë korifenjtë e Veriut, të Përmetit, të Korçës, janë edhe bardët e këngës labe, të cilët ndër shekuj transmetuan gjuhën dhe traditat tona shqiptare. Ky përkufizim do t`i shkonte të madhit këngëtar Golik Jaupi, i cili prej 50 vitesh debuton në Kalanë e Gjirokastrës, me temperamentin e tij, që ngjan si një barut që shpërthen sa herë që nis këngën.

Tomorri i madh(edhe nga trupi), përveç interpretimit plot ndjenjë, ka edhe vetinë tjetër, që të paktë e kanë; krijimin gurgullues që nuk shteron kurrë, për ngjarje dhe personazhe të ndryshme historike. Ai e nisi kur ishte oficer i ri, me grupin e famshëm të Sazanit siç quhej asokohe, para 35 vitesh. Për të ardhur këtu ku është sot, te Grupi “Çipini”-Mjeshtër i Madh”. Kurse virtuozi Nazif Çela, është padyshim “përjashtim biologjik” e një fenomen i rrallë(sot i pashoq). Nazifi është shembulli më i prekshëm, se ç`mund të bëjë  njeriu. Ai nga një djalë i thjeshtë fshati, arriti  të ngrerë në këmbë sallat e mbarë Europës. Laureant i të gjithë festivaleve të Gjirokastrës, “Qytetar Nderi” i Qarkut të Vlorës, një artist i lindur dhe i kultivuar. Tanimë një Kapital Kombëtar, një interpret i i shkëlqyer i polifonisë e jo thjesht një këngëtor i saj. Ai hyri në radhët e artistëve të këtij kombi, të artistëve të pakët për lartësinë dhe virtuozitetin e tij. Me zërin unikal dhe aftësinë e rrallë interpretative, ai çuditi studiuesit europianë që kishin ardhur Festivalin Folklorik të Gjirokastrës të vitit jo aq të largët 1983… Nazifi, laureant edhe i disa Festivaleve botërore, si përshembull në Festivalin e Dizhonit në Francë, në Gjermani, Turqi, Belgjikë, Itali, Hollandë, Francë, Danimarkë etj. Ai me talentin e tij ka interpretuar në gjashtë filma me metrazh të gjatë, si dhe në disa shfaqje teatrale në Shqipëri. Është laureuar edhe për interpretimin virtuoz të veprës së Sofokliut në Teatrin e Shtetit në Hollandë. Zonja mbizotëruese e sallës ishte dallga e detit me emrin Katinë, Katina e talentuar e këngës labe himariote. Ashtu siç Fatbardha Brahimi vjen me zërin e saj-gurgullimë e honeve të Bolenës e të Lapardhasë së bashku. Fyelli me fat që kap notat e Smfonisë së 9-të, fyelli i Vendimit që siç thotë ai… “Del nga kasaforta me VKM”, me një kolazh melodish hapi koncertin e improvizuar në sallën “Skëndrbeu”. Ajeti me melodinë e tij karakteristike, ishte doemos një vlerë e shtuar. Kurse rasti i Shyqyri Hysit, flet se si duhet të jetë sot intelektuali që është lab në origjinë dhe në ngjizje. Është përgjigja më e mirë për disa bizbiqër të cilët kanë rreth 10-15 vjet që kanë rënë në qytete, e që nëpër dhëmbë thonë: “Epo andej jam me origjinë”. Prof Shyqyriu tregon se nuk është origjina ajo që na nderon apo turpëron, por jemi ne që e nderojmë apo turpërojmë atë.. Për ta mbyllur me këngëtarin e grupit të dikurshëm të Treblovës, i cili me këngën e tij karakteristike plot humor, vërteton se vitet nuk kanë të bëjnë me këngën, përkundrazi është shpirti ai, që e mban këngën gjallë.

Në vend të mbylljes…

E di se, sado të shkruash për këta njerëz, ke thënë pak. Por kur shkruan pak, doemos që nuk ke thënë asgjë, në krahasim me veprën e tyre. Ndoshta për secilin ia vlen të bëhet një shkrim më vete. Por nuk mund të rri pa nënvizuar një fenomen që është i prekshëm me sy të lirë, si i thonë fjalës. Është një pyetje shumë e thjeshtë: Po kthyesit virtuozë të këngës labe, ku i kanë titujt dhe dekoratat? Për të mos folur për hedhësit e këngës. Thuhet kjo, sepse kënga labe në veçanti dhe polifonia në përgjithësi, është art kolektiv, ose “punë në grup” siç i thonë sot “modernistët”. Nuk di nëse është dekoruar(të paktën pas vdekjes) i pavdekshmi kthyes Qirjako Bala, po Dervish Guma? Po për të gjallët, për Nebi Xhakën, për Sinan Gjolekën, për Taborr Shkurtin, Jazo Hibrin, Golik Likën, Mehmet Vishën, e për shumë të tjerë, kur do të ndërmerret akti i nderimit të tyre?!? Edhe për hedhësit virtuozë, qëndron e njëjta gjë… “Është dit’ e dashurisë, ditë e vëllazërisë/ Dit` e mbarë e gëzimit, dit’ e bardh’ e miqësisë/O njeri, paskëtaj kurrë fjalë të ligë mos thuash/Po përshëndosh gjithë ç’janë, thuaj: gëzuash, gëzuash!”… Kështu e mbyll Naimi i madh poezinë e tij. Kështu u mbyll edhe dita e dekorimit, duke uruar njëri-tjetrin: Gëzuar!-Gëzuar!…

SHKARKO APP