Karantina, çfarë pamë e ndodhi!

Nga Denis Dyrnjaja –

Të hënën vendi thuajse hapet në masën 70% nga izolimi. Kjo do të thotë se situata e alarmit epidemik masiv ka kaluar për rrjedhojë duhen thënë disa konkluzione paraprake:

1) Personalisht isha pro karantimit, por jo mënyrës së pakuptimtë sesi u propozua dhe zbatua ai me fasha orari konfuzive dhe për më tepër që rrëzuan logjikën mbrojtëse, pasi të dalësh turma turma deri në një orë të caktuar dhe s’të kap virusi dhe pastaj të mbyllesh në shtëpi se të kap virusi, nuk bën sens. Qeveria gaboi në logjikë, por njerëzit treguan përmbajtje dhe kryesisht i zbatuan vendimet dhe thirrjet e autoriteteve të shëndetësisë dhe qeverisë.

2) Karantina dhe masat e distancimit social nuk janë masa selektive. Fjala vjen Kryeministri vetë i promovoi dhe vetë nuk i zbatoi. Në daljet publike Rama është parë shpesh pa maskë dhe doreza, të tjerët që e shoqëronin po. Duhej të mbante maskën dhe dorezat edhe për të treguar shembull për shoqërinë që rregullat që vendos, i zbaton edhe vetë. Nuk e bëri. Po kështu kanë vepruar edhe disa ministra në daljet publike.

3) Mjekët marrim notë maksimale për misionin e tyre informues dhe sensibilizues të situatës dhe mbi të gjitha për angazhimin në vijë të parë të betejës mjekësore për shpëtimin e jetës së njerëzve të sëmurë dhe për gatishmërinë e treguar.

4) Nga masat e izolimit njerëzit fituan më shumë ndërgjegjesim për higjienën personale por edhe kulturë publike. Tani mbajnë radhë të qetë dhe me durim, veti që më parë shoqërohej me mosdurim dhe shpesh edhe me frustrim.

5) Gazetarët treguan se abuzojnë me statusin njësoj si pushtetarët spekulantë. Një pjesë e jona komprometuan misionin sakrifikues të atyre që vërtetë ishin në terren duke informuar por edhe ekspozuar ndaj infeksionit. Ata që ishin në terren shpesh shfaqeshin të konfuziluar me sjelljen dhe masat. P.sh mbanin maskë poshtë mjekrës duke intervistuar njerëz, ose tregonin sesi njerëzit në autobusë udhëtonin pa mjete mbrojtëse, kur ndërkohë vetë gazetari që raportonte ishte pa maskë. Reklamimi i qejfit në kohë rregullash karantinore na përfshiu në kategorinë e shprehjes bëj si them unë mos bej si bëj unë. Pati egoizëm dhe keqpërdorim të statusit. Mirë fakti, por reklamimi në publik i daljeve ekstrakarantinore përmes fotosh dhe videosh në rrjetet sociale, ishte e panevojshme për të mos thënë teprim që krijoi irritim në popullatë. Ekspozim i panevojshëm, mirë që u abuzua me mundësinë e lëvizjes por të paktën të mos bëhej karshillëk ndaj pjesës tjetër të popullatës në pamundësi, me shfaqje në rrjetet sociale.

6) Përsa i përket revoltës popullore që u akumulua. Së pari është njerëzore dhe normale sepse nuk është e lehtë të mbyllesh brenda për dy muaj. Dhe sikur t’i kesh të gjitha të mirat (si i thonë fjalës mërzitesh) jo më kur njerëzit duhej të mendonin dhe të mendojnë e stresohen se çfarë i pret në të ardhmen me vendin e punës dhe ekonominë familjare në pikëpyetje. Ndaj akumulimi arriti kulmin me masat represive të shtuara në kodin penal të cilat binin ndesh edhe me realitetin e lartpërmendur. Në këto kushte të dielën e 9 Majit ditës së Europës, njerëz të mërzitur nga situata vendosën të protestojnë. Tubimi ishte një amalgamë njerëzish prej të cilëve disa kanë axhenda politike dhe të tjerë janë njerëz të lirë. Personalisht mendoj se policia gaboi dhe përdori disproporcionalisht forcën në raport me protestuesit që ishin brenda normave të caktuara deri në momentin që policia shkoi për t’i shpërndarë dhe shoqëruar kur mund të monitoronte qetë situatën. Nëse dikush shkelte rregullat e distancimit social ose mund ta këshillonin, nëse individi kundërshtonte rregullat mund ta shoqëronin. Protesta i bën mirë shoqërisë sidomos në një kohë të tillë kur bie më shumë në sy standardi “bëj si them unë, mos bëj si bëj unë”. Protesta vetëm sa e bën dinamike shoqërinë. Shoqërimi me forcë i protestuesve sidomos i një zonje nuk vendos standardet e një shteti ligjor që disa i provokon e disa i toleron. Në ditën e Europës që është vetë në një debat të madh nëse ka gabuar që shkeli të drejtat e njeriut me kufizime për Covid-19 apo jo, aktet e forcës ndaj protestuesve paqësore në Tiranë nuk duhej të ndodhnin, pavarëisht begraundit të individëve në protestë.

Përfundimisht qëndruam në karantinë, por ende nuk është e sigurt për shkak të mënyrës sesi ajo u ekzekutua, nëse na shpëtoi izolimi apo fati. Unë besoj se ishim më shumë me fat.

SHKARKO APP