Karikatura e rrallë/ 63 vjet më parë – Revolucioni Hungarez dhe Shqipëria!

Një karikaturë shumë interesante e revistës së njohur humoristike britanike “Punch” , e vitit 1956, revokon pikërisht tronditjen që po jepte “Revolucioni Hungarez” në sferën e interesave sovjetike, ku shihet qartë se veç Hungarisë, edhe disa vende të tjera të ish-Demokracive Popullore po tentonin të lëviznin nga ndikimi rus.

Teksa sjell për publikun këtë karikaturë të rrallë, studiuesi dhe gazetari Armand Plaka shprehet se  ndërkohë Shqipëria, sikurse perceptohej dhe sikurse ishte në fakt, shfaqej si një arush që i bindej verbërisht urdhërave të trajnuesit (dmth Moskës dhe liderit të saj, N. Hrushovit) në arenën e tij të cirkut ( dmth. vendeve satelite).

“Shumë qartë shihet dhe Jugosllavia, e cila tashmë jo vetëm kishte dalë fare nga vendi që ajo zinte në “familjen e vendeve socialiste”, por shihej edhe si nxitëse e trazirave në Hungari.

Regjimi stalinist shqiptar, por më pas edhe ato të vendeve të tjera ish-socialiste, e cilësuan atë që ndodhi në periudhën 23 tetor – 10 nëntor 1956 në Budapest, si “Kundër-revolucioni hungarez”, duke e cilësuar të tillë në historiografinë zyrtare, deri në rënien e komunizmit në vitin 1991.

Mbrëmjen e djeshme duke u gdhirë data 24, u mbushën plot 63 vjet nga shpërthimi i “Revolucionit Hungarez”, lëvizje e cila njihet si lëvizja më e madhe anti-komuniste në Europën Lindore në gjithë periudhën 1945-1990.

Ndryshe nga ç’ndodhi 12 vjet më vonë me “Pranverën e Pragës”, ku Tirana zyrtare e dënoi fuqimisht sulmin sovjetik, në rastin e Hungarisë, Enver Hoxha ishte përfaqësuesi i vijës më të ashpër ndër ish-liderët lindorë, të cilët kërkuan menjëherë dënimin ekstrem të liderëve të Revolucionit dhe udhëheqësve reformatorë e liberalë hungarezë, të përfaqësuar më së miri në figurën e Imre Nagy-t, i cili pati një fund shumë të hidhur”, shprehet studiuesi Armand Plaka në përshkrimin historik, duke i bashkëngjitur dhe karikaturën e revistës së humoristike britanike “Punch” , e vitit 1956.

SHKARKO APP