Karikaturat holandeze në 1990: Sinjale nga Shqipëria!

Nga Armand PLAKA

Vendet e tjera të ish-Lindjes, ku shumë syresh tashmë po përjetonin fazën e fundit të një trendy thuajse romantik të komunizmit në krahasim me atë shqiptar, të gjitha i kishin hipur tashmë “trenit të ndryshimeve”.

Shqipëria ndërkaq, ndodhej akoma në një udhëkryq vetmitar dhe frika, pasiguria dhe hija e Sigurimit ishin ringjallur edhe më shumë në një vit, i cili do të ishte dhe i fundit, përsa i përket mbajtjes më këmbë në terma realë të regjimit më diktatorial që kontinenti kishte njohur në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar.

Shtypi perëndimor kishte nisur ndërkaq të merrej më shumë me Shqipërinë e prania e saj në faqet e tij po bëhej gjithnjë e më e madhe, duke sjellë shpesh edhe të vërteta gjysmake, por sidqoftë, gjithkush e kishte të qartë se tashmë ena ku ziente uji i komunizmit shqiptar, ishte mbushur plot e pritej të derdhej nga dita në ditë.

Vendi po shkonte drejt fundit e kjo vihet re edhe në një karikaturë të medias holandeze të janarit 1990, ndërsa shihet silueta e një sigurimsi që mban në duar një flamur me fotot e Stalinit dhe Hoxhës, hipur mbi shpinën e një fshatari shqiptar, duke shkuar të dy drejt një gremine të thellë, e cila preseupozonte fundin e pashmangshëm e të pashpresë të rrugës që vendi kishte nisur prej shumë dekadash.

Në të, megjithatë nuk shihen shenja dëshire për ndryshim, apo ndonjë rezistencë. Ndërkaq, në një tjetër karikaturë të korrikut 1990, menjëherë pas asaj që njihet tashmë si “kriza e ambasadave”, duket se mesazhi është më i qartë, ndërsa skicohet në mënyrë satirike simboli i drapërit dhe çekanit, i cili sa nuk po shqyhet nga përpjekja e dy njerëzve për të mos i lënë më ata të bashkëjetojnë, dmth. të mbijetojnë.

Të dy imazhet i kam hasur prej kohësh, ndërsa rrëmoja në mediat perëndimore për “relike” që lidhen me Shqipërinë moniste dhe shfaqen kësisoj për hërë të parë për publikun shqiptar.

SHKARKO APP