Kejdi Mehmetaj: Ligji për rininë, një buzëkuq propagandistik i Rilindjes
Nga Kejdi Mehmetaj * Ligji për Rininë i miratuar ditën e djeshme në parlamentin ilegjitim nuk ishte vetëm një buzëkuq propagandistik i Rilindjes për të treguar se gjasme interesohen për të rinjtë shqiptarë, por ishte mbi të gjitha një skemë e re klienteliste e financimit të organizatave që komandohen nga qeveria.
Ai ligj ishte bosh, pa thelb, pa zgjidhje, pa asnjë ofertë konkrete për të rinjtë. Një ligj që nuk bën asgjë, përveçse detyron të rinjtë e organizatave të shoqërisë civile të bëhen pjesë e rilindjes ose përndryshe nuk do të njihen e as do të financohen prej saj.
Edhe pse nuk kam qenë përkrahëse e një ligji të vecantë për rininë (duke marrë parasysh se problemet që shqetësojnë të rinjtë shqiptar janë arsimi, shëndetësia, papunësia dhe mungesa e sigurisë, probleme të cilat nuk zgjidhen me një ligj sipërfaqësor por me reforma të thella) në janar të këtij viti, së bashku me kolegë të LSI-së, depozituam në parlament një projektl ligj për Rininë i cili ishte iniciuar dhe hartuar nga një grup i gjerë organizatash rinore.
Qëllimi ynë si deputetë ishte ti hapnim rrugë një procesi të gjatë konsultativ në parlament ku vet të rinjtë të përfshiheshin, të ngrinin shqetësimet dhe bashkarisht të vendosnim jo vetëm mbi përmbajtjen e një Ligji të shumëkërkuar për Rininë, por pse jo të përgatisnim një paketë masash që do të adresonin problemet e të rinjve e do i nxisnin ata ta shihnin të ardhmen e tyre në Shqipëri, jo dyerve të Europës.
Projektligji që ne propozuam edhe sikur të ishte lën i paprekur, trajtonte cështje konkrete ku do të vecoja përshembull: ngritjen e një BUXHETI për rininë, Kartën Rinore, Komisionerin për të Drejtat e të Rinjve, Praktikat e Punës si dhe nxiste formimin jo formal të të rinjve, krijimin e më shumë hapsirave dedikuar të rinjve, rritjen e përfaqësimit rinor në vendimarrje etj.
Fatkeqsisht projektligji që ne depozituam jo vetëm u zhduk, por edhe organizatat rinore që kishin porpozime e donin të dëgjoheshin u trajtuan si fillim nga qeveria e më pas nga Parlamenti me përcmim e mllef.
Ministres së pagdhendur që dje guxoi të etiketojë organizatat e shoqërisë civile, po i them se ne si LSI nuk kemi komunikuar e bashkëpunuar vetëm me një rrjet organizatash, por me të gjitha, pasi ndryshe nga ju nuk kemi për qëllim të dëbojmë të rinjtë nga Shqipëria e të grabisim pasuritë e shqiptarëve duke rrënuar buxhetin e shtetit, por tu shërbejmë qytetarëve e tu ofrojmë atyre politika serioze që ofrojnë shpresë e zgjidhje afatgjata.
Të rinjve të anagazhuar në organizatat e shoqërisë civile por jo vetëm, u lutem të mos ndalen në punën e tyre, të mos demotivohen, kjo qeveri do të bjerë shpejt e bashkë me të do të bëhet NUL edhe çdo vendim i papërgjegjshëm i marrë nga ky parlament ilegjitim.
*Ish-deputete e LSI