Kemi nevojë për një SPAK që të na sjellë besimin tek drejtësia!

Nga Mentor Kikia

Unë e njoh personalisht Arben Krajën, aq sa për të patur një konsideratë njerëzore shumë pozitive. Si jurist e “njoh” për faktin se nuk bën pjesë në listën e atyre prokurorëve e gjykatësve, të cilët i kishin shndërruar zyrat në agjensi të shit-blerjes së ligjit, dhe mbi tavolinë “mbanin” edhe listën e çmimeve sipas veprave penale.
Unë jam i bindur se fakti që Arben Karaja ka qenë hetues në vitit 1990, dhe ka hetuar një burrë për “sjellje që bien ndesh me moralin komunist”, nuk e bën atë një komunist, as njeri që ka lyer duart me gjak. Ai ka qenë atëkohë një jurist i ri dhe skishte si dhe ku ta fillonte karrierën ndryshe. Nga sa u informova, njeriu që ka hetuar Kraja ka qenë njëri ndër ata, që në 25 korrik 1990 kishte ardhur nga Shkodra në Tiranë, me shpresën se do të hapeshin sërish ambasadat. Atëkohë student, edhe mua me kanë ndaluar në polici, në Elbasan, dhe kolegët e Krajës pasi më kërcënuan për të njëjtat gjëra, më vunë përpara të firmosja ca letra se unë nuk do ta tradhëtoja vendin, nuk do të ikja jashtë, nuk do të organizoja sulme ndaj ambasadave (edhe pse kisha kaluar para dyerve të hapura të tyre e nuk kisha hyrë). Me pak fjalë regjimi ishte në përpëlitjet e fundit dhe përpiqej të kafshonte ku të mundte me dhëmbët që po i binin.

Kjo histori nuk bën as mua disident dhe as Arben Krajën kriminel.

Megjithatë, kjo është papranueshme për kreun e një institucioni të ri si SPAK. Askush nuk ia tundi Benit këtë copë letër për gati 30 vjet sa ishte prokuror.
Por sot po!
Dhe ata që e zgjidhën nuk duhej ta kishin neglizhuar.

Sepse SPAK nuk është thjeshtë një strukturë prokurorie. Ai është mundësia që shqiptarët të fillojnë të kenë drejtësi dhe mbi të gjitha, të kenë besim tek drejtësia e tyre.
SPAK është alternativa e vetme, që ne shpresojmë të vërë dorën mbi plagët e qelbura të korrupsionit. Të mos harrojmë, në vendin më të korruptuar në Europë, të vetmit zyrtarë të dënuar janë Spiro Ksera që vodhi 20 mijë Euro të një koncerti për komunitetin rom dhe Ervin Salianji, që dyshohet si bashkëpunëtor i Babales.

Ndaj, Arben Kraja nuk duhej ti drejtohej SPAK-ut pa pohuar, së paku, publikisht këtë fakt. Kjo nuk e bën atë më pak apo më shumë profesionist, as më pak apo më shumë të pastër.
Por do ta bënte më shumë të besueshëm. Nëse Kraja do të udheheqë nesër një hetim ndaj Sali Berishës apo Lulzim bashës, ai do të jetë i paragjykuar.

Ne kemi nevojë për nje drejtësi që ta bësojmë, pasi jemi lodhur nga prokurorë që i çonin dosjet natën në zyrat e ministrave që kishin nën hetim.

Ndaj, zgjidhe vetë këtë punë Ben! Neve na intereson SPAK-u.

SHKARKO APP