Këndveshtrim Fëminor

1.

Në lagjen e njohur të Laprakës, të kryeqytetit tonë, ndodhet edhe shkolla 9-vjeçare, që mban emrin e poetit tonë kombëtar, Gjergj Fishta. Rasti e ka sjellë që kam shkuar aty jo  një herë. Kështu, ndër të tjera, kujtoj që, së bashku me arsimtarin e shkrimtarin e ardhur nga Suedia, Sokol Demaku e mikun tjetër shkrimtar, Viron Kona, kemi dërguar dhuratë disa kopje të librit  për fëmijë, “Djali e Tigri”, me autor suedezin Lars Vestman. Të mirëpritur nga nxënës e mësues, i kemi vizituar mjediset e këndshme të asaj shkolle, e cila drejtohet nga  Faik Maqellara. Po kështu, kemi ndjekur një shfaqje të bukur artistike, me këngë e valle popullore etj. Por, atëherë, nuk e dinim saktësisht që, në atë kolektiv të përkushtuar për  plotësimin e programit mësimor-edukativ, tregohej dhe kujdes i veçantë për nxitjen e talenteve të reja në fushën e vizatimit e pikturës. Por ja që, këto ditë, një ftesë e publikuar dhe në Internet, na e evidentoi më së miri këtë gjë. Ajo kishte këtë përmbajtje:Ditën e hënë, datë 23 shkurt 2015, ora 11.00, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar, shkolla 9-vjeçare "Gjergj Fishta” hapë ekspozitën "Këndveshtrim Fëminor" , me piktura të nxënësve”.

2.

Në ceremoninë e rastit, kishin ardhur nxënës e mësues dhe prindër të shkollës 9-vjeçare “Gjergj Fishta”, dashamirës të artit, nga Ministria e Arsimit e Sportit dhe ajo e Mirëqenies Sociale e Rinisë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Të pranishmit i përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, i cili nënvizoi se kjo  ishte ngjarje e bukur, në vazhdim të veprimtarive kulturore e artistike, që organizohen aty. Në vijim, drejtori i kësaj shkolle, Faik Maqellara foli për përkushtimin dhe kujdesin, që tregohet në kolektivin e tyre, për përkrahjen dhe nxitjen e talenteve të reja, veçanërisht, në fushën e pikturës.

Pastaj, të pranishmit i panë me kënaqësi pikturat e nxënësve të kësaj shkolle, të cilat ishin në korniza të bukura dhe të vendosura me shijë në muret e hollit kryesor të Muzeut. Gjithësej, ishin 62 piktura, të punuara nga 66 nxënës të klasave VI-IX, në tre vitet e fundit shkollorë. Sigurisht, ato janë të thjeshta, por që dëshmojnë për prirjet dhe dëshirat e fëmijëve për t’i fiksuar, në vizatime e piktura, mendimet dhe ndjenjat e tyre.

Ishte kërshëri e të gjithëve, që të dinin dhe se kush punon konkretisht me këta nxënës të talentuar. Ajo është mësuesja Natasha Kurti, për të cilën fëmijët shprehnin respekt të veçantë, ashtu si dhe prindërit e kolegët e saj.Ndërsa mësuesja Violeta Tota, mjaft aktive në çdo veprimtari jashtëmësimore të kësaj shkolle, na tregoi se dhe vetë drejtori u qendron pranë krijuesve të vegjël, bile, deri në vendosjen e pikturave nëpër korniza sa më të përshtatshme.

Tematika e pikturave të paraqitura në këtë eskpozitë ishte e larmishme. Binte në sy, veçanrisht, ajo atdhetare. Për këtë gjë flisnin pikturat e bukura për Flamurin tonë Kombëtar, për figura të shquara atdhetarësh e luftëtarësh për pavarësi e liri, që nga Skënderbeu, Shote Galica, Gjergj Fishta, Qemal Stafa etj. Por të binin në sy edhe temat shoqërore, siç ishte piktura kushtuar një fëmijë në karrocë, pra me aftësi të kufizuara. Kishte dhe piktura me pamje nga kryeqyteti, si ajo e nxënëses Kristina Myslymi, nga natyra e bukur shqiptare etj. Punime të frymëzuara kishin paraqitur në këtë eskpozitë edhe nxënësit: Gerilda Beshku, Redona Luku, Ervina Bara, Belkize Beshiri, Doriana Staka, Sara Gjikola, Elsa Mehidri, Esmeralda Cani, Orkida Elezi, Saraxhi Kola, Donald Balaj, Henri Hidri, Joida Kllogjri, Sara Dalti, Elisa Gjuraj, Bruno Pjetërnikaj, Rubin Tota, Elisa Shquti, Xhesilda Kreka, Grisela Sula dhe të tjerë, për të cilët kërkojmë ndjesë, që nuk ua shënojmë këtu emrat e tyre.

Vizitorët e shumtë, që e panë këtë eskpozitë pikture, kur ajo qendroi e hapur në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar, shprehën kënaqësinë, por dhe falënderimin  e tyre, si për autorët e vegjël, por dhe për drejtuesit e mësuesit e kësaj shkolle, të cilët e kanë mbështetjen e vazhdueshme të prindërve, që u qendrojnë atyre përherë pranë.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, po shënojmë se kjo eskpozitë u hap, disa ditë më parë, edhe në qytetin e Lezhës, pra në vendlindjen e Gjergj Fishtës, emrin e të cilit e mban me nder kjo shkollë e kryeqytetit tonë.

Murat Gecaj

SHKARKO APP