Kënga e fundvitit në Top Channel, një dedikim për viktimat e tërmetit
Kënga e fundvitit në Top Channel është një dedikim për viktimat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit. “Ende ka shpresë” nga Alban Skënderaj dhe Miriam Cani është kënga e përzgjedhur për t’u interpretuar nga stafi i Top Medias.
“Ende ka shpresë” hapet me Ledion Liçon, që mungon në ekran prej kohësh pas angazhimit në Digitalb dhe vazhdon më pas me figura të njohura të televizionit. Nuk mungojnë sigurisht zjarrfikësit, qentë që vrapojnë dhe gazetarët Muhamed Veliu dhe Anila Hoxha për të risjellë gjithë kaosin që përjetoi vendi fill pas 26 nëntorit. Në këngë, performojnë edhe Miriam Cani dhe Alban Skënderaj, ky i fundit i përzgjedhur si imazhi i Digitalb.
“Kënga është në vazhdimësi të logjikës që Top Channel ndjek që nga vjet. Kemi integruar një artist në këngën tonë të fundvitit. Vjet ka qenë Frederik Ndoci, këtë vit kemi Alban Skënderaj dhe Miriam Canin. Kënga është ‘Ende ka shpresë’. Përmban disa simbolika, qoftë nga video, qoftë nga audio apo nga fjalët e përfshira në tekst që besoj janë një pasqyrim i të gjitha ngjarjeve që kanë ndodhur së fundmi në Shqipëri,” tha Alban Male, drejtori artistik i muzikës.