“Këngët e zogjve të egër” e Enes Karic vjen edhe në shqip

Vjen në shqip romani “Këngët e zogjve të egër”, një nga kryeveprat e shkrimtarit boshnjak Enes Karic, përkthyer nga origjinali nga Ben Andoni. Romani “Këngët e zogjve të egër”, botuar nga POETEKA, i vendos ngjarjet në Sarajevën dhe Bosnjën e fundit të shekullit XVI. Në Europë, Rilindja dhe idetë e saj kanë ndriçuar, por edhe tronditur jetën e kontinentit, por edhe mendjet përreth saj. Asokohe Perandoria Osmane provoi humbje nga ushtritë e bashkuara të forcave europiane. Këto sollën ndryshime sociale, që lanë gjurmë në jetën e atëhershme të vendit, por që ndeshen edhe sot. Një fëmijë që rritet vëzhgon ndryshimin e gjithçkaje: hyrjen e ideve të reja, ‘Botën e Re’, simbolet e saj, që ndërhyjnë në jetën e një qyteti, për të trazuar dhe ngritur dilema mbi rendin shpirtëror, besimin, dashuritë, krijimtarinë artistike, jetën e përditshme, të ardhmen. Një botë mes religjionit dhe laicizmit, arteve të lira dhe mistikës fetare, kokëfortësisë së tabuve dhe intimitetit njerëzor, krijon panoramën e së shkuarës që vështron nga ne. Me intrigat, konfliktet fetare dhe etnike, me komplotet, ndjenjat, lirizmin, paqen, pranimin dhe refuzimin e tjetrit, me fajet dhe fatet, personazhet, tejet ndjellës e kompleksë të kësaj vepre, sjellin lidhjen e njerëzve me vendin, me dramën dhe ekzotikën e rajonit, por mbi të gjitha, me frymën e epokës. Përveç romanit “Këngët e zogjve të egër” – një nga veprat më të njohura të tij, Enes Karic ka botuar me sukses veprat “Tulipani i zi” (përshkrime udhëtimi-2008); “Varreza hebreje” – roman; “Njeriu rastësor”, si dhe shumë përshtatje e përkthime nga Islami, mes të cilave edhe Kur’ani, që është botuar me shënimet e tij. Enes Karic është shkrimtar bashkëkohor boshnjak, një nga emrat më të njohur në hapësirën e letrare të Ballkanit – dijetar i diplomuar në Universitetin e Sarajevës për Shkencat Politike dhe në disiplinat e Studimit të Islamit. Ka doktoruar në Beograd. Specializimet e tij përfshijnë tema të ndryshme, kryer në universitetet e Al-Azhar (Egjipt), Kajros, Yale (SHBA) dhe Oksfordit (Britania e Madhe). Ai është bashkëpunëtor pranë UNESCO-s, ndërsa karriera e tij akademike e ka ngjitur në shkallën e dekanit të Fakultetit të Studimeve të Islamit në Sarajevë. Enes Karic ka qenë profesor i jashtëm në Universitetin e Ljubljanës dhe në universitetin “Ludwig Maximilian”. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm intelektual, kryeministri Haris Silajdžiæ e kishte në kabinetin e tij (1994-1996), ku Enes Karic kontribuoi si ministër i Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit.

SHKARKO APP