Kërkimi i suksesit në botën e enigmave, vështrim mbi romanin e autores, Adela Prifti-Çaushllari

Autorja e re shqiptare Adela Prifti-Çaushllari sapo ka botuar romanin e saj të parë me titull, “Anabela”, një histori amerikane e ngjeshur në ngjarje e personazhe…

Nga Adem Xheladini

Një rrëfim përplot enigma, karaktere synuese, ecejake nëpër jetë që ngërthehet në romanin “Anabella”, të Adela Prifti-Çaushllarit, mbrumur në mbi dyqindepesëdhjetë faqe, ku karakteret e personazheve përthyhen nëpër shtigjet e panjohura të asaj që quhet jetë. Ky hapërim kaq i guximshëm nëpër detin e trazuar të letrave, autoren e shndërron në një kapiten të sprovuar, ndonëse është hera e parë që ajo ngjitet t’i prijë botës së rrëfimtares.

Pesë motrat e një familjeje të madhe ngërthejnë pesë karaktere synuese për prestigj, ndonëse dalin nga një kasolle e braktisur… Ndonëse personazhet janë zhvendosur në veprim në një kohë e në një hapësirë tjetër, ata, personazhet pra, na duken kaq të afërt, sa nganjëherë nga pozita e lexuesit na bën të ndjehemi edhe pjesëmarrës aktiv të ngjarjes. Ata, po aq sa na flasin nga distanca, në të njëjtën kohë ndodhen në të njëjtin shteg dhe hapësira, apo më mirë të themi vendndodhja, duket e kudondodhshme. Jemi ne me atë, janë ata me ne, sa lexuesi, në çaste edhe të merr krahun e njërit a tjetrit personazh. Kjo ka të bëjë me mjeshtërinë e rrëfimit të romancieres, Adela Prifti-Çaushllari, e cila duket se ka përpara njohuri nga një botë e tërë e kinematografisë, por që njëkohësisht njeh thellë shpirtin e njeriut të zakonshëm. Struktura e rrëfimit duket e ngjeshur mjeshtërisht, sa  lexuesi nuk do denjonte të ndalte frymën në çast, e të hidhte veten vullnetshëm nëpër shtegtimin joshës të personazheve si Anabella, Aisi, Amanda, Tristi e Shenoni. Pas një katrahure tërmeti, Anabella kishte mbetur të jetojë me gjyshen e saj në një fermë në Hadson. Lorisi, ishte udhërrëfyesja e saj dhe personifikimi i Anabellës me Steisin, nënën e Anabellës, asaj i jepte krahë, sepse ajo gjithnjë atë që arrinte e bënte me vetëbesim e me vetëflijim, ndonëse në çaste shfaqej dyshuese ndaj vetes.

“Nuk ekziston përsosmëria, kudo ka mosmarrëveshje të shoqëruara me një dramë, por më pas përsëri ka dashuri”.

Ecejaket e ndrojtura në jetë të Anabelës, asaj  çupës çapkëne të rrëfimit nëpër fletët e romanit, të prirura nga maksima, të cilën gjithë këtij shtegtimi ia përsëriste gjyshja e saj Loris, personaliteti dhe fama e Stejsit (nënës së saj), e cila i jepte krahë të synojë suksesin, i japin krahë fluture për të shtegtuar mbanë.  Ndonëse fillet përshkohen pesimiste, ku jeta nis e shembur nga tërmetet, shkëndijat shprestare që po shfaqen horizonteve do ta shpiejnë rrëfimin në pozitivitet, kur kurora e suksesit do të shkëlqejë si epilog i rrëfimit, megjithatë…

Ku fshihet kjo enigmë e mos-heqjes dorë nga synimi për tek majat e suksesit?! Cilat janë krajatat jetësore të Anabelës? Ndonëse nuk arriti dot të përjetojë dashurinë amnore si vazhdimësi, që nga çasti kur Adams, u zhduk bashkë me Steisin dhe lanë të shkapërderdhur familjen, lotët e Aisit që kishte ndjekur skenat e zënkës mes prindërve, më pas ikja e Aisit, pa nam e nishan, lënia në mëshirën e gjyshes, Loris, e cila zuri vendin e së ëmës, nga ana tjetër krijojnë atë personalitetin synues të Anabelës, që u dha pas artit, përmes të cilit arriti majat! Megjithatë, Anabela nuk do t’i dorëzohet humbjes. Ajo beson tek vetja, ajo beson tek dashuria:  “thonë se dashuria të bën të harrosh shumë gjëra dhe të besosh pafund. Dashuria është një sferë kristali për të cilën duhet të përkujdesesh. Me frikën se mos e thyejmë, ndodh që biem dhe lëndojmë veten. Shpeshherë ikim në rrjedhën e rrëmbyer  të një ujëvare, në raste të tjera qëndrojmë në vend” [f88]

E ndodhur përballë jetës, me gjithë vrazhdësinë e saj, adoleshenca e Anabelës edhe përkundër kristaleve që ofron dashuria do të përballet me honet e egërsisë së jetës, ku do të ndjejë përdhunimin, por për të cilin nuk do t’i rrëfejë askujt. Krahu i saj Mia do t’i ngjallë asaj dëshirën për të vazhduar të jetojë në çdo çast kur ndodhej ngushtë. Misioni për të patur një mik të besueshëm në jetë, është personifikuar mjeshtërisht tek figura e Mias, e cila përpos suksesit të saj, njëkohësisht i gëzohej edhe suksesit të Anabelës.  Autorja, di të ngjeshë mjaft mjeshtërisht intrigën e jetës dhe synimin për shijen e saj me gjithë të papriturat që ajo shpalos në siparin e përditshmërisë. Ndonëse skenat, ngjajnë diku larg, në përtejoqean, lexuesi shqiptar, s’ka se si të mos mishërohet me Anabelën dhe për një çast të meditojë atë që e përthekon dhe të gjejë me saktësi skica nga jeta metropolitane, të cilat duken kaq të afërta edhe me realitetin e jetës urbane, si pjesë e përditshmërisë. E gjetur në këto rënie dhe ngritje të herëpashershme, si një varkë në det të turbullt, Anabela mbështetet tek filozofia e besimit tek vetvetja, ku gjithnjë duhet “të flasësh me veten, por jo përçart”.

E gjetur buzë greminës, në çastet kur gjeti veten të braktisur nga familja, e përdhunuar, e dashuruar njëkohësh e tradhtuar, Anabela, megjithatë i besoi vetes sepse mbështetja në filozofinë e vetvetes i dha kurajo të vazhdojë më tutje e të arrijë kulmin e suksesit, sepse këshillat miqësore të miqve, “kërko me sy ku është maja dhe  pastaj nisu për aty. Po nuk e arrite dot majën, do të arrish të paktën mesin”, lirisht mund të vlejnë edhe si maksima në jetë, në veçanti atyre që janë nisur udhës për shtegtimin drejt suksesit, sepse “etja për famë kishte filluar ta pushtonte pak e nga pak. Kështu ndodh me të gjithë artistët. Fama është sëmundje. Karriera nuk bën për frikacakët. Ajo është e denjë për njerëz ambiciozë që nuk i druhen frikës për dështim, por përkundrazi, i përballojnë me guxim sfidat e njëpasnjëshme. Nuk tërhiqen kur humbasin, riprovojnë përsëri. Kuptojnë kur gabojnë dhe përmirësohen. Kësaj i thonë të jesh këmbëngulës, guximtar, i etur, optimist dhe me vetëbesim. Ai që nuk i plotëson këto kritere është e kotë t’i futet kësaj rruge”. [155].

Në këtë rrugëtim, Anabela nuk do të ndalet sepse e ndodhur “gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim”,  edhe përkundër asaj se, “njerëzit shpesh kanë maninë ta nxijnë realitetin, sepse frika e tyre është më e madhe nga ç’ndodh në të vërtetë”.

Duke ditur se “Përsosmëria nuk ekziston, por rruga drejt saj është e hapur” dhe tek “Mrekullia e të ndjerit mirë me vetveten” përgjatë gjithë faqeve të skalitura mjeshtërisht nga autorja e romanit Anabela do të vërë në funksion synimin për tek e bukura se, “Gjithçka që ka një fund të bukur është bukuria vetë”, ajo, Anabela pra, e ndodhur nëpër këto udhëkryqe do të bëjë hapërime të guximshme duke i besuar vetes në atë shtegtim drejt suksesit, edhe pse “Disa njerëz, për ironi të fatit, i varros çmenduria e tyre. Ndoshta nuk e meritojnë, por mesa duket disa gjëra janë të shkruara”. E ndodhur mes këtyre enigmave, që herë-herë ngjajnë të pazgjidhshme, Anabela nuk do të heqë kurrë dorë nga synimi i majave të suksesit, sepse “E bukura e jetës është ta jetosh atë në maksimum. Për të gjetur guximin që përballon sfidat, duhet të gjesh në fillim guximin për ta përballuar në fillim sfidën më të madhe”.  Gjithsesi, këtij guximi i duhet dhënë shpirt, ashtu siç bën Anabela në shtegtimin e saj, edhe pse e ndodhur shpesh në luftën me veten dhe përballë mitit të Aisit, “ikonës së gruas me fytyrë porcelani”.  Megjithatë, “Jeta përjetësisht në tunelin vetanak, e pastaj veprat  e mëdha pa i lënë hapësirë dashurisë”, nuk do të ngjanin të natyrshme. Vetë jeta sa e sa herë ka sprovuar se dashuria, ndonëse është emocion, dhe shpesh flet zemra në vend të arsyes ka mbisunduar dhe ka ulur me këmbë përtokë vetë qenien gllabëruese të njeriut për famë e sukses edhe pse dihet botërisht se “Një njeri pa shpirt nuk mund të bëjë art”. Shfaqja e “raportit të njeriut me teatrin dhe jetën reale”, duket tejet e mirëndërtuar nëpër dialogjet që zhvillohen mes personazheve të shumtë që përshkojnë rrëfimin e romanit dhe mund të thuhet se ato komunikojnë shkëlqyeshëm me lexuesin e vargjeve të rrëfimit të Adela Prifti-Çaushllarit, dhe të sjellin gjithë një botë të përditshmërisë.

I ndodhur në këtë zhytje nëpër magjinë e strukturës së rrëfimit, lexuesi s’ka se si të mos konstatojë se autorja e njeh mjaft mirë botën e artit, sidomos atë të kinematografisë, ndërkaq rrëfenjat me kaq saktësi, na bëjnë të kuptojmë njohuritë e saj  të bollshme në këtë fushë, ku përmes personazheve na sjell edhe sekuenca nga bota e të famshmëve të produksioneve më në zë filmike. Dramaticiteti i rrëfimit të shpie herë-herë të jesh pjesë e tyre edhe të ndjesh njëherësh admirim dhe pezmatim. I nisur me shembje, i ngjeshur me dramaticitet të skajshëm për të arritur tek ngritja, megjithatë romani rrëfimtar Anabela, përfundon i kurortë. Në kulmin e këtij suksesi përmbi dramaticitetin e skajshëm dhe rënie-ngritjet e herëpashershme edhe përkundër xhelozisë, tradhtisë, krimit, e gjithë zymtësisë së jetës, autorja ka ditur me mjeshtëri ka ditur të sjellë edhe pozitivitetin, ku mbisundon edhe një frymë e re në orvatjet për të rrëfyer se përkundër dështimeve, sukseset nuk janë të paarritshme.

Përfundimi i rrëfimit, përmbyllet me bashkim përreth kultit të Anabelës, motrat, dy nipat, miqtë, po edhe nëna e saj Steisi, e cila në çastet e ngritjes së saj në majë të piramidës së suksesit arrin t’i flasë asaj ndërdijshëm.

Larmishmëria e personazheve, njohja e mentaliteteve njerëzore, mprehtësia e dialogjeve, njohuritë nga bota e artit, në veçanti të kinematografisë, por edhe dinamika e rrëfimit, nuk të lënë për asnjë çast indiferencën e shmangies nga kurreshtja, për t’u bërë njësh me personazhet brenda kësaj kutie të rrëfimit dhe të ndjehesh se jeton nëpër çastet rrëfimtare, por edhe pikëpamjeve të qarta për njohuritë mbi jetën, dosdo të bëjnë pjesë e pandashme e këtij kalvari rrëfimesh.

Një guxim kaq i madh, një rrëfim kaq i vëllimtë, nuk do mend se romancieren Adela Prifti-Çaushllari do ta fusë furishëm nëpër dyert e lexuesve. Ajo qysh me tani, troket fuqishëm në emocionet e tij dhe e bën për vete atë që me leximin e vargjeve të para të këtij rrëfimi. Dosdo, tashmë Adela Prifti-Çaushllari, po hulumton vendin e saj në letrat “ e së bukurës” dhe përmes këtij rrëfimi ajo ka arritur padyshim që të fusë në xhep kërshërinë e lexuesit, si dhe të krijojë çaste kënaqësie gjatë shtegtimit nëpër faqet e këtij romani.

Adem Xheladini, Kërçovë, 5 tetor 2017

 

SHKARKO APP