Kisha e Shën Mërisë që u kthye në repart ushtarak

Dr Niko FERRO –
Në një kodër të ulët në anën jugore të fshatit Golem i Madh të Lushnjës, ruhen ngrehinat e një kishe të vjetër të shndërruar në një repart ushtarak. Sipas dokumenteve arkivore kjo kishë ka qënë mjaft e dëgjuar dhe e moçme. Madje vendndodhja e saj paraqitet në shumë harta të vjetra topografike, ku shpesh është marrë edhe si pikë referimi si vendi ku duhet kërkuar stacioni i vjetër i periudhës romake, MANSIO MARUSIO.
Për këtë kishë banorët e vjetër tregojnë këtë gojëdhënë.
“Fillimisht këtë kishë donin ta ndërtonin në fshatin Golem i Vogël por për arsye të grumbullimit të popullsisë çobane, të vendosur në lindje të kishës u ndërtua në vendin që është sot. Kisha u ndërtua nga vetë çobanët. Kjo kishë u ngrit nga këta banorë në kohën kur u ndërtua kisha e Shën Kollit në Krutje plot 200-250 vjet më parë. Tingulli i kambanave dëgjohej shumë larg.”
Në arkivin e Muzeut Historik të Lushnjës ruhet një foto, që besojmë se është më e vjetra dhe e vetmja që tregon kishën në sfond para se të prishej në vitin 1967 dhe të shndërrohej në një repart ushtarak.
Sipas fotos kisha paraqitet me naos-in qendror, absidën dhe kambanoren mbi naos. Në anën e djathtë të kishës paraqitet një ndërtesë e shkëputur që ndoshta ka shërbyer si konak të kishës?
Ndërsa sot gjendja e saj paraqitet ndryshe. Oborri i kishës në anën jugore ka shërbyer dhe shërben akoma si varrezë për banorët si të qytetit ashtu edhe të fshatit. Kisha e vjetër dedikuar Shën Mërisë nuk ruhet më. Fotot e bëra vetëm pak ditë më parë tregojnë aq sa ka ngelur prej saj. Aty paraqiten dy ndërtesa të gjata të cilat gjatë kohës që ka qënë reparti ushtarak kanë shërbyer si vend fjetje për ushtarët dhe depo armatimi. Çdo gjë është e rrënuar, struktura ekzistuese nuk mbajnë dhe janë bërë të rrezikshme për besimtarët që duan të vijnë dhe të ndezin ndonjë qiri.
Në vend të përfundimit vëzhgimi jonë shtyhet edhe më tej. A mos vallë ka ardhur momenti që kjo kishë të restaurohet dhe të bëhet e vizitueshme nga turist vendas apo të huaj? Të gjithë janë kureshtar të shohin si është e mundur që një kishë të kthehet në repart ushtarak?. Shpresojmë në një zgjidhje në të ardhmen.

SHKARKO APP