Kjo verë e thatë politike për qeverinë dhe Ramën

Edhe pse zyrtarisht pushimet vazhdojnë, kjo s’duhet të ishte pengesë për idetë politike, për projektet apo nismat. Aq më tepër, pushimet s’duhej të frenonin apo të digjnin shanset për daljen nga kriza. Një krizë që është aty, as e reduktuar, as e zvogëluar, aspak e zbutur.

Teksa për çështjen e konfliktit të ashpër politik që do të nxjerrë krye shpejt me gjithë përmasat e tij, ka qenë Presidenti Meta që na ka kujtuar vazhdimisht, e ndërsa kryetari i opozitës ka vijuar denoncimet e krimit e të korrupsionit, dhe hera-herës ka paraqitur edhe ndonjë alternativë apo plan të tijin për të ardhmen, pra ka manifestuar energji dhe shënoi një sukses me Shkodrën, ai që ka qëndruar në stol, në shezlong si të thuash, gjithë këto kohë, ka qenë Edi Rama.

Kryeministri nuk ka propozuar asgjë për situatën politike, asnjë projekt për ekonominë, asnjë ide për thithjen e investimeve, asnjë shpjegim se ç’do të ndodhë me integrimin, asnjë platformë në një sektor të caktuar, qoftë edhe për turizmin, dhe asnjë diskutim ose risi për arsimin, meqë në shtator nis sezoni i ri shkollor dhe universitar.

Është bërë tashmë edhe shef i gjithë bashkive, ka krejt pushtetin dhe territorin, dhe nuk tregon asgjë se ku do ta çojë vendin e tërë kjo çudi e pahasur më parë, thjesht ka shpallur se nuk do të hiqen gratë nga puna.

Kjo mund të cilësohet pa frikë si vera më e thatë politike për Edi Ramën.

E vetmja gjë që ka prodhuar, kanë qenë masat, aksionet anti-informalitet, një furi që në thelb synon frikësimin edhe më tej të njerëzve dhe bizneseve, çka i shkon për shtat qëllimit të tij për ruajtjen e statuskuosë dhe shtypjen e revoltës.

Aksioneve dhe masave, sigurisht u shtohet e përhershmja propagandë. Dhe kaq. Masa dhe propaganda, aksion dhe propagandë. Kjo, ishte vera e kryeministrit në vitin e 6 të qeverisjes, teksa punët e vendit nuk shkojnë aspak mirë, dhe kur po shtohen radhët e atyre që duan të ikin. Të ikin një ditë e më parë.

Kjo letargji verore, nuk është e zakonshme për një qeveri dhe një kryeministër që pretendon se po bën për Shqipërinë atë që nuk është bërë në 28 vite. Meqenëse ai e do pushtetin me çdo kusht, dhe, edhe pas 1 mijë skandaleve, e pas provimit se zgjedhjet e fundit ishin të prekura në nderin e tyre, zgjedhje të njollosura e të damkosura tashmë në sytë e mbarë botës, nuk jep asnjë shenjë tërheqjeje apo mundësie për të shkuar edhe një herë para popullit për të marrë ose bekimin për të vazhduar, ose biletën për të ikur, në këto kushte, një udhëheqës i tillë do të duhej të ishte duke gëluar nga idetë, projektet, platformat, zgjidhjet e mëdha për vendin.

Po asnjëra nga këto nuk po ndodh. Rama duket se kërkon thjesht të ruajë gjendjen aktuale, qëndrimin në vend, siç jemi. Kjo për të shtyrë ditët, muajt, dhe për të mbyllur mandatin, për të çuar deri në fund, ato projektet e mëdha financiare, për të cilat akuzohet e denoncohet çdo ditë nga PD dhe shumë gazetarë investigues.

Nëse këto nuk qëndrojnë, dhe kryeministri kërkon të qeverisë se ndjen se ka ende për të dhënë, atëherë del se përtej vullnetit të mirë, ai është i lodhur, i varfëruar në ide, në mendime, pa platformë, pa vizion, pa një piketë në horizont se ku kërkon të arrijë. Dhe pa kreativitet. Tashmë, edhe produktet e PR-it të tij, ngjajnë njësoj. Të vjetruara.

Mendon se do e hedhë edhe këtë vjeshtë, me tezat e drejtësisë. Por ndoshta duhet t’i bëjë edhe një herë llogaritë.

Prokuroria antikorrupsion, SPAK, dhe organet e tjera të drejtësisë së re, janë padyshim të mirëpritura. Ato kanë rolin dhe hapësirën e tyre. Rendësi jetike kanë. Mirëpo, zor se ato sjellin cilësi në arsim, vende të reja pune, pensione e paga më të larta, nxitje të biznesit, sipërmarrjes. Nuk shtojnë konsumin, nuk rritin besimin, energjinë në ekonomi. As qarkullimin e parasë. Ato nuk sjellin mirëqenie e nuk ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve, gjysma e të cilëve mezi bëjnë 4 ditë pushime, dhe kanë vështirësi të mëdha në përballimin e shpenzimeve të fillimit të shkollës për fëmijët e tyre.

Këto janë detyrat e një qeverie. Por kjo e jona, duket se është fishkur në këtë verë të nxehtë, dhe nga poret e saj, nuk çel më asnjë syth. Bulëron vetëm ideja, ajo e njëjta, e kahershmja. Të qëndrojë në karrige me çdo kusht.
Mapo.al

SHKARKO APP