Kohëzgjatja e pandemisë, Rama i thërret ndërgjegjes së shqiptarëve: Nëse do na duhet të shkojmë në planin D, Zoti na ndihmoftë!

Duke i paraprirë pakënaqësive që mund të lindin nga kategoritë që nuk janë përfshirë në Programin Financiar të ndihmës në kushtet e pandemisë, kryeministri Edi Rama foli për disa skenare të ndryshme për përballimin e pasojave.

“Plani ynë i financimit të luftës nuk do të jetë një plan i vetëm, por një plan A me një rezervë B dhe me një rezervë tjetër C  dhe nëse armiku nuk largohet dhe të do nevojitet një plan D” u  shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

Kryeministri la të kuptohej se secili plan reagimi ekonomik është i ndryshëm nga tjetri, në përshkallëzim nga pozitivi në negativ, i varur nga kohëzgjatja e pandemisë në vend. Pra, sa më shumë të zgjasë pandemia, aq më e vështirë do të jetë për ekonominë e vendit.

“Nëse armiku nuk largohet për 6 muaj, dhe na duhet plan D atëhere Zoti i madh na ndihmoftë se do zbulojmë cfarë forme ka një plan D”, tha kryeministri.

Ai apeloi qytetarët që tu qëndrojnë strikt këshillave për ruajten e distancës së sigurisë dhe të mos hedhin në kosh të gjithë sakrificat e bëra deri më tani.

“Jemi të gjithë të kërcënuar njësoj. Sot është koha për të kursyer gjithçka mundemi. Nuk shkon që këtë sakrificë, kufizime skandaloze lirie që i kemi pranuar të gjithë bashkë si domosdoshmëri jetike ti hedhim në plehra duke mos qenë në gjendje të mbajmë një radhë si duhet në derën e një dyqani.Nëse në oraret e lejuara për këmbësorët ne grumbullohemi siç kemi bërë tërë jetën te dera e autobusit dhe nuk i bëjmë dot një vijë distancë nga njëri-tjetri kjo do të thotë të hedhim në plehra tërë frytet e sakrificës duke u mbledhur si cjepër të hanxharin e kasapit të padukshëm që ka ardhur të na hajë kokën.Çfarë të bëjmë më? Të dënojmë me burg ata që nuk po duan akoma të marrin vesh? Çfarë ka akoma të vështirë për të kuptuar se çdo grumbullim mund të jetë i fatalshëm për familjen tonë”, tha Rama.

Përballë precedentëve të tillë si Italia, ai kërkoi ndihmën e të bindurve.

Të gjithë  atyre që janë futur në llogoren e rezistencës dhe janë 99% e kusur e popullsisë kur shkoni në radhë mos heshtni por kërkojini kujdo që u rrezikon jetën e familjes suaj duke thyer distancën  e sigurisë të bëjë të njëtën gjë si bëni ju” tha Rama.

Shefi i qeverisë tha se është jetike që gjithësecili prej nesh të vetëdijësohet për rrezikun që i kanoset dhe se kjo situatë nuk është e mundur të zgjidhet vetëm me policë te koka.

“Policia nuk është si koronavirusi që është kudo.Nuk mund të kapë çdo shkelës sikundër e kap ky armik i padukshëm. Ashtu siç jemi bërë tërë ushtarë në këtë luftë duhet të bëhemi dhe policë ku dikush rreth e rrotull na kërcënon jetën me papërgjegjshmërinë e tij.Nuk është koha për sherre por për sensibilizim kudo e kurdo që shfaqet një shqipe e keqkuptuar rrotull nesh. Ne e kemi në dorë fatin tonë në këtë luftë.Duke mos hequr dorë nga rezistenca ne mund të dalim prej kësaj lufte pa plagë të pashërueshme dhe pa grumbuj të vdekurish si në Italinë mike dhe fqinje. Ta bëjmë këtë luftë me bollëkun e zemrës deri në fund për fëmijët tanë dhe gjyshërit e tyre, për familjen e vogël dhe familjen tonë shqiptare. Nuk do të na e falë historia që nga një luftë pa armë dhe pa ushtri përballë ne të dalim kokëulur për zakonet dhe fajet tona. Zoti i shqiptarëve është i madh dhe na dhëntë të gjithëve forcën që na duhet në këtë sprovë të tmershme me vetëveten”, tha Rama.

Para se të prezantonte planin, kryeministri tha se një ndër opsionet e diskutuara ishte që ata që fitojnë më shumë do të paguanin më shumë, por që në fund ishte tërhequr për të mos dhënë mesazhin e krijuar perceptimin e gabuar se kjo masë merret në kushtet e pamundësisë së arkës së shtetit.

Po ashtu, kryeministri theksoi se askush nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 3 muajsh dhe se Shqipëria nuk e ka luksin për të shpenzuar me planin e lehtësimit ekonomik.

Rama nënvizoi faktin se situata e coronavirusit, nuk është e ngjashme me atë të tërmetit, e se në këtë rast jemi totalisht vetëm, ku secili duhet të mbrojë veten dhe familjen e tij.

SHKARKO APP