Kokëfortësia në zbatimin e PPP

Nga Sadedin Çeliku – 

Ky ligj e ka zanafillën çerekshekulli përpara kur nisën ta përdorin vende të mëdha që kishin vështirësi për financimin e shërbimeve publike dhe investimeve të projekteve strategjike, të cilat kërkonin fonde të mëdha dhe që për qeveritë ishin të papërballueshme. Kjo ishte ana e dukshme, qëllimi tjetër ishte futja në përdorim të parave që vinin nga korrupsioni me fondet publike dhe para që vinin nga trafiqe të ndryshme. Nga ana tjetër duhet theksuar se në përgjithësi ligji (PPP) në mjaft raste është përdorur nga vende të varfra si Mali, Mauritania, Maroku, Polonia, Portugalia, Gana, Hungaria, Tanzania, Uganda, Peruja, Bullgaria, Rusia etj.

Zgjidhet kjo metodë në shërbimet publike, jo për efikasitetin që ata përfaqësojnë, por për mungesën e transparences, ndërkohë që lejon shpenzime të detyruara “jasht bilancit” duke fshehur në këtë mënyrë kostot reale e të vërteta të projekteve e sipërmarrjeve të ndryshme. Kjo lejon gjithashtu anashkalimin e kufijve ligjorë të buxhetit shtetit dhe krijon premisa për pastrim parash për shkak të vështirësive në monitorimin e të ardhurave e shpenzimeve.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se ligji në fjalë ndikon mjaftueshëm në shmangien e monitorimit të buxhetit publik apo deficitit publik. Në praktikë citon FMN-ja qeveritë shpesh përfundojnë me kosto dhe rreziqe të larta fiskale.

Çfarë është Partneriteti Publik Privat ? Është një metodë e financimit në të cilën një autoritet publik përdor ofruesit private për të financuar dhe menaxhuar pajisjet që ofrojnë një shërbim publik. U shfaq dhe dështoi në Mbretërinë e Bashkuar Britanike në vitin 1992, modeli u aplikua në Francë në vitin 2004 e cila gjithashtu dështoi.

Ekspertët deklarojnë se ç’vendosja e shërbimeve publike nga shteti tek privati është zgjidhje afatshkurtër për shkak se qeveritë do duhen të paguajnë për vite me radhë. Në deklarimin e fundit Banka Botërore u shpreh me nota negative sa i përket ligjit ( PPP ) që nëse do të vazhdojë të aplikohet në ekonomi gjatë, risqet fiskale do të rriten dhe gjasat janë të bëhen të rrezikshme e të papërballueshme që do të thotë humbjet e partnerit privat do të financohen nga shteti dhe barra e riskut do të rritet ndërkohë që nuk do të arkëtohet asnjë lek tatim. Në raportin e Bankës Botërore zonja Maryan Salim, përfaqësuese e BB në Tiranë theksonte se Shqipëria renditet e 14-ta në 82 shtete për shkak se mbi 200 marrëveshje konçensionare nuk kanë rezultuar të suksesshme dhe shpenzimet nuk përfshihen në buxhet, duke i hapur rrugën parave të pa kontrolluara që vijnë nga trafiqet e korrupsioni. Ky ligj krijon detyrime të drejtpërdrejta e të tërthorta për qeverinë.

Vlerësimi dhe bërja publike e këtyre detyrimeve është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e ndonjë rreziku të mundshëm fiskal. Aktualisht, implikimet fiskale të PPP nuk përfshihet plotësisht në dokumentet buxhetore apo në pasqyrat respektive të financave publike.

Në vëndin tonë duhet bërë mjaft kujdes sepse është vendosur një praktikë e keqe keqqeverisje që përkrahet e mbështeten metoda të dështuara. Duke patur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik, borxhi i lartë që ju kemi huadhënësve(kredi dhe eurobonde), borxhet e këqija të cilat po krijohen me shpejtësi e po kthehen në barrë për popullin që deri tani kanë shkuar në një miljard euro, mungesën e transparencës, mungesën e përvojës kontraktuale, korrupsionin dhe informalitetin e lartë, qeveria duhet të heqë dorë nga kjo sipërmarrje e keqe sa më parë, ndryshe vendi dhe ekonomia do futet në krizë dhe ato që do të paguajnë si gjithmonë, populli shqiptar.

SHKARKO APP