Koment lidhur me projektit më të ri Thumanë- Kashar

Nga Sadedin Çeliku –

Sipas projekt-idesë së qeverisë lidhur me ndërtimin e segmentit Thumanë-Fushë-Krujë-Kashar janë parashikuar 14 nënkalime, 34 rrugë dytësore, 12 ura dhe 3 mbikalime e cila sipas projektueseve siguron një shpejtësi 140 km/orë kur Franca para pak ditësh urdhëroi që shpejtësia maksimale të mos kalojë 80 km/orë. Në një vend ku aksidentet me pasojë kapin shifra të frikshme, ne parashikojmë shpejtësi të mëdha me rrugë plot me gabime dhe jo të standardit europian.

Ideja e shkrimit është përshtypja që më bën mua pse jo dhe bindja, se projektuesit janë nën trysninë e investitorit pra qeverisë dhe partnerit privat që merr përsipër ekzekutimin e projektit kundrejt marrëveshjes me qeverinë (partneritet publik+privat).Për pasojë vërejmë se po preferohen projekte me preventiva të fryra e të papranueshme për shkak të kostove mjaft të larta, parashikohen profile, kapriata dhe mallra e lëndë të para luksi sikur të jemi vend i pasur dhe pa probleme, planifikohen e projektohen vepra arti dhe atje ku nuk janë të domosdoshme. Kështu ndodhi me sheshin kryesor të kryeqytetit i cili mban peng prej 3 vitesh qytetarët për shkak të gardheve me dhe pa vend, nuk punohet gjatë ditës le më natën siç punon gjithë bota, kohazgjatja e kontratës le për të dëshiruar kjo për shkak të preventivave të fryra. Sikur të mos mjaftojë kjo kanë filluar punimet dhe tek xhamia e Et’hem Beut se nuk mund të rehabilitohesh njëherësh në të njëjtën kohë me sheshin.

Po le ti kthehemi temës për të cilën më shqetëson si qytetar por dhe si specialist. Detyra e projektit të segmentit Thumanë-Fushë-Krujë Kashar është parashikuar me shumë vepra arti sikur terreni të jetë krejtësisht malor ndërkohë që përgjatë këtij segmenti kemi vetëm fusha dhe prioritet në ndërtimin e rrugëve nuk shikoj asgjëkund. Sipas zotërinjëve që kanë bërë studimin e fizibilitetit në këtë segment do të kalojë një trafik prej 24-67 mijë automjete. Shikoni çfarë diapozoni ka studimi kur unë besoj se nuk do të ketë trafik më shumë se 25 mijë automjete dhe riciklimi i fondit nuk do të mund të bëhet kurrë. Gjatësia segmentit do të jetë 21 kilometra dhe gjurmët që ndjek rruga do të përfshijë vetëm 14 fshatra kundrejt 300 të tilla që ka rrethi Krujës e Tiranës. I gjithë projekti do të kushtojë 250 milionë euro ose rreth 12 milionë euro kilometri përfshirë dhe veprat e artit. A është vërtet ky segment më i domosdoshëm dhe më prioritari që i duhet shqiptarëve , çfarë është mbajtur parasysh, se vërejmë se prek vetëm 14 fshatra? Sa zhvillim do marri biznesi i këtyre anëve dhe sa do të mund ti shërbejë komunitetit? Me këtë strategji dhe me këto politika zhvillimi del se rrugët po i privatizohen privatit i cili gjithë jetën do marri taksat rrugore duke rënduar pa kuptim përdoruesit e rrugës në përgjithësi dhe drejtuesit e automjeteve në veçanti.

Pse ky nxitim i madh për të vijuar me ndërtimin e rrugëve pa llogaritur pasojat ekonomiko-sociale? Pse nuk përcaktohen me efektivitet e rentabilitet prioritetet, planet afatshkurtëra dhe afatgjata dhe pse nuk publikohen ato? Dikur ka patur një këshill rrugësh me ekspertët më të mirë të vendit i cili jepte mendime kryeministrit kurse sot vendimmarrja është personale dhe kur nuk je specialist i fushës? A kemi të drejtë të themi se ato mund të kenë dhe prapavija të padëshirueshme pse jo dhe korruptive ?

S’besoj se ka qytetar që nuk gëzohet kur investohet, por kur ato nuk marrin parasysh mendimet e komunitetit dhe studimi bëhet pa patur parasysh problemet kryesore të qytetarëve atëhere ato humbasin qëllimin dhe kuptimin për të cilën investohen për shkak se në fund të fundit ky popull do të paguajë edhe rrugët edhe gabimet ndaj tyre.

SHKARKO APP