Koncert historik, Rolling Stones “elektrizojnë” Kubën

Mijëra kubanë dhe fansa nga vende të tjera të botës shijuan për orë me radhë koncertin e grupit legjendar “The Rolling Stones” në Havana, që elektrizoi Kubën mbrëmjen e të premtes.

Gjithçka nisi me hitin e vitit 1968 “Jumpin’ Jack Flash”, një këngë që kubanët e njohin mirë, sepse e dëgjonin fshehtazi në disqet e asaj kohe, pavarësisht deviacionit ideologjik të asaj kohe.

Më pas, koncerti vijoi me hitin “It’s Only Rock ‘n Roll (But I Like It),” që i çoi kubanët peshë, duke nxjerrë në pah edhe shijet e tyre kulturore, pas dhjetëra vitesh izolim.

Mijëra fansa pushtuan kompleksin sportiv ku u mbajt koncerti që në orët e pasdites, edhe ata që udhëtuan nga ishujt e Karaibeve apo të huajt që fluturuan në Havana enkas për të marrë pjesë atje.

Nuk mungonte as flamuri amerikan, ndoshta gabimisht duke menduar se The Rolling Stones nuk janë britanikë, por amerikanë, apo ndoshta duke shijuar ende vizitën historike të presidentit amerikan Barack Obama atje më herët gjatë javës.

“The Rolling Stones” u formuan në Londër në 1962. Në atë kohë regjimi i Fidel Castros e bënte të pamundur rebelimin me këngët e tyre apo flokët e tyre të gjatë, ndërsa këngët e Rolling Stones apo Beatles nuk lejoheshin të dëgjoheshin as në Radio dhe as në Televizioon.

Por për ironi të fatit, gjysmë shekulli më vonë, edhe Rolling Stones edhe udhëheqësit e Kubës, ndanin të njëjtat emocione, gjatë këtij koncerti.

SHKARKO APP