Konferencë shkencore në Shtëpinë e Bardhë

Fati i shqiptarëve gjatë dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 -13 qershor 1878)

Nga Nuri Dragoj/Më 10 qershor 2017 udhëtonim për në Prizren. Me inisiativën e zotit Kastriot Bezati*, Shoqata Atdhetare e Kulturore Përmeti, në bashkëpunim me bashkinë e Prizrenit, organizuan një konferencë shkencore me temë “Vëllezërit Frashëri, Përmeti dhe Kosova”. Udhëtoja me shokun tim, vlonjatin e mirë Dashamir Aliu. Ndërsa makina përshkruante me shpejtësi një e nga një kilomatrat mbi rrugën e kombit, vetvetiu biseda përqëndrohej në ngjarjet e zhvilluara 139 vite më parë në Prizren, kur rreth 300 burra, nga të katër vilajetet shqiptare, u bënë pjesë e Kuvendit të madh të Prizrenit, që do të merrte emrin “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Prej tyre, 100 vetë vinin nga krahinat përmetare, kryesisht nga ajo e Dangëllisë, Dëshnicës dhe Ceries, me në krye Abdyl Bej Frashërin.

Ndërsa vazhdojmë udhëtimin, na dalin para syve portretet e figurave të shquara të asaj ngjarjeje, Ymer Prizreni, kryetar i qeverisë, Sulejman Vokshi, ministër i mbrotjtjes, Iliaz Pashë Dibra, kryetar i Kuvendit, Abdyl Frashëri ministër i Jashtëm, Ali Bej Gucia, Hasan Pashë Tetova, Abdulla Pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban Bej Prizreni, Jashar Bej Shkupi, Haxhi Shabani e shumë të tjerë.

Dashamir Aliu dhe Zaim Dragoj ia marrin këngës: Abdyl shite pasurinë, një barrë flori  / Vajte tek Bismarku brenda, ndënje në skami… Unë dhe Aurora Mezini bënim iso. Dhe si i thonë fjalës, kënga shkonte gjym. Populli e kishte përjetësuar në vargje veprimtarinë diplomatike të Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, të cilët trokitën në dyert e gjithë diplomacive europiane. Por Shqipëria nuk njihej nga bota. Për Fuqitë e Mëdha, kombi shqiptar nuk ekzistonte. Bashkëudhëtarët e mij vazhdonin këngën: Djalë nga je ti? / Unë jam nga Shqipëria, Abdyl Frashëri! / Ju lutem shikoni mirë, Ju për Shqipëri / Mos e bëni copa copa, sikur s’ka njeri / S’jemi grekër, as bullgar, as nga Mali i Zi / Jemi vetëm shqipëtarë dhe duam liri / Të rritur në ato male, me libra në gji.

Mbërritëm në Prizren. Fillimisht shkuam te shtëpia ku zhvilloi punimet Kuvendi i Prizrenit. Ajo u dogj nga ushtria serbe në vitin 1998, por prizrenasit e ringritën sërish, ndonëse shumë dokumente u morën prej trupave ushtarake. Nuk dihet ç’u bë me to. Me siguri janë zhdukur. Ora 10. Organizatorët e ceremonisë çelin aktivitetin. Nxënësit aktorë të shkollës së mesme imituan udhëheqësit e Lidhjes së Madhe, Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin, Sulejman Vokshin e të tjerë krerë të saj. Fjalën e mori dhe Ramadan Muja, kreu i bashkisë së atij qyteti. Këngë dhe recitime të shumta kushtuar asaj ngjarjeje të madhe, ku merrnin pjesë dhjetra poetë nga të gjitha trojet shqiptare.

Pastaj u drejtuam për në Shtëpinë e Bardhë ku do të zhvillonte punimet konferenca. Ishte godina ku gjendej zyra e kryetarit të Bashkisë së Prizrenit. Shtëpi të Bardhë, veç Amerikës kishte dhe Prizreni. Një godinë e vendosur përballë rrugës që binte në sy menjëherë, e pastër dhe e bardhë si ajo. Salla ishte mbushur plotë. Historiani Katsriot Bezati, pasi falenderoi pjesëmarrësit dhe bashkinë e qytetit të Lidhjes, tregoi për rëndësinë e atij kuvendi gjigant, ku morën pjesë përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, duke u përqëndruar në rolin e vëllezërve Frashëri. Pas tij e mori fjalën z. Ramadan Muja, kryetar i Bashkisë së atij qyteti, i cili në përshëndetjen e tij vlerësoi rëndësinë historike të Lidhjes së Prizrenit dhe falenderoi Shoqatën Atdhetare e Kulturore Përmeti, kryetarin e saj Kastriot Bezati dhe gjithë të pranishmit. Kishin ardhur aty dhjetra njerëz nga Dangëllia e Dëshnica, nga gjithë Përmeti.

Pastaj e morën fjalën me radhë profesorët Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Sherif Bundo, Moikom Zeqo, Parim Kosova, Nuri Dragoj, Taulant Bicaj etj., të cilët bënë një analizë shkencore të ngjarjeve të asaj kohe dhe të rrjedhimeve të mëvonshme të fatit të çështjes kombëtare shqiptare.

Milo vuri në dukje se pavarësia e Kosovës ishte produkt i pushkës së UÇK-së, të të cilën nuk mund të jepej ndihmë nga dashamirësit e Shqipërisë. Profesor Sherif Bundo tregoi për vlerën filozofike që ka fjala dhe puna, sipas përcaktimit të Sami Frashërit, ndërsa professor Xhufi e vuri theksin te përpjekjet e shqiptarëve për mbijetesë gjatë sundimit osman.

Trojet shqiptare përballë Konferencës së Londrës

 Në kumtesën time unë vura në dukje se Rusia, në bashkëpunim me Francën, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të e intensifikoi punën në mbrojtje të të krishterëve që ndodheshin në territorin e Perandorisë. Objektivi i saj ishte zgjerimi i trojeve sllave në gadishullin e Ballkanit. Pas luftës ruso-turke, me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit më 1877, Rusia bëri të pamundurën për të ndarë trojet shqiptare në dobi të sllavëve, duke e realizuar atë pjesërisht me anë të Kongresit të Berlinit, kohë kur Serbia fitoi dhe pavarësinë.

Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, qershor 1878, shqiptarët i shtuan përpjekjet për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe kërkesat për autonominë e Shqipërisë. Vitet 1911-1912 u karakterizuan nga zgjimi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe përpjekjet për të fituar autonominë e Shqipërisë erdhën duke u rritur. Veçanërisht pas Kuvendit të Gërçes, të 23 qershorit 1911, lëvizja patriotike mori përmasa të gjera duke u shtrirë edhe në jug. Në verën e vitit 1912, kryengritja gjeti shtrirje në Prishtinë, Shkup, Shkodër e deri në Vlorë. Ndërkohë, kryeministri i qeverisë osmane dha dorëheqjen. Pasuesi i tij u detyrua të pranonte paketën me 24 kërkesa të shqiptarëve, ku u përjashtua vetëm pika në të cilën kërkohej nxjerrja në gjyq e ish – kryeministrit të mëparshëm dhe dënimi i administratës së kaluar. Qeveritarët premtuan reforma në Shqipëri, duke përfshirë edhe një lloj autonomie të padeklaruar plotësisht.

Rritja e kërkesave shqiptare për autonomi, i trembi fqinjët e Shqipërisë. Për pasojë viti 1912 u shoqërua me disa nënshkrime marrëveshjesh midis vendeve ballkanike, siç ishte traktati i 13 marsit midis Serbisë e Bullgarisë, ku bëhej fjalë për ndarjen e trojeve shqiptare. Më 29 maj u nënshkrua traktati greko-bullgar dhe në korrik, Mali i Zi bëri marrëveshje verbale me Bullgarinë. Të përfshira në Aleancën Ballkanike, shtetet e këtij gadishulli nuk i lanë kohë qeverisë perandorake për të provuar vërtetësinë e premtimeve të dhëna në dobi të shqiptarëve. Më 8 tetor 1912 nisi Lufta Ballkanike. Serbia u nis nga Veriu, Mali i Zi po i drejtohej Shkodrës, ndërsa Greqia pushtoi Pashalimanin. Pikërisht më 8 tetor, Rusia dhe Austro – Hungaria firmosën një deklaratë, sipas së cilës, Lidhja Ballkanike nuk duhej të përmbyste Traktatin e Berlinit, pra nuk do të ndryshonin kufijtë territorialë. Gjithsesi perandoria austrohungareze e shihte me frikë pretendimin serb për dalje në Adriatik nëpërmjet një porti shqiptar, ndërsa Rusia i druhej ndonjë aksioni në këtë rajon nga ana e austro – hungarezëve.

Nën pretekstin e largimit të ushtrisë osmane, fqinjët e Shqipërisë synonin copëtimin e saj. Kjo luftë nxitej nga diplomacia ruse, e cila kishte ndikim të fuqishëm në Serbi, politikanët e së cilës u bindeshin verbërisht. Cari i Rusisë pranonte që kishte nxitur sllavët kundër perandroisë osmane dhe nëse nuk do të fitonte aleanca ballkanike Rusia kishte vendosur të futej në luftë në mbështetje të tyre, edhe po të kërcënohej paqja në Europë. Në bisedën e ambasadorit britanik me carin dilte në pah edhe fakti që ndryshimet e kufijve në ballkan ishte e vështirë të bëheshin pa një luftë të përgjithshme.

Tendenca kryesore e shteteve që përbënin Aleancën Ballkanike ishte që pas luftës, fitorja e tyre të shpërblehej me territore nga pjesët e Turqisë Europiane. Harta e kësaj pjese të kontinentit europian, nënkuptonte Shqipërinë, e cila ndodhej ende nën administratën turke. Humbja e luftës nga ana e Perandorisë, u jepte të drejtë ndërluftuesve ballkanikë të bënin pazar me tokat e kolonive të saj.

Pas luftës ishte e vështirë që shtetet e aleancës ballkanike të hiqnin dorë tërësisht nga pretendimet e veta. Ata do të këmbëngulnin patjetër për rishikime të kufijve. Në fakt, Ballkani më tepër se një aleancë shtetesh qe përfshirë në kaos. I vetmi moment që i bashkonte ishte aspirata për copëtimin e Shqipërisë dhe fshirja e saj nga harta ballkanike. Londra ishte e shqetësuar pikërisht për shkak të konfuzionit ballkanik.

Madje edhe vetë serbët nuk e kishin parashikuar të përparonin aq shpejt  dhe të merrnin Shkupin në pak ditë, gjë që ndodhi për shkak se ushtrua turke u tërhoq nga luftimet dhe rezistencë bënë vetëm shqiptarët, të cilët nuk ishin të organizuar si duhet dhe u mungonin armatimet. Sipas ambasadorit vjenez në Beograd, nëse shqiptarët do të kishin luftuar bashkë me turqit, serbët nuk do ta kishin të lehtë. Në pasditen e 22 tetorit të vitit 1912, përpara se Serbia të sulmonte Sanxhakun dhe Novi Pazarin, kryeministri serb Pashiç, thirri në një takim ministrin britanik në Beograd, Ralph Paget dhe i parashtroi një pjesë të planeve për pushtimin e territoreve shqiptare.

Austro-Hungaria ishte e vendosur në formimin e një shteti shqiptar sa më të qëndrueshëm, pasi siguronte daljen e saj në Selanik. Sipas Vjenës, asnjë pjesë e bregdetit shqiptar nuk do të kalonte në favor të Serbisë. Ata mendonin që në Sanxhak jetonin pak shqiptarë dhe përjashtonin mundësinë e lidhjes së tij me Shqipërinë. Po ajo nuk mundej të lejonte mbajtjen nga Serbia të çfarëdo pjese të Sanxhakut”. Nëse ndodhte kjo, Serbia dhe Mali i Zi do të bënin marrëveshje me Bullgarinë në kurriz të Austrisë. Pra, do të ndërtonin një kombinim sllav, që do të shtrihej nga Deti i Zi deri në Adriatik dhe do të bllokonte kufirin e Hercegovinës. Madje do t’ia mbyllte rrugën edhe Austrisë për të ardhmen në Detin Egje. Nëpërmjet intrigave dhe trazirave, ajo do të kthehej në kërcënim për sundimin e Austrisë në Bosnjë – Hercegovinë, si edhe në provincat fqinje. Në një moment të tillë, rreziku për Austrinë nuk ishte i shpërfillshëm. Në veri mjaftohej duke u dhënë shqiptarëve prefekturën e Prizrenit, Pejë, Lumë, Hot dhe malësinë e Gjakovës.

Politika zyrtare britanike, ndonëse ishte për formimin e një Shqipërie autonome, me madhësi të arsyeshme, gjë që duhej të mbështetej nga gjithë Fuqitë e Mëdha, vinte si kusht që Austro Hungaria të pranonte që t’i jepej Serbisë porti i Shëngjinit, por njëkohësisht shprehte dyshim mbi qëndrimin e Rusisë.

Rusia mbështeste me forcë interesat serbe, madje i zbriste pretendimet e tyre deri në Durrës. Ajo pajtohej me krijimin e një Shqipërie autonome, por këmbëngulte që territori i shtetit shqiptar të ishte fare i vogël, një rripë buzë bregdetit dhe të mos shtrihej më gjerë, ndërsa lidhur me portin e Shëngjinit mendonte se kjo ishte më e pakta që duhej pranuar nga Vjena. Ambasadori rus në Paris, Izvolski, krijimin e Shqipërisë e shihte si një eksperiment pa sukses të Austrisë, sepse malësorët shqiptar ishte vështirë të mblidheshin në një shtet, për pasojë trazirat do të qenë të vazhdueshme.

Italia ishte për një Shqipëri autonome por që ajo të pajtohej me interesat e ligjshme të Serbisë. Sipas Romës, Shqipëria duhej të asnjanësohej me një garanci europiane për të shmangur keqkuptimet midis Austro-Hungarisë dhe Italisë. Edhe pse kishte aleancë me Austrohungarinë nuk dëshironte të dilte kundër Malit të Zi, madje pajtohej dhe me politikën ruse për të patur si kryeqytet të Shqipërisë Elbasanin dhe Shkodra ti mbetej Malit të Zi, si shpërblim i lidhjeve familjare midis dy dinastive, të Savojës dhe Petroviçëve.

Gjermania shprehej kundër planeve serbe për të penguar krijimin e një shteti shqiptar, por nuk përjashtonte mundësinë e ndërtimit të një hekurudhe, e cila duhej të lidhej me një port të lirë. Gjermania e quante të paarseyshëm pretendimin serb, ku dukej hapur mungesa e plotë e çdo ndjenje të masës, pasi bëhej fare qesharak dhe nuk u linte shqiptarëve asnjë territor që t’ia vlente të flitej për të.

Rumania ishte për autonominë e Shqipërisë dhe kundër daljes së Serbisë në bregdetin shqiptar, të cilën e arsyetonte me dëshirën e 150 mijë vllehëve për t’u përfshirë në shtetin shqiptar, për të cilën ndikonte dhe afërsia e gjuhës me njëri-tjetrin.

Diplomacia franceze u angazhua tërësisht në përkrahje të Rusisë dhe shteteve ballkanike dhe doli kundër pjesëmarrjes së Rumanisë në Konferencën e Ambasadorëve.

Serbia mendonte se trojet që do të pushtonte gjatë luftës kundër ushtrisë perandorake, do të mbeteshin nën zotërimin e saj, pasi pretendonte se ishin pjesë e Serbisë së Vjetër.

Athina shfaqej si aleate e sigurt e Serbisë dhe kundërshtare e vendosur e pavarësisë së Shqipërisë, për pasojë kundërshtonte synimet austrohungareze për dalje tregtare me rrugë hekurudhore në Selanik si dhe zgjerimin e trojeve shqiptare në veri, duke patur Shkodrën kryeqytet.

Aleanca ballkanike mbështeste kërkesat serbe, malazeze dhe greke. Në mesin e muajit nëntor, kryeministri bullgar Geshov u takua me ambasadorin britanik Bax- Ironside të cilit i deklaroi se austriakët do të lejonin patjetër një port të Serbisë në Adriatik, pasi aleatët ballkanikë ishin të vendosur të mbështetnin Serbinë dhe se shteti bullgar nuk pranonte një Shqipëri të pavarur. Ai insistonte për ndarjen e trojeve shqiptare midis Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë. Disa orë më vonë edhe ministri bullgar i Financave do t’i deklaronte Bax-Ironsides, se bullgarët do të qëndronin pranë aleatëve, në mbështetje të daljes së tyre në Adriatik, duke luftuar deri në ushtarin e fundit. Ndërkaq, Stojan Danev pati një audiencë në Budapest me perandorin e Austrisë dhe me arkidukën Franc Ferdinand. Danevi ishte dërguar nga mbreti bullgar, që ndodhej në shtabin luftarak të Stara Zagorës, për të informuar kontin Berchtold, se Bullgaria do ta mbështeste aleaten e vet me vendosmëri, për të patur një port në Adriatik.

Diplomatët anglezë informonin Londrën se Ismail Qemali, që përfaqësonte shqiptarët, shprehej i vendosur për të mbrojtur të gjitha trojet ku përgjithësisht flitej gjuha shqipe dhe do të luftonin deri në vdekje, që vendi i tyre të mos coptohej, në të kundërt do të kishte trazira dhe kryengritje të vazhdueshme derisa të detyroheshin Fuqitë e Mëdha të ndërhynin.  Me pretendimet serbe nuk pajtohej as ambasadori britanik në Shen Perterburg, sipas të cilit “nga pikpamja etnografike Serbia nuk kishte asnjë të drejtë të kërkonte territore të Shqipërisë”. Bushanan mendonte se interesat ekonomike të Serbisë mund të plotësoheshin me anë të një hekurudhe transballkanike me dalje ne Adriatik.

Përkundrazi, ambasadori anglez në Beograd, Ralf Spencer Paget, i referohej bisedës me Jonvanoviçin lidhur me çështjen e Sanxhakut, i cili deklaronte se ai do të bëhej i Serbisë dhe se Austria mund të hynte aty vetëm duke kaluar mbi kufomat serbe. Ivanoviç mendonte se Austria dhe Italia mund të konsultoheshin së bashku, por asnjera prej tyre nuk mund të merrte trajtën e protektoratit mbi Shqipërinë. Dhe kjo ishte e vërtetë. Tomasso Tittoni pohonte në vitin 1904, se rëndësia e Shqipërisë qëndronte te portet e saj, të cilat synoheshin njëlloj si nga Italia, ashtu dhe nga Austro-Hungaria. Në rast se ndonjëri prej këtyre dy shteteve do të orvatej të shtinte në dorë atë rajon, tjetri do t’i kundërvihej me të gjitha mjetet.

Pashiç pohoi për Paget që, nëse Austria kërkon thjesht një dalje tregtare nëpërmjet Sanxhakut, mund të konceptojmë ndonjë rregullim, i cili t’u përshtatet nevojave të saj. Sipas tij Vjena duhej të linte nën zotërimin e Serbisë territoret me popullsi serbe.

Më në fund, pas shterimit të bisedave diplomatike, filloi lufta. Realisht ajo kishte nisur më parë, por diplomacisë europiane i pëlqente të shtirej e verbër. Kishin preferuar të bënin sikur nuk e kishin kuptuar, që plani i Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë ishte të pushtonin dhe ndanin midis tyre trojet shqiptare. Gjithçka nën pretekstin e çlirimit të rajonit ballkanik prej ushtrisë osmane. E vërteta ishte që diplomacia europiane vepronte e përçarë. Ajo nuk kishte shans për të ndalur vrullin e Aleancës Ballkanike që mbështetej nga Rusia dhe Franca. Por ajo favorizohej nga pozitat e tërhequra të Anglisë. Kështu, pas paralajmërimit të Austrisë, për moslejimin e Serbisë të dilte në portet e Adriatikut, këta të fundit planifikuan ta bënin fakt të kryer sulmin ushtarak mbi bregdetin shqiptar. Për këtë arsye, më 6 nëntor, ushtritë serbe marshuan drejt Durrësit. Ndërsa Mali i Zi sulmoi Shkodrën. Të nesërmen Serbia u dërgoi një notë zyrtare ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha, ku zyrtarizonte pushtimin. Me këtë rast Serbia i tregonte dhëmbët edhe Austrisë. Me pushtimin e Durrësit ajo merrte mbi vete edhe pasojat e çdo lufte të mundshme ndaj Austrisë.

Ambasadorët ranë dakord që ditën e parë për formimin e një shteti shqiptar autonom, kufijtë e të cilit në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë të ishin të përbashkët, të lejohej një dalje e Serbisë në Adriatik dhe shteti të ishte në varësi të Perandrorisë Osmane. Vjena këmbënguli për një autonomi të qëndrueshme por u kundërshtua nga fuqtë e tjera të cilat nuk pranonin të bazoheshin në konsiderata etnografike.

Aleatët ballkanikë i kërkonin Perandrosë Osmane që t’i lëshonte të gjitha zotërimet në Europë me qëllim që çështja e pavarësisë së Shqipërisë të menaxhohej nga shtetet ballkanike ne bashkëpunim me Fuqirtë e Mëdha, por Grey deklaroi prerë se ajo do të ishte vetëm në kompetencë të Fuqive të Mëdha dhe shtetet ballkanike nuk kishin punë me të. Rusia kërkonte që kufiri lindor të shkonte përtej liqenit të Ohrit dhe deri te Drini i Bardhë, duke bërë që gjithë territoret nga Rrafshi i Dukagjinit, Kosovë, Sanxhak e Pazar i ri, të mbeteshin jashtë kufijve të Shqipërisë. Mali i Zi nuk mjaftohej me Shkodrën por e kërkonte kufirin te lumi Mat. Greqia afrohej në Karaborun, dilte në Këlcyrë dhe përfundonte në lindje të Pogradecit. Në këto rrethana Grey njoftoi Athinën zyrtare se Gjiri Vlorës nuk duhej të prekej, gjë që e pranonte dhe Venizellos, pasi nuk dëshironte konflikte të ashpra me Italinë, por shtonte që pjesët e tjera të vilajetit të Janinës të përfshiheshin brenda kufijve të saj.

Më 6 shkurt ambasadori gjerman Lihnovski paraqiti një zgjidhje kompromisi për kufirin verior, në të cilin i jepej Malit të Zi, Hot, Grudë, Plavë, Guci dhe Pejë, për Serbinë lihej Prizreni dhe Manastiri i Deçanit dhe Shqipërisë i mbetej Kastrati, Kelmendi, Shkreli, Luma, Dibra dhe Gjakova. Ky propozim i pëlqente dhe Italisë, pasi ajo qe e interesuar për të dobësuar influencën austrohungareze në territorin shqiptar.

Vjena nuk u pajtua me kërkesën ruse, sipas së cilës, lëshimi i Shkodrës të kompensohej me Taraboshin, Lumën, Dibrën e Gjakovën. Berchtold ishte njohur me masakrat serbe ndaj popullsisë myslimane dhe katolike në atë rajon. Pas kësaj përplasjet midis dy perandorive erdhën duke u tensionuar, pasi Rusia nuk pranonte që Gjakova e Dibra t’i mbeteshin Shqipërisë, me pretendimin se ishte popullsi e krishterë, kur në të vërtetë ishte e kundërta. Por Rusia nuk e konsideronte koncension të Austrohungarisë lëshimin e Gjakovës dhe të Dibrës, pasi sipas  saj, Austrohungaria nuk i kishte kërkuar kurrë seriozisht ato për Shqipërinë. Madje Serbia u bënte apel Fuqive të Mëdha që të tregonin kujdes për popullsinë e krishterë, pasi me tërheqjen e trupave serbe do të mbeteshin “përballë fanatizmit të fiseve trubulluese të Shqipërisë”.

Më 21 mars Austrohungaria u detyrua të hiqte dorë nga Gjakova dhe Dibra dhe një ditë më pas Grey ua bëri të ditur gjithë Fuqive të Mëdha, duke e quajtur të hapur vendosjen e kufijve në veri dhe verilindje të Shqipërisë, ndërsa trupat serbe dhe ato malazeze duhej të tërhiqeshin menjëherë nga trojet shqiptare.

* Katriot Bezati, historian, kryetar i Shoqatës Atdhetare e Kulturore Përmeti, organizator i konferencës shkencore “Vëllezërit Frashëri, Përmeti dhe Kosova”, zhvilluar në Prizren, më 10 qershor 2017.

SHKARKO APP