Kongresi i Lushnjës, kepi i shpresës së madhe për Shqipërinë

Nga Kastriot Kotoni –
…”Kur Ismail Qemali më 28 Nëntor të vitit 1912 u përgatit të shpallte panvarësinë e shtetit shqiptar kërkoi një flamur shqiptar dhe nuk e gjeti. Murat Toptanit i ra ndër mend se e kishte parë një flamur në shtëpinë e Vlorajve, tek të cilët ishte mysafir. Ia kërkuan Eqrem bej Vlorës atë flamur që ia kishte dhuruar Alandro Kastrioti, sikur ta kish ndjerë ditën e panvarësisë”….këto rreshta janë perifrazuar nga parathënia e librit “Eqrem bej Vlora Ditar(Nga Berati në Tomorr dhe kthim) e shkruajtur nga Ernest Koliqi. Një variant tjetër i treguar për historinë e flamurit është, se flamurin e kishin dhuruar shqiptarët e Amerikës për Marigo Pozion në Korfuz, e cila më pas e stilizoi dhe ua dha grave vlonjate për ta shumëfishuar, apo flamurin e pruri me vete Spiridon T. Ilo nga Bukureshti. Ndonëse në kujtimet e një Nënkonsulli austro-hungarez, i quajtutur Kraus, i shkruan ministrit të jashtëm baronit Fon Erental në Vjenë…”më 3 shtator të vitit 1908 me rastin e zgjedhjes në parlamentin osman të Ismail Qemalit, i cili sapo zbriti në Skelë, e cila ishte stolisur me ngjyrat e flamurit kuq e zi….” I shkruajmë këto fakte si dhe faktet që do të përshkruajmë më poshtë për të treguar, se pas çdo aktiviteti dhe prapaskene poltike për të ardhur tek “Kongresi i Lushnjës”, qëndronin patriotët shqiptarë, qëndronte shpirti i një populli, që kish derdhur gjak në mbrojtje të tokave shqiptare. Së pari hapja e së parës mbledhje të “Këshillit Kombëtar” SENAT më datë 27 “III”1920 ndër të tjera falenderon ndërmjetësinë njerëzore dhe drejtësinë e lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës zotit Willson. “…Jemi të sigurtë që kombi i madh i Amerikës që ka shpallë parimet e njerëzimit e të Drejtësisë ka me qenë një mbrojtëse e të drejtave tona kombëtare. Përpara gjithë botës së qytetëruar Shqipërija paraqitet me një lutje ”Drejtësi kërkojmë dhe e drejta të na jepet”…”
Faktori i shqiptarëve të Amerikës fill mbas krijimit të Federatës “Vatra” kish arritur të dëgjohej në kancelaritë e perëndimit. Faik Konica me Fan Nolin po dëshmonin një çështje shqiptare që duhej zgjidhur me drejtësi. Gazeta “Dielli” përkrahte kryengritjet antiosmane të viteve 1908, 1911-1912, si një bashkim i shqiptarëve pa dallim fetar dhe organizuan një çetë vullnetarësh, të cilët kishin veshur uniformën kuq e zi në kapelën e të cilëve ishte motoja “Liri ose vdekje” dhe u shfaqën në ditën e shpalljes së panvarësisë në Vlorë. Për çështjen shqiptare u mblodhën nga “Federata Panshqiptare Vatra” 150000 dollarë në shqërbim të delegacionit shqiptar që do të kryente takime në kancelaritë e Evropës. Poezia e Fan Nolit “Jepni për Nënën”, i mbushi zemrat me atdhedashuri të emigrantëve shqiptarë të cilëve nga 40 mijë dollarë që iu kërkua ata e dhjetëfishuan shumën. Faik Konica së bashku me Nolin kërkonin që në krye të fronit shqiptar të zgjidhej një përfaqësues nga familjet e perëndimit dhe e mirëpritën me entuziazëm ardhjen e “Princ Vidit”. Ideali i tyre ishte një Shqipëri evropiane si Norvegjia, Danimarka, Hollanda e Belgjika. Në një letër që F. Konica i shkruante albanologut anglez Aubrey Hebert, ai thekson se paqja dhe sigurija në Shqipëri mund të vendoset nëpërmjet një dinastie oksidentale. Në vitin 1913 Faik Konica dhe Fan Noli erdhën në Evropë për të ndjekur nga afër punimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Pasi sensibilizuan opinionin evropian për çështjen shqiptare në Londër e Vjenë, ata morën pjesë në kongresin e Triestes. Fan Noli, i cili e mori fjalën i pari në këtë kongres, theksoi se Kosova në veri dhe Janina në jug duhet të përfshiheshin në shtetin shqiptar. Në gazetën “Dielli” ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1914 mbas largimit të Princ Vidit u përshkruan me nota tronditëse dhe shtrohej pyetja në formë apeli: -“Ku janë shqiptarët që kanë detyrë me dekë për Shqipërinë? Ku janë shqiptarët vezirë të mëdhenj, që shpëtuan njëqind herë Turqinë?” Intelektualët e Komunitetit Shqiptar të Amerikës si Faik Konica, Fan Noli, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, Kolë Tromara ishin të bindur, se asnjë lëvizje e kombeve të vogla nuk mund të kurorëzohej me sukses, në qoftë se ajo nuk gjente mbështetjen e ndonjë fuqie të madhe evropiane ose botërore. Sipas tyre, ishte pikërisht mungesa e kësaj mbështetjeje, e cila solli edhe dramën e përgjysmimit të trojeve kombëtare në verën e vitit 1913. Betejat e reja në fushën diplomatike u bënë pjesë e rëndësishme të strategjisë së re të veprimit politik të Federatës “Vatra” në shërbim të çështjes shqiptare. Mehmet Konica caktohet më 1916 si përfaqësues i Federatës pranë vendeve evropiane. Ndërkohë, në tetor të vitit 1916 Fan Noli, që mori pjesë si përfaqësues i Federatës në Konferencën e Kombeve të Robëruara, që u mbajt në Uashington, argumentoi nevojën e sigurimit të Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë. “Shqipëria doli nga sallat e errëta të diplomacisë evropiane, pas një operete të gjatë dhe të zorshme, pas 9 muajsh. “Copa të mëdha dhe të çmuara thjesht shqiptare u shkëputën prej Shqipërisë dhe iu dhanë Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë”: – theksonte Fan Noli. Me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së ku u organizua një aktivitet më 18 korrik të vitit 1918, po ashtu Fan Noli si përfaqësues i “Vatrës”, u takua me presidentin amerikan Ëillson. Premtimi i presidentit Willson i cili tha se: – “Unë kam një zë në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor edhe për të drejtat e Shqipërisë”, Noli iu përgjigj, se ai zë është i mjaftueshëm për Shqipërinë dhe ne do të jemi vdekërisht të gëzuar dhe fare të sigurtë për të drejtat tona”. Po në prag të Konferencës së Paqes, Federata “Vatra” kishte caktuar në Evropë edhe dy përfaqësues të tjerë pranë qeverisë amerikane në Ëashington. Njëri prej tyre ishte shqiptarofili i shquar amerikan Tejlor Erikson, ndërsa tjetri ishte Kostë Çekrezi. Partia Politike e krijuar nga Sevasti(Dako) Qiriazi u përfaqësua në Konferencën e Paqes në Paris me Parashqevi Qiriazi dhe Mihal Gramenon. Dy prej delegatëve të diasporës shqiptare të Amerikës, Mehmet Konica dhe Mihal Turtulli, të cilët para se të shkonin në Paris morën pjesë në Kuvendin Themelues të Qeverisë së Durrësit me bekimin e “Vatrës”. Në vazhdën e përpjëkjeve dhe të luftës në shumë drejtime të shqiptarëve për bashkim e çlirim kombëtar, kleri katolik ka patur një rol të veçantë. Atë Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Preng Doçi, ishin sa udhëheqës së kulturës, por dhe të poltikës si pjesë e luftës së shkëputjes së popullit shqiptar nga sundimi osman. Në rradhët e delegacionit shqiptar, që do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris në mes tyre ishte edhe Imzot Luigj Bumçi dhe Atë Gjergj Fishta. Si kryetar delegacioni Imzot Luigj Bumçi protestoi tek presidenti Willson për krimet e kryera nga serbët mbi popullsinë e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë. Ai i dërgoi atij listën e viktimave në zonën e Rugovës dhe kërkoi që trupat amerikane të futeshin në këtë zonë. Rreziku i copëtimit të vendit pas marrëveshjes “Titoni-Venizellos” e detyroi delegacionin e qeverisë së Durrësit që të dërgonte kryetarin e vet, L. Bumçi në Vatikan, për të takuar personalisht Papa Benediktin XV, të cilit në emër të shqiptarëve, t’i kërkonte të përdorte autoritetin e vet në mbrojtje të krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës nga aneksimi grek, me qëllim që krahinat në fjalë t’i mbeteshin Shqipërisë. Papa Benedikti XV, pasi e sqaroi ipeshkvin shqiptar, se nuk mund të ndërhynte pranë qeverisë së Italisë dhe Francës, sepse marrëdhëniet e Vatikanit me këto qeveri nuk ishin të mira, i premtoi atij se do të takohej urgjentisht me ambasadorin anglez dhe atë amerikan në Vatikan, të cilëve do t’u kërkonte të qëndronin në krah të popullit shqiptar. Në mars të vitit 1920 Imzot Bumçi dhe Mihal Turtulli, me cilësinë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, shkuan në Londër për të tërhequr përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për çështjen shqiptare. Në Londër përveç Hebertit (kryetar i shoqatës së miqësisë Britani-Shqipëri) dhe Misis Durhamit (e deklaruar mikeshë e shqiptarëve), delegacioni u takua edhe me Fili Kerr (sekretar i ministrit jashtëm anglez) dhe Leeper (ekspert për çështjet ballkanike pranë delegacionit anglez në Paris), etj. Imzot Bumçi në komunikimin e tij mes delegatëve shqiptarë ishte shprehur se ndër vendimarrësit evropianë të Konferencës është kristalizuar një mendim se shqiptarët nuk kishin aftësi të mirëqeverisin ndaj dhe porosiste “Pikë së pari duhet të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njëri-tjetrin. Duhet të shuejmë hidhënimet e mëritë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve e të mos ashpërsojmë marrëdhëniet ndërmjet Shqiptarëvet prej çdo krahinash e prej çdo fenash që të jenë. Për të mirën e atdheut duhet sot që ma i madhi të bëhet më i vogël përpara të tjerëve. Udha politike tjetër që duhet të mbajmë ësht kjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat kundërshtare të njëri-tjetrit e të përpiqemi të fitojmë besimin e miqve e nderimin e armiqve”. Edhe pse aspiratë e Imzot Bumçit dhe atdhetarëve të tjerë shqiptarë për një Shqipëri etnike nuk u përmbush, Konferenca e Paqes e Parisit nën ndikimin përcaktues të presidentit amerikan të kohës, Wilson, të paktën, nuk lejoj zhdukjen nga harta politike e Ballkanit të shtetit shqiptar.
Shterimi i fakteve historike që çuan drejt thirrjes së Kongresit të Lushnjes për nga kronologjia e ngjarjeve do të ishin të njëjta si me historinë e flamurit kombëtar, apo më e thjesht akoma është historia se kush e pruri në Shqipëri himnin kombëtar i cili është kënduar në çdo rast me vargjet e plota dhe shumë sinjifikative “Në dorë armët do t’i mbajmë/ të mbrojmë atdheun në çdo kënd/ të drejtat tona ne s’i ndajmë/ këtu armiqtë s’kanë më vend” edhe përpara “Duçes” në Itali. Kënga e Kongresit të Lushnjes me tekst të Ferit Vokopolës u përhap me shpejtësi nga banda muzikore e “Vatrës”. Në Lushnje as duhet ta këmbejmë historinë sempliste të daljes së vajgurit me etjen e një populli për liri dhe mbrojtjen e trojeve të veta siç rreken ta denigrojnë veprimtarinë patriotike të shqiptarëve të shquar disa të ashtuquatur historian profanë, dhe as nuk është shumë e rëndësishme dora e fshehtë e kulisave të diplomatëve të botës. Le t’i referohemi fjalimit të Ali bej Këlcyrës dhe Luigj Gurakuqit në parlamentin shqiptar me rastin e hapjes së seancës së parë të këtij Kuvendi Kushtetues në vitin 1924. Ali bej Këlcyra pasi bën një pasqyrë të historisë së Shqipërisë qysh në kohët e lashta e më tej tek epoka e ndritur e Skënderbeut, ku siç thekson Këlcyra, – “Skënderbeu ishte më i madhi hero evropian i cili pengoi osmanët që të depërtonin në portat e Vjenës. Turqia në Shqipëri lozi politikën më të hollë e më dëmprurëse nga çdo vend tjetër. Qeveria turke duke çmuar trimërinë dhe guximin e kombit shqiptar me provat e hidhta që pati në luftrat e rrepta, për të sjellë përçarje midis popullit, për të mos e lënë atë me ndërgjegje të plotë kombëtare, adoptoj politikën perfide duke dhënë tituj e pasuri të pakufizuar parisë duke e përdor atë si vegël. Por arma më e egër më e tmerrshme që përdorte në dëm të ndërgjegjes kombëtare ishte arma fatale e çarjeve dhe intrigave fetare, shkaku principial i zgjatjes së robërisë sonë dhe e gjithë mjerimeve dhe fatkeqësive tona. Më tej Ali bej Këlcyra përmend Ali Pashë Tepelenën si një kryetar despotik që kish marrë përsipër të realizonte indipendencën e kombit shqiptar. Mjerisht ndarjet fetare më njërën anë dhe intrigat e parisë e ndalën të përfundonte me sukses veprën trimërore të Ali Pashë Tepelenës. Më pas Këlcyra i referohet Abdul Frashërit si ati i patriotizmit shqiptar. Në këtë fjalim prej 10 faqesh të Këlcyrës kemi si në një panoramë të shkurtër të historisë së Shqipërisë deri në Kongresin e Lushnjes për të cilin shkruan: – ”Në Lushnje hapet një fazë e re e jetës s’onë nacionale, atje fillon epopeja kombëtare e këtyre viteve të fundit. Shqiptari i mbështetur në vullnetin e tij e të forcës së shpirtit të tij, vendos të rrojë i lirë dhe kryelartë kundër vendimit të gjithë botës së qytetëruar e cila e tradhëtoi popullin shqiptar, i cili i mbështetur në gjithë fuqinë e tij vendosi me një heroizëm të vdesë me nder se sa të jetojë me turp, vendosi të vdesë me dëshirën e vet e jo me vendimin e Evropës me një agoni të mërzitshme. Në Lushnje u vendos luftë, kundra të gjithëve, luftë kundra kujtëdo sa do i fortë të jetë që të guxojë të shkeli kufijtë e Shqipërisë, të drejtat e saja vitale minimumin e 1913. U dëshmua se në çdo pëllëmbë toke të atdheut i huaji të mos gjejë veç një kapicë kokallash dhe një tokë gërmadhash të cilat në mes të shkretëtirave të jenë si një shenjë protestimi të përjetshëm në historinë e lirisë kombëtare kundra padrejtësisë diplomatke evropiane”. Ky fjalim përcillet me duartrokitje nga të pranishmit dhe e merr fjalën Luigj Gurakuqi, i cili thotë ndër të tjera: – “Përfaqësues të popullit shqiptar Sovran. Parafolësi im Z. Ali Këlcyra bëri një pasqyrë sinoptike të historisë së Shqipërisë, të historisë së kombit shqiptar, qysh prej ditës së Skënderbeut e deri në ditët tona. Shkoi me shpejtësi me fjalë të bukura dhe rrëmbyese të gjitha ngjarjet që shkëlqejnë më tepër në historinë tonë, që tregojnë mundimet e popullit shqiptar për lulëzimin e kombit, që tregojnë se Shqipëria ka jetë, ka gjallëri. Deri në ditët e fundit ka qenë hapur një fjalë, ka qenë formuar një opinion se shqiptarët nuk dinë të mblidhen, nuk dinë të bashkohen e nuk dinë t’i shtrijnë dorën njëri-jetrit vetëm në ditët e rrezikut e po kaloj rreziku shqiptarët shpërndahen dhe nuk kanë qëndrim në besën e dhënë e nuk dinë të vazhdojnë për të mirën e kombit të vetë. Le të marrim ngjarjet e këtyre viteve të fundit ku populli shqiptar ka bërë disa mbledhje në kohra të rrezikut që me të vërtetë kanë tronditur opinionin botëror dhe kanë tërhequr vëmendje ndaj nesh, mirëpo gjithmonë në ditë rreziku. Këto tre vjetët e fundit populli shqiptar ka treguar se jo vetëm është i gatshëm që të mblidhet në kohët e rrezikut por është i gatshëm të mendojë për të ardhmen, është i zoti të bëjë ligje që i përkasin përmisimit të gjendjes së tij. Mbledhja e Vlorës, mbledhja e Durrësit, mbledhja e Lushnjes u bënë me qëllim që të shpëtojnë atdheun nga kërcënimet e të huajve, me qëllim që tu tregojmë atyre se shqiptarët nuk ndrydhen aq lehtë e se Shqipëria do të rrojë”.
Ngjarjet që pasuan më pas e deri në ditët tona, ndonëse Ali bej Këlcyra thosh, se gabimet të na bëhen mësime kur e kishte fjalën për kryengritjen e Haxhi Qamilit dhe të një shqiptari tjetër të fesë orthodokse si Zografi, i cili luftonte për Vorio –Epirin, nuk janë ndarë ndoshta me aktorë të tjerë por sa herë e kanë çuar Shqipërinë drejt humnerës. Faik Konica ndonëse e përkrahu në fillim qeverinë e Nolit e këshilloi atë që të organizonte zgjedhjet dhe të ulej në një tryezë me opozitën me një kompromis që të krijohej një komision i përbashkët për të organizuar zgjedhjet dhe të dyja palët të falnin njëra-tjetrën, dmth një amnisti morale. Por siç dihet kjo letër i ra në dorë me vonesë Fan Nolit. A. Zogu po ashtu nuk mund të shfaqësohet me faljen e Manastirit e Shën Nuamit kur Komisioni Ndërkombëtar e njihte si tokë shqiptare. Cikleve pirandike të mbajtjes së pushtetit me dhunë ose me vjedhje votash duhet t’u jepet fund dhe të mblidhet poltika shqiptare nën fjalët magjike të Imzot Bumçit ku i madhi të respektojë të voglin, por edhe me urtësi dhe durim të madh t’i japin dorën njëri-tjetrit për të mirën e Shqipërisë. Dalja nga parlamenti dhe djegia e mandateve nga opozita shqiptare precedent botëror i pajustifikuar e ka çuar klasën politke shqiptare në braktisjen e detyrës ndaj qytetarit dhe e ka lënë përfaqësimin e tij pa asnjë llogaridhënie si në epokën e indigjenëve. Kanë bërë apo jo një meaculpa, këta politikanë, që tani janë ulur në tavolinë me pozitën për Kodin Zgjedhor?
Përgtiti: Kastriot Kotoni

SHKARKO APP