Konsumi i ”ujit të rëndë”, ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës
Për të minimizuar rrezikun e sëmundjes së zemrës, si dhe për të parandaluar një sërë problemesh të tjera shëndetësore, uji ideal duhet të përmbajë kalcium dhe magnez të mjaftueshëm për të qenë një ujë mesatarisht i rëndë. Nuk duhet bërë asnjë përpjekje për të eleminuar elementët si bakri dhe hekuri; kur këta elementë janë në sasi të ulta në organizëm do duhet të merren në formë suplementesh. Ky është një nga përfundimet në të cilat ka arritur Organizata Botërore e Shëndetësisë, në raportin e saj voluminoz “Ushqyesit në ujë të pijshëm”, i cili është një përmbledhje e një sërë studimesh serioze të kryera në të gjitha kontinentet, duke nisur nga Azia, Europa, Afrika e deri në Amerikën e Veriut.
Zgjedhja: Ujë i lehtë apo ujë i rëndë, është prej kohësh një nga dilemat më të mëdha për konsumatorë. Shpesh herë kjo zgjedhje nuk ndikohet në mënyrë logjike nga gjykimi shkencor mbi efektet shëndetësore të ujit, por vetëm nga perceptimi që krijojnë në mendjen e njerëzve mbiemrat “i lehtë” – “i rëndë”. Shpeshherë togfjalëshi “ujë i rëndë”, apo “ujë i fortë”, të krijon idenë e një lënde që do të rëndojë stomakun dhe do të jetë i vështirë për t’u absorbuar nga organizmi i njeriut. Por, a është i saktë ky përceptim? A është i bazuar shkencërisht? A është me të vërtetë uji i rëndë, apo uji i fortë i papërshtatshëm për organizmin?
Raporti i OBSH “Ushqyesit në ujë të pijshëm”, vërteton krejt të kundërtën e gjithë hamendësimeve dhe përceptimeve të gabuara që janë krijuar në publik. Sipas këtij raporti Kalciumi, Natriumi, Kaliumi, Klori, Magnezi, Hekuri, Zinku, Bakri, Cromi, Jodi, Cobalti, Molibdeniumi dhe Seleniumi janë mineralet dhe elektrolitet më të rëndësishme që duhet të përmbajë ushqimi ynë i përditshëm dhe po ashtu uji i pijshëm që konsumojmë. Këto janë padyshim elementet më thelbësore për ushqimin, shëndetin dhe mirëqënien e njeriut. Provat e siguruara nga studimet epidemiologjike sugjerojnë që fortësia e ujit është e lidhur me efektet e dobishme për shëndetin e njeriut. Të dhënat, të cilat mbështeten në studime të kontrollit të rasteve konkrete, vërtetojnë një marrëdhënie kontradiktore mes konsumimit të ujit të rëndë dhe sëmundjeve kardiovaskulare ose cerebrovaskulare. E thënë më thjeshtë, elementet përbërëse të ujit të rëndë, si magnezi, kalciumi etj. ndikojnë në uljen e rrezikut nga sëmundjet e zemrës.
Kalciumi
Kalciumi është minerali që gjendet më shumë në trupin e njeriut (1.5-2.0% e peshës trupore), ku 99% është i depozituar në sistemin kockor dhe 1% në lëngun ndërqelizor. Përpos rolit kryesor në forcimin e kockave, kalciumi është shumë i rëndësishëm për sistemin hormonal, transmetimin nervor, kontraktimin e muskujve, përfshirë këtu mirëfunksionimin e zemrës.
Magnezi
Magnezi është elementi i dytë për nga sasia që gjendet në trup, ku 60-65% e sasisë totale është e depozituar në sistemin kockor. Magneziumi ndikon në më shumë se 300 procese enzimatike që ndikojnë direkt në metabolizëm. Është thelbësor për mineralizimin dhe zhvillimin e sistemit kockor dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në përshkueshmërinë qelizore dhe aftësimin e neurotransmetuesve.
Sodiumi, Potasiumi dhe Klori
Në lëngun ndërqelizor sodiumi dhe potasiumi janë kationet kryesore ndërsa klori funksionon si anioni kryesor. Këto elektrolite luajnë një rol kryesor në funksionimin e lëngut ndërqelizor, balancimin e ambjentit acid – bazik, transferimin e impluseve nervore dhe kontraktimin e muskujve. Gjithashtu klori është i domosdoshëm për prodhimin e acidit klorhidrik.