Konsumi po zhvendoset nga rakia tek birra, sinjalizohet rritja e akcizës
Nga viti 2012 deri në fund të 2018-s, konsumi i birrës është rritur me 8% duke sinjalizuar një tendencë të qëndrueshme rritjeje. Sipas një studimi të ekspertëve të INSTAT, rritja e nivelit të të ardhurave dhe ndryshimi i stilit të jetesës po e zhvendos konsumin nga rakia te birra. Ky trend sinjalizon hapësirat për rritje të mëtejshme të akcizës tek birra thuhet në studim.
Konsumi i alkoolit në Shqipëri është dominuar tradicionalisht nga rakia, e përdoret gjerësisht si një zëvendësues më pak i shtrenjtë i verës ose birrës, dhe zakonisht prodhohet nga familjet në zonat rurale për vetëkonsum.
Sidoqoftë, konsumi i rakisë sidomos në brezat e rinj po zëvendësohet mësë shumti me birrën dhe verën. Në vitin 2018, oferta e birrës për frymë te popullsia e rritur ishte 50 litra. Ekspertët e INSTAT kanë vërejtur gjatë dekadës së fundit se, për shkak të preferencave të konsumatorit dhe ndryshimeve të sjelljes, vërehet një zgjerim i tregut të birrës. Në të vërtetë, birrat më të shtrenjta në treg janë marka të importuara, me reputacion.
Alkooli, përfshirë konsumin e birrës, ndikohet nga disa faktorë, kryesisht çmimet dhe të ardhurat. Gjetjet sugjerojnë se rritja me 10,0% e të ardhurave të konsumatorëve në vendin tonë do të rrisë sasinë e kërkuar të birrës me 13,0%.
Familjet me një nivel më të lartë të shpenzimeve harxhojnë një pjesë më të ulët të buxhetit të tyre për alkoolin, ndërsa vlerat e njësive janë më të larta në familjet me një nivel mesatar shpenzimesh.
Pjesa e buxhetit për pije alkoolike është më e madhe në familjet me më shumë burra dhe ato me nivel të lartë arsimor.
Studimi ka gjetur se përgjithësisht, rritja e konsumit të birrës nuk është shoqëruar me rritje të çmimit të saj. Duke qenë se birra kategorizohet si pije alkoolike, taksohet me akcizë, ekspertët e INSTAT vërejnë se ky produkt ka hapësire për tu tatuar më shumë në akcize. Akciza më e lartë do të ndikonte pozitivisht të ardhurat në buxhet dhe gjithashtu do të frenonte dëmin në shëndet nga përdorimi i tepërt i saj.Monitor